Andueli

Manastirliu me inspektorët shëndetësorë: Zero tolerancë për subjektet që shkelin protokollet e sigurisë COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një takim me inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor të Tiranës, për intensifikimin e kontrolleve për zbatimin e protokolleve të sigurisë kundër COVID-19.

Manastirliu kërkoi që të mos ketë tolerancë për shkelësit e ligjit, duke e konsideruar çdo thyerje të rregullit si rrezik për shëndetin e popullatës.

“Une e di që ju keni qenë në terren çdo ditë dhe keni bërë një punë të mirë deri tani, me më shumë se 70 mijë inspektime, por nuk duhet të ketë tolerancë për shkelësit të cilët bëhen më pas burimi i përhapjes së infeksionit pasi tolerojnë në aktivitetin e tyre, duke mos zbatuar rregulla të thjeshta dhe më pas do të na duhet një punë shumë e madhe për të këputur zinxhirin e infeksionit”, tha Manastirliu.

Ministrja u bëri apel subjekteve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe kërkoi nga inspektorët të jenë çdo ditë në terren me zero tolerancë për çdo subjekt që nuk zbaton masat ndaj COVID-19, me qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Çdo shkelje duhet të konsiderohet si rrezik për shëndetin e qytetarëve, ndaj ju duhet të forconi punën në terren, të mos ketë tolerancë për shkeljet. Dua edhe njëherë t’i drejtohem çdo biznesi, pasi na nevojitet mirëkuptimi i tyre dhe i çdo qytetari: Ne jemi këtu për të bërë detyrën, jemi këtu për të bërë të mundur që rregullat që kemi vendosur të zbatohen. Kjo do të bëhet me bashkëpunimin e qytetarëve, me bashkëpunimin e bizneseve, me bashkëpunimin e institucioneve”, tha ajo.

Manastirliu kërkoi që zbatimi i rregullave të kthehen në edukatë të përditshme. “Derisa këto veprime t’i bëjmë jo me forcë, por sepse kështu mbrojmë shëndetin e të tjerëve, ne do duhet t’i rikujtojmë, t’i rekomandojmë dhe nëse këto masa nuk zbatohen, ne patjetër që do duhet të penalizojmë dhe të marrim masa administrative. Nuk duhet të ketë tolerancë në këtë drejtim”, tha Manastirliu.

Trupa inspektuese e ISHSH ka kryer inspektime dhe monitorime çdo ditë në të gjitha subjektet që zhvillojnë aktivitetet e lejuara gjatë periudhës së epidemisë. Janë inspektuar dhe monitoruar 72,781 subjekte në të gjithë vendin dhe janë vendosur 300 masa administrative./atsh

Manastirliu me inspektorët shëndetësorë: Zero tolerancë për subjektet që shkelin protokollet e sigurisë COVID-19 Read More »

Hajdari largohet nga mbledhja e Këshillit Politik: E trishtë të humbasim kohë me gjëra që s’kanë rëndësi

Përfaqësuesja e opozitës parlamentare në tryezën e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari u largua pa përfunduar takimi i sotëm, duke theksuar për mediet se “sa kohë të flitet për tendera, unë nuk marr pjesë në këtë tryezë”.

“Kemi gati dy orë që shpenzojmë kohë për tenderin e identifikimit biometrik. Nuk kam ardhur të merrem me tendera, por për të përfaqësuar atë frymë për të ndryshuar sistemin zgjedhor që duan sot shqiptarët”, – tha Hajdari.

“Është e trishtë që të ulem orë pas ore dhe të flasim për gjëra që s’kanë rëndësi. Qytetarët presim më shumë nga ne dhe nuk presin që të diskutohet se kush do të marrë tenderin për mjetet e identifikimit”, – tha ajo.

Sipas Hajdarit, beteja do të jetë në Parlament. /atsh

Hajdari largohet nga mbledhja e Këshillit Politik: E trishtë të humbasim kohë me gjëra që s’kanë rëndësi Read More »

“Virusi po gjen terren në mosrespektimin e masave”, Tomini: Më mirë të mbajmë distancën, sesa të rikthehemi në izolim

Ruani distancën e sigurisë dhe zbatoni protokollin e sigurisë. Kjo është thirrja e Eugena Tominit, shefe e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.

