Andueli

Garanci shtetërore për agrobiznesin/ Zgjerim dhe rritje e cilësisë së markës “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se qeveria po vijon mbështetjen e saj për prodhuesit shqiptarë, përmes skemave financiare, me qëllim zgjerimin dhe rritjen e cilësisë së markës “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare.

Denaj e vijoi sot turin e saj të takimeve me biznesin në Gjirokastër, në kompaninë “Gjirofarma” të financuar me kredi nga sistemi bankar me rreth 2.5 milionë euro, mundësuar nga skema e garancisë shtetërore për sektorin e agrobiznesit.

“Falë kësaj mbështetjeje, kompania ka investuar për rritjen e kapaciteteve të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, por edhe për hapjen e linjës së re të përpunimit të mishit”, tha Denaj.

Ministrja tha se grantet për fermerët ekzistojnë.

“Ne kemi bërë gati një paketë me Agjencinë e Zhvillimit Rural (AZHBR) dhe shumë shpejt do ta prezantojmë. Kemi menduar se klasterat apo grupet janë një histori suksesi edhe pse në numër të vogël”, u shpreh Denaj.

Përfaqësuesi i kompanisë “Gjirofarma” kërkoi nga qeveria krijimin e mekanizmave që do tu lehtësonte atyre eksportin në tregjet europiane.

“Nëse do të kishte një koordinim të mirë të financimit fermerit dhe tregjeve do të rritej me dyfish kapaciteti i ndërmarrjeve shqiptare prodhuese”, tha ai./atsh

Garanci shtetërore për agrobiznesin/ Zgjerim dhe rritje e cilësisë së markës “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare Read More »

Xhaçka jep lajmin e mirë për ushtarakët: Nga korriku 10 mijë lekë pagesë shtesë për ushqimin

Duke nisur nga muaji korrik, mijëra ushtarakë shqiptarë do të kenë çdo muaj në pagën e tyre, një shtesë prej 10 mijë lekësh, si kompensim për ushqimin.

Lajmin pozitiv, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e dha gjatë takimit me efektivët e kontingjentit të Policisë Ushtarake, të cilët nisen për në Afganistan, ku do të shërbejë në misionin e NATO-s, “Resolute Support”.

“Çdo investim në armë e sisteme do të kishte qenë i mangët nëse nuk do të ishte shoqëruar me një përpjekje po aq serioze e të qëndrueshme për të investuar tek burimet njerëzore të FA-së. Unë sot jam e lumtur t’ju jap një tjetër lajm të mirë në këtë drejtim. Për një vendim të propozuar nga Ministria e Mbrojtjes, që ka gjetur mbështetjen e menjëhershme të qeverisë e kryeministrit Rama, i cili i jep një zgjidhje dinjitoze një problemi të bartur prej shumë vitesh. Miratimi prej 10 mijë lekësh (100 mijë lekë të vjetra) si shtesë në pagat mujore të ushtarakëve nuk është thjesht një zhvillim me impakt të konsiderueshëm pozitiv në buxhetet familjare të ushtarakëve, por edhe një shenjë vlerësimi për punën tuaj të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve duke e bërë FA institucionin më të besuar për shqiptarët.”- u shpreh ministrja Xhaçka.

Gjatë vizitës së saj në Policinë Ushtarake, ministrja Xhaçka inspektoi mjediset e reja të ndalimit disiplinor, financim i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

“Bashkëpunimi dhe mbështetja nga aleatët, veçanërisht nga ata amerikanë, sidomos gjatë dy viteve të fundit ka qenë e jashtëzakonshme. Falë kësaj mbështetje ia kemi dalë të përforcojmë çdo element të FA, që nga logjistika e transporti, e deri tek mbulimi i territorit me radar, sisteme armatimi apo flota e helikopterëve “Black Hawk” që na jep sot disa kapacitete luftarake që as nuk i imagjinonim pak vite më parë. E sigurisht, nuk mund të mos përmend bazën e Kuçovës, që nuk është thjesht një investim i jashtëzakonshëm në terma infrastrukture, logjistike e kapacitetesh ajrore, por edhe një afirmim i rëndësisë strategjike të Shqipërisë për Aleancën”, tha ministrja Xhaçka./atsh

Xhaçka jep lajmin e mirë për ushtarakët: Nga korriku 10 mijë lekë pagesë shtesë për ushqimin Read More »

Eksperti i ISHP-së mesazh sensibilizues qytetarëve: Kudo në botë njerëzit po sillen ndryshe, respektoni masat, parandaloni virusin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndarë një videomesazh drejtuar qytetarëve nga eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli.

