Andueli

“Marrëveshja e 5 qershorit ka të bëjë me mirëadministrimin e procesit zgjedhor”/ Manja: Ndryshimet kushtetuese nuk i ndalojnë koalicionet

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja theksoi sot në një intervistë televizive, mbrëmjen e sotme se ndryshimet kushtetuese nuk prekin sistemin zgjedhor dhe as ndalojnë koalicionet.

“Dua të jem i qartë. Ndryshimet kushtetuese nuk e prekin sistemin zgjedhor. Shqipëria do të ketë sipas nenit 64 të kushtetutës sistem konkurrimi proporcional rajonal. 140 deputetë të cilët do të jenë në 12 rajone të Shqipërisë. Pra çështja e sistemit nuk preket”, u shpreh Manja.

Duke folur për listat e hapura, Manja tha se bëhet fjalë për ndryshim kushtetues. “Po the lista të hapura sigurisht që partitë do të duhet të shkojnë para elektoratit secila me identitetin politik, që t’i japë mundësi qytetarëve shqiptarë që në ato lista që do të depozitojë secila parti, t’u japë mundësi të zgjedhë partinë dhe kandidatin që duan”, tha Manja.

Sipas Manjës, ndryshimet kushtetuese nuk prekin thelbin e marrëveshjes së 5 qershorit.

“Zonja Hajdari ka qenë pjesë e Këshillit Politik ku është dakordësuar marrëveshja e 5 qershorit për ndryshime në kodin zgjedhor dhe në fakt ndryshimet që janë dakordësuar në marrëveshjen e 5 qershorit kanë të bëjnë më mirëadministrimin e procesit zgjedhor. Nuk flet për koalicione, marrëveshja e 5 qershorit nuk ka të bëjë më koalicione apo jo koalicione. Marrëveshja e 5 qershorit është një marrëveshje e dakordësuar për mirëadministrimin e procesit zgjedhor”, deklaroi më tej ai/atsh

“Marrëveshja e 5 qershorit ka të bëjë me mirëadministrimin e procesit zgjedhor”/ Manja: Ndryshimet kushtetuese nuk i ndalojnë koalicionet Read More »

Hajdari: Opozita parlamentare ka votat e saj solemne dhe nuk ka për t’i çuar dëm

Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari tha sot në Kuvend se “Gjermania nuk duhet të na na kthejë kurrizin në këtë betejë për listat e hapura”.

Duke folur në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, Hajdari tha se kohët e fundit na ka shqetësuar një ndërhyrje që ka ardhur nga vendi më i fortë i BE-së, Gjermania.

“Mbrëmë e informova anëtarin e CDU-së, për situatën në Shqipëri. E informova sepse është e rëndësishme që Gjermania të mos na lërë në baltë ndërkohë që ne si opozitë parlamentare, që i kemi shërbyer vendit për proceset integruese të Shqipërisë në momentet më delikate duke qëndruar në parlamentin shqiptar, tani është momenti që të gjithë të na mbështesin në këtë betejë të madhe që kemi përpara, hapjen e listave, e cila në fakt thellon demokracinë e shteti shqiptar. Kam besim te BE, te fryma perëndimore e shteteve aleate të cilët në momentin që ne qëndruam në parlament e përshëndetën vendimin tonë, sot ka ardhur koha të dëshmojnë mbështetjen për këtë opozitë parlamentare. Tashmë ato janë përballë dy zgjedhjeve. Nëse kjo opozitë parlamentare nuk ka vend dhe rëndësi, atëherë hajde ikim të gjithë, sillemi njësoj se ata që janë jashtë. I marrim këto mandate dhe dalim dhe mos votojmë asgjë. Nëse këtu në Kuvend kërkohet vota jonë atëherë duhet të jemi të vetëdijshëm se opozita parlamentare në këtë vend ka votat e saj solemne dhe nuk ka për t’i çuar dëm”, tha Hajdari.

Ajo shtoi se sot ka ardhur koha që shqiptarët të zgjedhin midis tre kryetarëve dhe midis atyre kandidatëve që do dalin para shqiptarëve.

“Hapja e listave nuk është çështja e disa individëve. Këto ndryshime kushtetuese nuk janë çështje që bëhen në mënyrë të njëanshme siç pretendohet sepse pa luftën tonë dhe shumë njerëzve jashtë Kuvendit për të ngritur zërin dhe hapur lista, besoj se kjo betejë nuk do shkonte në këtë pikë”. /atsh

Hajdari: Opozita parlamentare ka votat e saj solemne dhe nuk ka për t’i çuar dëm Read More »

Tamara e hijshme dikur e braktisur, sot e transformuar në një kënd mahnitës turistik nga Rilindja Urbane

Tamara në Malësinë e Kelmendit, një nga zonat më të bukura të Alpeve shqiptare, është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik.