Ajo theksoi se me procesin e hapjes, pas izolimit gati dymujor pritej një rritje e përhapjes, por duhet vëmendje dhe zbatim masash, pasi virusi ka gjetur terren në mosrespektimin e masave.

“Virusi ka gjetur një terren përkundrejt mosrespektimit të masave të sigurisë. Ka një trend në rritje të rasteve pozitive. Pritshmëria ishte e tillë me rihapjen e biznesit. Më mirë t’i rikthehemi kujtesës se si ishte karantina, dhe të mbajmë distancat e sigurisë, sesa të rikthehemi në izolim”, – bëri thirrje Tomini.

“Kemi një zhvillim fiziologjik të virusit. Të gjitha masat që janë marrë, karantinë, masat e etiketës respiratore janë për të parandaluar përhapjen e virusit. Ne duhet të vijojmë të mbajmë masat për të minimizuar përhapjen, virusi do kryejë procesin e tij fiziologjik, por përmes masave, pa u kthyer në izolim do të ulim në minimum përhapjen. Spitali Infektiv ku po përballemi me fluksin aktual, i ka kapacitetet e duhura. Duhet të theksohet se në dhjetë ditët e fundit, kemi mbi 60% e rasteve që kanë pasur simptoma dhe kanë pasur dhe sëmundje shoqëruese. Këta të fundit në varësi të problematikës janë hospitalizuar. Duhen respektuar masat. Është shumë e rëndësishme kjo gjë”, – vijoi Tomini.

“Nuk do ta quaja valë të dytë, do e quaja një intensitet në rritje të COVID-19. Të gjitha pikat e kalimit kufitar, ato ajrore apo edhe detare, është e rëndësishme të respektojnë të gjitha protokollet e sigurisë dhe të evidentojnë menjëherë elementët që mund të shfaqin simptoma. Lëvizshmëria e qytearëve është e rëndësishme për të gjitha vendet, sidomos tani në periudhë sezoni turistik”, – shtoi Tomini.

Sa i takon të shtruarve në spital, Tomini tha se 20% e pacientëve janë pacientë që menaxhohen me një shërbim normal, ndërsa pjesa tjetër ka sëmundje të shtuara dhe kanë nevojë për një trajtim më të specializuar dhe më intensiv. /atsh

“Virusi po gjen terren në mosrespektimin e masave”, Tomini: Më mirë të mbajmë distancën, sesa të rikthehemi në izolim Read More »

“Shtimi i rasteve, faji i të gjithëve”, Bino: Nuk ka një shifër tavan, tejkalimi i së cilës do të rikthente karantinën

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino deklaroi sot se shtimi i rasteve me koronavirus është faji i të gjithëve dhe se të vetmet masa mbrojtëse që kemi janë distancimin fizik, higjiena personale dhe vendosja e maskave.

Në një intervistë në media, Bino u shpreh se gjithçka e ka fillesën te moszbatimi i distancimit fizik.

Bino vuri në dukje se protokollet e sigurisë për bizneset dhe restorantet janë për të minimizuar përhapjen e virusit dhe në momentin që nuk zbatohen, infeksioni përhapet më lehtë.

“Unë kam vënë re që protokolli nuk zbatohet. Ai protokoll nuk është kot, duhet zbatuar”, tha Bino.

Sipas saj, nuk ka një shifër tavan, tejkalimi i së cilës do të rikthente karantinën, por ajo theksoi se e rëndësishme është që të mos ketë mbingarkesë në spitale dhe fatalitete.

Lidhur me vaksinimin Bino u shpreh se një vaksinë nuk mund të futet në vendin tonë nëse nuk aprovohet nga Agjencia Europiane e Barnave.

“Vaksinat kanë luajtur rol kyç në mirëqënien e njerëzimit ndër vite. Ne i kemi harruar shpërfytyrimet e njerëzve nga sëmundje si poliomeliti dhe i kemi harruar falë vaksinave. Kjo është arsyeja që kemi një procedurë indirekte për vaksinat e kalendarit që nuk pranojmë fëmijët në shkollë”, tha ajo./atsh

“Shtimi i rasteve, faji i të gjithëve”, Bino: Nuk ka një shifër tavan, tejkalimi i së cilës do të rikthente karantinën Read More »

Gjendet koloni e dallëndyshes së detit në Shqipëri, përmban deri në 3.3 % të popullatës së kontinentit europian të këtij lloji

Në Shqipëri është gjendur koloni e dallëndyshes së detit që përmban deri në 3.3 % të popullatës së kontinentit europian të këtij lloji.