Në mesazhin e tij, Ylli shprehet se në fazën e parë i gjithë populli shqiptar dëshmoi përgjegjshmëri dhe solidaritet e kështu u arrit të kalohej me sukses, por rritja e rasteve dhe shpërthimi i këtij virusi në komunitet sipas tij ka ardhur nga lehtësimi i masave drastike.

Nisur nga kjo doktor Alban Ylli ju bën apel qytetarëve të respektojnë masat e distancimit, higjienës si dhe të vendosin maska mbrojtëse në ambiente të mbyllura.

“Më shumë gjasë, ky qarkullim i ri i virusit në komunitet ka ardhur si pasojë e lehtësimit të masave drastike që u morën gjatë pranverës. Gjatë periudhës së shtetrrethimit, masave drastike, të gjithë qytetarët e Shqipërisë dëshmuan disiplinë, përgjegjshmëri dhe ja dolëm mbanë të shpëtojmë me qindra jetë. Tani jemi përpara një sfide të re.

Do na duhet që në asnjë rast të mos harrojmë që jo vetëm ne, por i gjithë globi, miliarda e miliarda njerëz ndodhen përball një krize, krizë historike e cila do të mbahet mend për vite e vite me radhë. Kudo është duke u dëshmuar solidaritet, kudo në botë njerëzit janë duke u përpjekur të sillen ndryshe për të parandaluar përhapje e infeksionit e virusit dhe për të shpëtuar sa të jetë e mundur jetët e atyre që janë më të dobët, të moshuarit dhe sëmurët kronik. Do na duhet gjatë verës të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë sa të jetë e mundur masat e këshilluara, të mbajmë maska në mjedise të mbyllura, të mbajmë distancën fizike dhe të përpiqemi të jemi të kujdesshëm me higjienën sidomos duke larë sa më shpesh duart,” shprehet eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli. /atsh

Eksperti i ISHP-së mesazh sensibilizues qytetarëve: Kudo në botë njerëzit po sillen ndryshe, respektoni masat, parandaloni virusin Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 96 raste të reja, 2 humbje jete dhe 48 të shëruar në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 96 raste të reja me COVID-19.

Rovena Daja, ekspertë pranë Institutit të Shëndetit Publik thotë se “vijon të ketë raste të reja por edhe shtrime të reja në spital apo pacientë që kanë nevojë për terapi intensive.

I drejtohemi çdo qytetari, të vendosë maskën në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, edhe në ambiente të hapura, të tregoni kujdes me masat e higjienës dhe të ruani distancën fizike nga të tjerët, nëse nuk janë familjarët tuaj. Në 24 orët e fundit, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 2 qytetare: Një 64-vjeçare nga Shkodra dhe një paciente 63-vjeçare nga Elbasani, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve. Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv dhe situata paraqitet shumë serioze. Aktualisht janë të shtruar 90 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 5 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë”.

Sipas saj, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 451 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 96 raste pozitive.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 51 raste në Tiranë, 6 në Shkodër, 5 në Durrës, nga 4 raste në Elbasan, Pogradec, nga 3 raste në Krujë, Kukës, nga 2 raste në Fier, Lezhë, Kavajë, Kamëz, Dibër, dhe nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Devoll, Has, Lushnjë, Mat, Përmet, Sarandë, Përrenjas, Bulqizë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar në 2062 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1508 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës”, bën të ditur Daja.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton edhe një herë për masat e thjeshta që duhet të respektojë çdo qytetar në përditshmëri: Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën, ruani distancën në ambientet publike, kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse, shmangni grumbullimet me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga COVID-19, kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes. Nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore. Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

COVID-19 – Statistika (14 Korrik 2020)
Testime totale 33389
Raste pozitive 3667
Raste të shëruara 2062
Raste Aktive 1508
Humbje jete 97 (Qarku Tiranë 49, Shkodër 17, Durrës 15, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 2, Kukës 1, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 672
Durrës 219
Shkodër 190
Vlorë 97
Lezhë 77
Kukës 51
Korçë 46
Berat 40
Elbasan 39
Fier 36
Gjirokastër 22
Dibër 19/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 96 raste të reja, 2 humbje jete dhe 48 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

Forcat e Armatosura në proces të vazhdueshëm rigjenerimi, testohen kandidatët e rinj

Qendra e Personel-Rekrutimit po teston kandidatët e rinj që synojnë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila shprehet se “Forcat e Armatosura janë në një proces të vazhdueshëm rigjenerimi”.

“Ndërkohë që rekrutët e rinj janë drejt përfundimit të Stërvitjes Individuale Bazë në Bunavi, Qendra e Personel-Rekrutimit po teston kandidatët e rinj që synojnë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Sigurisht, duke respektuar masat anti COVID 19”, – shprehet Xhaçka./atsh

Forcat e Armatosura në proces të vazhdueshëm rigjenerimi, testohen kandidatët e rinj Read More »

Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është paraqitur në Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar, ashtu siç kishte marrë ftesën ditë më parë.