Deri para shtrirjes atje të Programit të Rilindjes Urbane, ajo çka prezantonte Tamara ishte një mrekulli natyrore, por njëherësh, dëshmi e harresës përmbi dy dekada dhe mungesës së vizionit për ta zhvilluar si të tillë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga Tamara duke ftuar turistët vendas e të huaj ta vizitojnë atë.

“Mirëmëngjes dhe me Tamarën e hijshme dikur e braktisur e sot transformuar në një kënd mahnitës turistik nga Rilindja Urbane në Malësinë e Madhe, ju uroj një ditë të mbarë”, – shprehet Rama.

Sot, Tamara ka një shëtitore të re 5 mijë metra katrorë, është bërë rikonstruksioni i çative të shtëpive karakteristike të zonës, është bërë riveshja e fasadave të ndërtesave në qendër të fshatit, janë mbjellë pemë përgjatë shëtitores si dhe janë vendosur sistemet e ndriçimit.

Sipas gojëdhanave, Tamara e ka marrë emrin nga bashkëshortja e Pashait të Shkodrës, Karamahmut Pash Bushatliut. Në nder të saj pashai ndërtoi fillimisht urën e Tamarës që i dha më vonë emrin zonës.

Malësia e Madhe ofron pamje të rralla në çdo stinë të vitit. Investimet në infrastrukturë kombinuar me investime në përmirësimin e peizazhit urban i kanë bërë disa prej njësive administrative, lehtësisht të arritshme, duke i dhënë vlerë peizazhit natyror.

Kjo zonë ka potenciale për zhvillimin e sporteve dimërore, kampingje me çadra, si dhe struktura për shërbime gastronomike, të cilat janë miqësore me natyrën./atsh

Tamara e hijshme dikur e braktisur, sot e transformuar në një kënd mahnitës turistik nga Rilindja Urbane Read More »

Flamingot spektakël edhe në plazhin e Pishporos në Fier

Pishporo, e shtrirë mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës nuk është vetëm plazh, por edhe vendi i flamingove, që kanë gjetur oazin e tyre të qetësisë në ligatinat e plazhit duke dhuruar spektakle të paparë.

Ditët e fundit flamingot kanë pushtuar Rezervatin Natyror të Menaxhuar të Pishporos së Fierit, pranë grykëderdhjes së Vjosës.

Fotjon Prençe, shef i Monitorimit në Administratën e Zonave të Mbrojtura në Fier, tha sot për ATSH-në se “qetësia e krijuar në pjesët ligatinore të Rezervatit Natyror te Menaxhuar Pish-Poro ka rritur ndjeshëm numrin e shpendëve ujorë. Ajo që bie në sy është numri i madh i flamingove 2 vitet e fundit që pushojnë në këto oaze të paqta”.

“Spektaklet që të dhurojnë këta shpendë elegantë e me ngjyra të bukura mund t’i shihni nga mëngjesi në mbrëmje në këto ligatina”, – tha Prençe.

Sipas tij, përveç Nartës dhe parkut kombëtar Divjakë-Karavasta vitet e fundit flamingot janë të pranishme edhe në Pishporo.

Zogjtë lozonjarë që tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre, ngrihen në fluturim herët në fillimdite dhe përshëndesin diellin në perëndimin e tij. Ata janë kthyer në një atraksion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra. Madje me një këmbë ata edhe flenë.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri në 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2–3,6 kg. Duke kombinuar peshën dhe ngjyrën, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët. /atsh

Flamingot spektakël edhe në plazhin e Pishporos në Fier Read More »

“I papranueshëm reagimi i opozitës jashtëparlamentare dhe i opozitës presidenciale”/ Hapja e listave, pa cenuar asnjë presje nga marrëveshja e 5 qershorit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne do ta diskutojmë me opozitën parlamentare detajimin e nismës kushtetuese dhe integrimin e saj në Kodin Zgjedhor pa cenuar asnjë pikë e presje nga çka do të integrohet si fryt i marrëveshjes me opozitën jashtëparlamentare”.