Shoqata “Shpendët e Shqipërisë” bën të ditur se “ky është një ndër raportimet më interesante që mbase është publikuar ndonjëherë mbi dallëndyshen e detit (Glareola pratincola) në vendin tonë. E thënë kjo, së pari për shkak të numrit të madh të çifteve folezuese që përfaqëson deri në 3.3 % të popullatës së përgjithshme të kontinentit Evropian dhe së dyti, kjo është një koloni krejtësisht e re (e gjetur ne fundsezonin e folezimit të vitit të kaluar) dhe e pa raportuar më parë”.

Sipas kësaj shoqate gjetja e kësaj kolonie së paku 2-fishon numrin e çifteve folezuese të raportura për këtë lloj në vendin tonë deri në vitin 2018.

Dallëndyshja e detit është raportuar si folezuese vetëm në tre zona ligatinore të vendit tonë, dhe përkatësisht në Divjakë-Karavasta, në Lagunën e Nartës si dhe në Ligatinën e Erzenit.

“Është pikërisht kjo e fundit që e vetme përmban më shumë se gjysmën e popullatës folezuese të këtij lloji në Shqipëri”, shprehet shoqata.

Vullnetarë të shpendëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me PPNEA dhe Administratën e Zonave të Mbrojtura Fier (sipas zonave përkatëse) kanë kryer hartëzimin e saktë të kolonive si dhe monitorimin e popullatës folezuese të këtij lloji.

Të dhënat për Divjakë-Karavastanë dhe Lagunën e Nartës do të publikohen në ditët në vijim.

“Ndonëse ky lajm përcjell optimizëm, nuk mund të lihet pa përmendur se habitati folezues i këtij lloji në vendin tonë është i rrallë dhe nga habitatet më të kërcënuara në vend, veçanërisht kur gjendet jashtë zonave të mbrojtura”, – thekson shoqata./atsh

Gjendet koloni e dallëndyshes së detit në Shqipëri, përmban deri në 3.3 % të popullatës së kontinentit europian të këtij lloji Read More »

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 4 destinacione fluturimesh të martën

Aeroporti Ndërkombëtar ‘Nënë Tereza” në Tiranë njoftoi për fluturimet e konfirmuara ditën e martë datë 16.06.2020
Tirana International Airport njofton se fluturimet e konfirmuara vajtje-ardhje deri tani për ditën e nesërme janë: Wizz Air – Fluturimi për në Vjenë dhe kthim
Air Albania – Fluturimi për në Romë dhe kthim
Air Albania – Fluturimi për në Milano dhe kthim
Belavia Airline – Fluturimi për në Bjellorusi dhe kthim
TIA kujton pasagjerët të kontaktojnë kompanitë ajrore përpara çdo udhëtimi. Atyre që udhëtojnë, të respektojnë protokollet e higjenës. Maskat janë të detyrueshme.
Ndërkohë, nisjet nga Shqipëria janë ende të kufizuara për personat që nuk janë të pajisur me leje qëndrimi apo pasaportë për destinacionet EU.
“Lejohen të udhëtojnë vetëm rezidentët në Bashkimin Europian dhe nënshtetasit EU.
Situata ndryshon me orë, ndaj ju lutemi dhe për pak durim. Çdo njoftim të shtetit shqiptar në lidhje me çdo fluturim, do t’jua përcjellim menjëherë në faqet tona zyrtare”- citon njoftimi i TIA-s. /atsh

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 4 destinacione fluturimesh të martën Read More »

“Nuk duhen mbyllur çerdhet për një rast pozitiv”/ Pipero: Numri i shtuar i rasteve apel për kujdes, jo për panik

Mjeku i njohur infeksionist, Pëllumb Pipero, deklaroi sot se çerdhet nuk duhen mbyllur për faktin se ka dalë një rast pozitiv me COVID-19.