Në një prononcim të shkurtër për media, Thaçi tha se beson te drejtësia dhe e vërteta dhe ky ishte çmimi i lirisë që duhet ta paguajë.

“Sot jam këtu në respekt të ëndrrës time dhe për atë që kam luftuar, një Kosovë të lirë dhe të pavarur, bazuar në të drejta të barabarta dhe në sundimin e ligjit. Jam gati të përballem me sfidat e reja dhe të fitoj, për djalin tim, për familjen time dhe për vendin tim. Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqe, në të vërtetën dhe në drejtësi. Unë besoj në dialog dhe në marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Kosova është një histori suksesi dhe unë jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është integrimi në Bashkimin Europian, NATO dhe marrëdhëniet e mira me SHBA,” deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, një grup mbështetësish të UÇK-së dhe presidentit Hashim Thaçi janë mbledhur jashtë Gjykatës Speciale në Hagë dhe kanë brohoritur emrin e kreut të shtetit, “UÇK” si dhe me pankarta në duar kanë kërkuar drejtësi për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit./KosovaPress/

Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë Read More »

Pandemia/ Vasili: Duhet të merren masa të menjëhershme

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar sot në një deklaratë për situatën e pandemisë në vend duke e konsideruar si keqmenaxhim të situatës.

Vasili tha se “situata e pandemisë po shkon në një rrugë e cila pasi nuk do të dëshironte askush të ishte e tillë pasi raste e reja janë 117, pra duke e krahasuar me pikun e pandemisë me 28 raste të katër muajve më parë kemi 400% të rritjeve të rasteve”.

“Është shumë e qartë se e gjithë mënyra se si kjo pandemi është administruar nga fillimi ka qenë e gjitha e bazuar mbi spontanitetin, mbi mos marrjen efektive, mbi mos vlerësimin e masave të domosdoshme që bëjnë të mundur të kesh një situatë nën kontroll dhe të bëjë të mundur të dalësh pre saj, dhe një seri mosveprimesh të rënda, mos testimi, mos përdorimi i maskave, mos sigurimi i aspiratorëve në kohë, përqendrimi, përqendrimi i problematikës vetëm te numri 127, mos aktivizimi i mjekëve parësorë, mjekëve të familjes dhe mos pajisja me mjete mbrojtëse spitalore i la mjekët pa mbrojtje. Kjo situatë dhe ky spontanitetit e papërgjegjshmëri ka sjellë këtë realitet”, tha ai.

Vasili u shpreh se “situata nuk mbanë më duhen marrë masa të menjëhershme duke vendosur në eficiencë të plotë gjithë strukturat shëndetësore shqiptare dhe pajisja me mjete mbrojtëse”.

“Qeveria duhet të marr përsipër subvencionimin e maskave në mënyrë që ata të mblidhen me çmimin më të lirë të mundshëm për të gjitha shtresat e popullatës”, tha Vasili. /atsh

Pandemia/ Vasili: Duhet të merren masa të menjëhershme Read More »

Drini i Zi, atraksion i ri turistik ku vizitorët po shtohen nga dita në ditë

Turistë vendas dhe të huaj po zgjedhin Drinin e Zi si një destinacion turistik për t’u eksploruar.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka publikuar pamje nga ky atraksion turistik teksa shprehet se edhe pse është ende pak i njohur, vizitorët po shtohen nga dita në ditë.

“Drini i Zi buron prej Shën Naumi në Maqedoni dhe ngjitet lart duke gjarpëruar me shumë degëzime nëpër fshatrat e Dibrës, duke krijuar panorama të mrekullueshme”, shprehet Klosi.

Drini i Zi buron nga Liqeni i Ohrit, nga një lartësi mbidetare prej 695 m, ndërsa del nga territori i Maqedonisë së Veriut në afërsi të qytetit të Dibrës në lartësi mbidetare 476 m. Gjatësia e përgjithshme e lumit është 149 km, dhe brenda Maqedonisë së Veriut lumi është i gjatë 56 km.

Lumi rrjedh në veri në drejtim të qytetit të Dibrës në një zonë malore, ku pastaj e shënon një pjesë të kufirit të Maqedonisë së Veriut – Shqipëri, për të kaluar pastaj në territorin e Shqipërisë. Pranë qytetit të Kukësit Drini i Zi bashkohet me Drinin e Bardhë duke formuar lumin e bashkuar Drini që ka derdhje në Detin Adriatik./atsh

Drini i Zi, atraksion i ri turistik ku vizitorët po shtohen nga dita në ditë Read More »