Andueli

Mandati i shqiptares në parlamentin kroat/ Meta: Përfaqësim dinjitoz i komunitetit

Shqiptarja nga Hasi, Ermina Lekaj Prljaskaj ka arritur të fitojë mandatin e deputetes për herë të tretë në zgjedhjet parlamentare në Kroaci.

Fitoren e Ermina Lekaj Prljaskaj e ka përshëndetur edhe presidenti Ilir Meta, i cili është shprehur se “është tepër e rëndësishme që komuniteti shqiptar të ketë zërin dhe përfaqësimin dinjitoz në Parlamentin kroat me një deputete të nderuar, një tregues i lidhjeve të forta tradicionale shqiptaro-kroate”.

“Përvoja e saj është garanci edhe për të ardhmen e shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve”, ka theksuar Meta.

“Thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve do t’i japë një impuls të ri forcimit të tyre, si dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë”, ka shtuar Meta./atsh

Mandati i shqiptares në parlamentin kroat/ Meta: Përfaqësim dinjitoz i komunitetit Read More »

Leskaj dorëzon detyrën / Meta: Rol në modernizimin e KLSH

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim ish-kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, me rastin e dorëzimit të detyrës së tij në krye të këtij institucioni tepër të rëndësishëm kushtetues.

Presidenti Meta e falënderoi Leskaj për ushtrimin me përgjegjshmëri të kësaj detyre deri në fund, dhe vlerësoi rolin e tij për modernizimin e KLSH-së, përdorimin e standardeve të auditimit suprem publik të pranuara ndërkombëtarisht (ISSAI-t), për forcimin e llogaridhënies, transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike në administratën shtetërore.

Leskaj e falënderoi kreun e Shtetit për mbështetjen maksimale institucionale që i ka dhënë për përmbushjen e detyrës në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit.

Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi në seancën e 2 korrikut kreun e ri të KLSH-së, Arben Shehun.

Me 108 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi vendosi të miratojë kandidaturën e katërt të propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit./atsh

Leskaj dorëzon detyrën / Meta: Rol në modernizimin e KLSH Read More »

“Paqe në Divjakë”/Braçe ftesë për ta vizituar: Koha ka ndalur aty

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka publikuar disa foto nga Divjaka ndërsa fton që ta vizitojnë, në një vend që sipas tij, ku gjen diellin, detin, lagunën, bimësinë e dendur dhe shpezët e egra bashkë me pelikanin kaçurrel.

“Paqe në Divjakë. Bëj ç’të duash prej mëngjesit-plazh, shëtitje nëpër park, në këmbë apo me biçikletë, vëzhgo pelikanët apo zogjtë e tjerë, hip në kullë në ajër, mbi pisha. Por, prenoto perëndimin në strugat e parkut me varkë. Është kështu. Koha ka ndalur aty, je ti, dielli qe bie dhe peshqit”, shprehet ai.

Divjakës është një zona më të bukura përgjatë zonës bregdetare të vendit dhe nga më të rëndësishmet në Mesdhe përsa i përket bukurive natyrore.

Divjaka ka një shumëllojshmëri habitatesh, delta lumenjsh, laguna, duna ranore, bimësi e egër, pylli me pishë të butë dhe të egër.

Po ashtu, Divjaka ka vlera historike, kulturore, arkeologjike me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit.

Ndahet nga deti nëpërmjet një brezi të gjerë rëre, të mbuluar nga pylli i dendur, buzë te cilit ndodhet një plazh mjaft i madh. Karakteristike në këtë zonë është kolonia e Pelikanit Kaçurrel që tashmë është shpendi që ndiqet me interes nga turist vendas dhe të huaj. /atsh

“Paqe në Divjakë”/Braçe ftesë për ta vizituar: Koha ka ndalur aty Read More »

Prej disa ditësh në luftë me COVID-19, humb jetën në Spitalin Infektiv mjeku Hysni Shkjau

Mjeku Hysni Shkjau ka humbur betejën me koronavirusin, pas disa ditësh “luftë” në spitalin Infektiv ku ishte i shtruar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta këtë mëngjes të dr. Hysni Shkjaut, i cili nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të infektivit për kolegun e tyre.

“Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës. Luftonte prej disa ditësh me COVID-19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve. “Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për 40 vite komunitetit të tij”, thekson Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë i rikujton qytetarëve të mos e ulin vëmendjen për zbatimin e rregullave, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm që prek këdo, pa dallim./atsh

Prej disa ditësh në luftë me COVID-19, humb jetën në Spitalin Infektiv mjeku Hysni Shkjau Read More »

Humbi betejën me koronavirusin/ Manastirliu: Dr. Hysni Shkjau, 40 vite përkushtim e profesionalizëm

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehu sot trishtimin për ndarjen nga jeta këtë mëngjes të dr. Hysni Shkjaut, mjekut të përkushtuar, që shërbeu pa u lodhur dhe nuk u nda për asnjë ditë nga banorët e komunitetit në zonën e Qafë-Malit në Pukë.

“Ndarja nga jeta e dr. Hysniut është një dhimbje e madhe për të gjithë ne, për familjen, për kolegët, për banorët e zonës së Pukës, ku shërbeu për 40 vite me përkushtim e profesionalizëm”, tha ajo.

Sipas Manastirliut. dr. Hysniu nuk mundi ta fitonte betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mjekëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në Spitalin Infektiv”.

“Ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve! U prehsh në paqe doktor Hysniu”, tha ajo. //atsh

Humbi betejën me koronavirusin/ Manastirliu: Dr. Hysni Shkjau, 40 vite përkushtim e profesionalizëm Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 67 raste të reja, 2 humbje jete dhe 45 të shëruar në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 67 raste pozitivë me COVID-19.

Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u shpreh se “aktualisht po trajtohen 88 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar”.

Fatkeqësisht 2 qytetarë kanë humbur betejën me Covid19 gjatë 24 orëve të fundit. Një 67 vjeçare dhe një 73 vjeçare, të dyja nga Tirana me disa sëmundje bashkëshoqëruese, kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerave.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 376 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 34 raste në Tiranë, 9 në Shkodër, 6 në Kavajë, 4 në Elbasan, nga 3 raste në Kurbin, Korçë, nga 2 raste në Kukës, Krujë, nga 1 rast në Fier, Lezhë, Lushnje, Kamëz. Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1637 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1108 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

COVID-19 – Statistika (4 Korrik 2020)
Testime totale 28409
Raste pozitive 2819
Raste të shëruara 1637
Raste Aktive 1108
Humbje jete 74 (Qarku Tiranë 41, Durrës 12, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 11, Kukës 1, Elbasan 2)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 428
Durrës 199
Shkodër 164
Vlorë 115
Fier 46
Lezhë 59
Korçë 35
Kukës 20
Elbasan 16
Gjirokastër 10
Berat 8
Dibër 8/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 67 raste të reja, 2 humbje jete dhe 45 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit” kryeministrit Hoti: Tirana, qytet i hapur për të rinjtë e Kosovës

Në 100-vjetorin e dytë të shpalljes Kryeqytet i Shqipërisë, Tirana i dha kryeministrit të Kosovës “Çelësin e qytetit”, si simbol i një dere të hapur për të gjithë vëllezërit tanë kosovarë. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili zgjodhi kryeqytetin shqiptar për vizitën e tij të parë zyrtare.

“Dua t’i uroj mirëseardhjen kryeministrit Hoti dhe delegacionit nga Kosova. Është një kënaqësi e veçantë kur shoh se Kosova ecën përpara, që zhvillohet. Në këto kohë sfiduese për Kosovën, e di që ka një barrë të vështirë për të mbajtur dhe barra më e vështirë është për ta mbajtur popullin të bashkuar, për të mbajtur frymën pozitive, kokën lart dhe sytë përpara. Ndaj, dua që ky çelës të jetë simboli i një dere të hapur i Tiranës”, tha Veliaj.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, falenderoi kryebashkiakun Veliaj për këtë nderim dhe shprehu vlerësimet për punën e tij në mirëmenaxhimin e qytetit. “Jam vërtet i nderuar në 100 vjetorin e Tiranës edhe si dikush që ka punuar në pushtetin lokal ju kam zili për pasionin që keni për punën. Ju uroj çdo të mirë edhe sukses”, tha Hoti.

Veliaj dhe Hoti biseduan edhe për krijimin e lehtësirave për studentët në të dyja anët e kufirit. “Teksa futemi në 100-vjetorin e dytë të Tiranës kryeqytet, besoj se ajo do të jetë edhe më e hapur për biznes, për të rinjtë dhe ata që e shohin si shtëpinë e tyre të dytë. Jam i lumtur që folëm me kryeministrin për mundësitë e të rinjve dhe do të doja shumë që Karta e Studentëve të Shqipërisë të vlejë në Kosovë. Ne jemi shumë të gatshëm që kartat e studentëve kosovarë të vlejnë në Tiranë dhe të përfitojnë nga këto lehtësira”, nënvizoi Veliaj.

Ai vlerësoi edhe dakordësinë e arritur mes dy kryeministrave për të rritur bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, e veçanërisht atë për Portin e Durrësit./atsh

Veliaj i jep “Çelësin e Qytetit” kryeministrit Hoti: Tirana, qytet i hapur për të rinjtë e Kosovës Read More »

125 fëmijë të prekur nga COVID-19/ Dervishi: Vetëm foshnja 2-muajshe e shtruar në spital

Marjeta Dervishi, epidemiologe pranë Institutit të Shëndetit Publik tha për një nga mediet e vendit se foshnja 2-muajshe dhe nëna e saj janë shtruar me shenja klinike të COVID-19 dhe janë në monitorim të plotë nga pediatri në gjendje të stabilizuar.

Dervishi tha rasti i foshnjës 2-muajshe me COVID-19 është i pari në Shqipëri kur një fëmijë paraqitet me shenja klinike dhe shtrohet në spital me temperaturë. Sipas saj, që nga nisja e pandemisë në vendin tonë janë infektuar me COVID-19, 125 fëmijë.

Epidemiologia e lidhi numrin e shtuar të rasteve me COVID-19 në vendin tonë gjatë javëve të fundit me lehtësimin e masave pas karantinës, e shoqëruar kjo edhe me ulje të vigjilencës nga ana e qytetarëve për zbatimin e masave mbrojtëse.

“Duhet të ketë një rritje të ndërgjegjësimit për të respektuar masat që janë fare të thjeshta. Është i detyrueshëm përdorimi i maskave në ambiente të mbyllura, virusi është mes nesh. Pas periudhës së karantinës ka ndodhur e kundërta, nuk kemi pasur respektim të masave mbrojtëse”, u shpreh ndër të tjera ajo.

Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë identifikuar 90 raste pozitivë me koronavirus dhe 3 persona kanë ndërruar jetë. Ndërkohë në spitalin infektiv po marrin trajtim 80 pacientë, mes të cilëve edhe foshnja 2-muajshe. /atsh

125 fëmijë të prekur nga COVID-19/ Dervishi: Vetëm foshnja 2-muajshe e shtruar në spital Read More »