Në një intervistë televizive, duke folur për lajmin se çerdhja nr. 16 në ish-Bllok është mbyllur pasi një edukatore ka rezultuar me koronavirus, Pipero tha se “fëmijët janë pak ose aspak të rrezikuar. Mund të dalë një rast në çerdhe, por nuk duhet të nxitohemi për ta mbyllur çerdhen. Ne duhet të respektojmë protokollin dhe të vazhdojmë jetën. Nuk është zgjidhje mbyllja e çerdheve. Nëse respektohen protokollet, nuk duhet pasur frikë për një rast pozitiv”.

“Mund të jetë një rast pozitiv asimptomatik, mjafton një maskë për të qenë i sigurt. Rasti duhet të qëndrojë në shtëpi, kontakti i tij i afërt duhet mbajtur në monitorim 7-10 ditë, por kaq. Edhe bashkia e Durrësit u mbyll për dy persona pozitivë. Nuk duhet vepruar kështu”, – theksoi Pipero.

Mjeku Pipero u shpreh se “virusi më parë ishte krejtësisht i panjohur për ne. Tani që jemi hapur ka më shumë mundësi kontakti dhe infektimi. Rastet pozitive nuk na trembin, por janë një thirrje për kujdes nga ana e mjekëve, qytetarëve dhe punëdhënësve që të respektojnë protokollet. Duhet distancë fizike dhe maskë atje ku është e nevojshme. Numri i shtuar i rasteve është apel për kujdes, jo për panik”.

Në lidhje me rastet e shumta të regjistruara në QSUT, Pipero u shpreh se “është mjaft e vështirë që spitalet e mëdha të shpëtojnë, pasi ekspozimi është i gjatë dhe jo të gjithë pacientët mund të diagnostikohen. Duhet të respektohen protokollet e vizitës, kontrollit dhe sjelljes ndaj pacientit në spital”.

Sipas Piperos, edhe turistët e huaj nuk përbëjnë rrezik.

“E vetmja mundësi që kemi është që t’i masim temperaturën. Duhet të mirëpresim disa çartera me turistë, jo vetëm një. Sigurisht, duhet parë situata epidemiologjike në vendin nga vijnë, por ju garantoj se turistët që vijnë janë të shëndetshëm. Nuk duhet të kemi frikë në këtë periudhë. Mjafton distanca dhe maska atje ku nuk ruajmë dot distancën 1 metër e gjysmë. Të vetmit që duhet të kenë më shumë kujdes janë moshat e vjetra dhe të sëmurët kronikë”, tha Pipero. /atsh

“Nuk duhen mbyllur çerdhet për një rast pozitiv”/ Pipero: Numri i shtuar i rasteve apel për kujdes, jo për panik Read More »

Dita Botërore/ Seancë dhurimi vullnetar të gjakut për fëmijët talasemikë, në selinë e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare

Me rastin e Ditës Botërore të Dhuruesve të Gjakut, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej tij si dhe në bashkëpunim me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti Ilir Meta mori pjesë në seancën e radhës të dhurimit të gjakut për fëmijët talasemikë, të mbajtur në selinë e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare.

Në takimin e zhvilluar në Qendrën e Krishterë Shqiptare, ku merrte pjesë edhe Arqipeshkvi metropolit Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo, Presidenti Meta u shprehu mirënjohjen kryepastorit Ylli Doçi dhe anëtarëve të Vëllazërisë Ungjillore si dhe të rinjve e të rejave vullnetarë për gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar kësaj kauze fisnike dhe humane.

Kreu i shtetit falënderoi Vëllazërinë Ungjillore dhe dhuruesit e gjakut, duke theksuar se dhënia e gjakut për fëmijët talasemikë, sidomos në këtë periudhë të vështirë të pandemisë së COVID-19, është një gjest tepër njerëzor dhe mision jashtëzakonisht jetik.

“Mirënjohje Bashkësisë Ungjillore Shqiptare, që prej 10 ditësh nëpërmjet një maratonte të dhurimit të gjakut, ka udhëtuar nga jugu në veri të Shqipërisë, nga Shkodra në Sarandë, nga Korça në Gjirokastër, për t’u përfunduar sot më 14 qershor, në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut, në Tiranë, duke dhënë një kontribut të çmuar për këtë kauzë jashtëzakonisht humane dhe fisnike, për të cilën e gjithë shoqëria jonë i është mirënjohëse”, nënvizoi ndër të tjera presidenti Meta./atsh

Dita Botërore/ Seancë dhurimi vullnetar të gjakut për fëmijët talasemikë, në selinë e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare Read More »