“Sot Komisioni i Ligjeve ka votuar fjalë për fjalë draftin e dakordësuar me opozitën jashtëparlamentare në 5 qershor. E kemi votuar me shumicë, jo me konsensus sepse opozita parlamentare refuzon të pranojë mosdepolitizimin e komisioneve të votimit dhe të numërimit, që është lëshimi i madh i bërë nga PS, jo me hirin e objektivave të veta, por me pahirin e një nevoje për ta përfshirë opozitën jashtëparlamentare në proces”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se “dje Komisioni i Ligjeve i ka hapur rrugë pjesëmarrjes së qytetarëve jo vetëm në zgjedhjen e partive si deri më sot, por edhe në dhënien e pëlqimit për deputetin ose deputeten, pa rrezikuar një arritje madhore të PS-së në radhë të parë por edhe forcave të tjera politike, përfaqësimin e grave e vajzave në Kuvend. Kjo nismë kushtetuese ka pasur konsensus të plotë me opozitën parlamentare në votimin e djeshëm”, tha Rama.

Ai tha se “faktikisht jemi në mes si shumicë qeverisëse dhe si Parti Socialiste, të dy palëve me të cilat kemi konsensus të plotë për atë që këto palë më vete duan dhe s’kemi konsensus për atë që palët më vete nuk duan”.

“Ndërkohë, reagimi i opozitës jashtëparlamentare dhe i opozitës presidenciale ndaj kësaj nisme kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë është i papranueshëm, qoftë në aspektin etik, qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin kombëtar. Sepse, unë e di dhe gjithë populli e di që as opozita jashtëparlamentare, as opozita presidenciale nuk e vlerësojnë dhe as e respektojnë Kuvendin e Shqipërisë, parlamentin e vendit. Por kjo nuk e ndryshon faktin që parlamenti i vendit, Kuvendit i Shqipërisë është sovran. Në aspektin etik nuk është e denjë që Kuvendi i Shqipërisë të sulmohet, të anatemohet, të përbuzet, qoftë nga një institucion si institucion i Presidentit të Republikës. Këtë e them në radhë të parë sepse etika institucionale është baza e shkruar në çdo paragraf të parë të kapitullit të parë të çdo edukate shteti. Dhe qoftë nga vetë opozita jashtëparlamentare, e cila zgjodhi ta braktisë Kuvendin me vullnetin e vetë të lirë, ta zhvlerësojë Kuvendin me vendimin e vetë sovran”, tha Rama.

Sipas tij, opozita jashtëparlamentare mund të zgjedh edhe ta përbuzë Kuvendin, por përtej kësaj asgjë tjetër nuk mund të bëjë dhe asgjë nuk e shlyen nga përgjegjësia që ka lidhur em ata të cilët sot janë deputetë të opozitës në parlament. “Nuk i kam sjellë unë, as Taulant Balla, as PS, por i ka sjellë opozita jashtëparlamentare me firmën dhe vulën e drejtuesve të saj. Janë zgjedhja e tyre dhe ne nuk na mbetet veçse ta respektojmë çdo deputet të Kuvendit në radhët e opozitës”, tha Rama.

Rama tha se “Parlamenti është sovran dhe mbi parlamentin nuk është askush dhe nuk mund të dalë askush”. “Sot PS, shumica qeverisëse, ka konfirmuar edhe një herë seriozitetin e plotë në zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në 5 qershor për të cilën falënderoj miqtë dhe partnerët tanë dhe personalisht ambasadoren e SHBA-së, atë të BE-së dhe atë të Britanisë së Madhe që u angazhuan drejtpërsëdrejti në lehtësimin e procesit dhe krijimin e kushteve për të zhvilluar atë dialog të vështirë”, tha Rama. /atsh

“I papranueshëm reagimi i opozitës jashtëparlamentare dhe i opozitës presidenciale”/ Hapja e listave, pa cenuar asnjë presje nga marrëveshja e 5 qershorit Read More »

Shqipëria me kontingjent të ri në grup-batalionin e NATO-s në Letoni

-Shqipëria nga sot do të jetë me kontingjentin e saj të ri në grup-batalionin e NATO-s në Letoni.

Ministria e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bëri të ditur se, ceremonia e ndërrimit të trupave u zhvillua pak ditë më parë në Camp Adazi.

“Shqipëria do të ketë kontingjentin e saj të ri në grup-batalionin e NATO-s në Letoni.
Ceremonia e ndërrimit të trupave u zhvillua pak ditë më parë në Camp Adazi, ndërkohë që trupat që shërbyen për 6 muaj atje mbërritën mbrëmë në Tiranë, shëndoshë e mirë.”,- thekson Xhaçka. /atsh

Shqipëria me kontingjent të ri në grup-batalionin e NATO-s në Letoni Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 85 raste të reja, 4 humbje jete dhe 29 të shëruar në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 85 raste me COVID-19.

Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor u shpreh se,” duke ju drejtuar që në fillim të këtij komunikimi çdo qytetari me thirrjen për të vendosur detyrimisht maskën në ambientet e mbyllura, për të ruajtur distancën në çdo ambient dhe për rëndësinë e higjienës vetjake dhe kolektive për frenimin e përhapjes së COVID-19.
Situata paraqitet e rënduar në spitalin infektiv, ku janë shënuar 4 humbje jete në 24 orët e fundit. Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një vajzë e re 21-vjeçare, e cila ndodhej në terapi intensive e intubuar, si pasojë e simptomave të rënda të COVID-19. Gjendja e saj u rëndua në mënyrë të menjëhershme si pasojë e tromboembolisë fulminante dhe pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, e reja që vuante nga sindromi metabolik, nuk ka arritur të mbijetojë”.

Cami tha po ashtu se, “gjatë 24 orëve të fundit e kanë humbur betejën me sëmundjen edhe një qytetare 49-vjeçare nga Kruja, e intubuar në gjendje të rëndë prej 11 ditësh dhe dy qytetarë, 56 dhe 67 vjeç, nga Tirana të intubuar, të cilët nuk e kanë fituar dot betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mëdha qe po bën stafi mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, u shpreh ngushëllimet familjarëve. Vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv dhe situata paraqitet shumë serioze. Aktualisht janë të shtruar 88 pacientë në spital, 12 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë”.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 361 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 85 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 44 raste në Tiranë, nga 6 raste në Shkodër, Krujë, Vlorë, 5 në Tropojë, 3 në Elbasan, nga 2 raste në Durrës, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Kolonjë, nga 1 rast në Has, Berat, Kamëz, Pogradec, Ura Vajgurore. Në 24 orët e fundit janë shëruar 29 qytetarë, duke e çuar në 2091 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1560 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës”, shtoi Cami.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë, të miratuara nga autoritetet shëndetësore. Kur është e mundur të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia për të minimizuar kontaktin mes tyre dhe përhapjen e infeksionit. Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga COVID-19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19.

COVID-19 – Statistika (15 Korrik 2020)
Testime totale 33750
Raste pozitive 3752
Raste të shëruara 2091
Raste Aktive 1560
Humbje jete 101 (Qarku Tiranë 52, Shkodër 17, Durrës 16, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 2, Kukës 1, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 699
Durrës 217
Shkodër 198
Vlorë 100
Lezhë 80
Kukës 58
Korçë 49
Elbasan 42
Berat 40
Fier 36
Gjirokastër 22
Dibër 19/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 85 raste të reja, 4 humbje jete dhe 29 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

Manastirliu, apel të rinjve: Zbatoni rregullat bazë, mund ta fitojmë këtë luftë me sa më pak jetë të humbura

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u bëri apel sot të rinjve shqiptarë të respektojnë masat kundër përhapjes së COVID-19, duke theksuar se “të gjithë bashkë, me përgjegjshmëri qytetare, dhembshuri njerëzore, duke zbatuar rregullat bazë të mbajtjes së maskës, distancimit social dhe higjenës vetjake, ne mund ta fitojmë këtë luftë me sa më pak jetë të humbura. Dhe kjo varet nga sjellja e gjithësecilit prej nesh”.

Duke publikuar një fotografi nga terapia intensive në Spitalin Infektiv, Manastirliu tha se “e mirëkuptoj shkujdesjen e moshës, zellin për të relativizuar çdo gjë, madje edhe një sëmundje si kjo që shkakton koronavirusi. E mirëkuptoj edhe prirjen tuaj për të mos besuar ekzistencën e diçkaje që nuk shihet me sy. Ka shumë gjëra që nuk i shohim, por kjo nuk do të thotë që nuk ekzistojnë. Dhe një prej tyre është COVID-19, që ka vënë në vështirësi botën mbarë”.

“Ju lutem, ndaluni një sekondë dhe shihni këtë moment në terapinë intensive në Spitalin Infektiv pak minuta më parë dhe mendoni pak për prindërit dhe të afërmit tuaj! A do të donit vërtet të bëheshit bartës të një virusi, dhe shkaktarë të një sëmundjeje, që për ta mund të rezultojë fatale? Dhe në fund, mendoni pak për të nesërmen”, – u shpreh Mansatirliu.

Ministrja Manastirliu tha se “mendoni për një kohë kur do të mbërrini në moshën e prindërve tuaj dhe do t’u mësoni fëmijëve tuaj përgjegjshmërinë dhe kujdesin ndaj të afërmit. A do ua ilustronit me shembullin që vetë po jepni sot? Sigurisht, koronavirusi do të vihet përfund, siç ka ndodhur me shumë pandemi që ka parë bota”./atsh

Manastirliu, apel të rinjve: Zbatoni rregullat bazë, mund ta fitojmë këtë luftë me sa më pak jetë të humbura Read More »