Andueli

Shpëtoi nga kampi i ferrit, shikoni sa ka ndryshuar vogëlushi Alvin Berisha (foto)

Presidenti Ilir Meta ka takuar sot Alvin Berishën dhe babain e tij, Afrimin.

Vogëlushi është 11-vjeçari që preku zemrat e të gjithëve për shkak të historisë së tij të trishtë.

Disa muaj më parë, u bë e mundur që ai të shpëtohej nga ferri i kampit sirian Al Hol.

Siç shihet në fotot sot, ku ai është takuar me kreun e shtetit, Alvin ka ndryshuar shumë nga fotografia që kemi parë ditën e parë të shpëtimit të tij.

Fotot i ka postuar Presidenti Meta në Facebook ku shkruan:

“I lumtur të prisja sot në Presidencë dy miq të veçantë, Alvin Berishën dhe babain e tij, Afrimin”.

Shpëtoi nga kampi i ferrit, shikoni sa ka ndryshuar vogëlushi Alvin Berisha (foto) Read More »

Mbi 700 kontrolle dhe monitorime për masat ndaj COVID-19 në 24 orët e fundit

Inspektorati Shëndetësor Shtetëror me grupet e tjera të taskforcës antiCOVID realizoi mbi 700 kontrolle dhe monitorime për masat ndaj COVID-19 në 24 orët e fundit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se “janë vendosur 4 masa administrative. Gjatë epidemisë janë realizuar në total 118.243 inspektime dhe monitorime; janë marrë në total 461 masa administrative”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët dhe subjektet të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar vendimin për maskën e detyrueshme në ambientet e mbyllura. /atsh

Mbi 700 kontrolle dhe monitorime për masat ndaj COVID-19 në 24 orët e fundit Read More »

Rama apel qytetarëve: Vendosni maskat në mjediset e mbyllura, të ndihmojmë mjekët dhe infermierët

Kryeministri Edi Rama u bëri sërish apel sot qytetarëve që të përdorin maskën kur hyjnë në ambiente të mbyllura, si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Kreu i qeverisë publikoi sot disa foto me pamje nga mjekët dhe infermierët e spitalit Infektiv, ndërsa tha se me mbajtjen e maskës mbrojmë veten dhe të tjerët.

“Mirëmëngjes dhe duke ju kujtuar të mbroni veten, njerëzit e dashur si dhe t’i japim një dorë mjekëve dhe infermierëve duke zbatuar këtë masë të thjeshtë në çdo mjedis të mbyllur, ju uroj ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Përdorimi i maskës në mjedise të mbyllura publike ul me 70% përhapjen e infeksionit COVID-19./atsh

Rama apel qytetarëve: Vendosni maskat në mjediset e mbyllura, të ndihmojmë mjekët dhe infermierët Read More »

Ndahet nga jeta ikona e Estradës së Fierit, aktori Fuat Boçi

Aktori i njohur, Fuat Boçi është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Rrugën e artit Boçi e nisi që në moshë të re dhe është një nga themeluesit e Estradës së Fierit më 1957.

Ai ka lindur në Voshtinë në vitin 1931, por në vitin 1938 familja e tij do të shpërngulej në Fier, qytet në të cilin Boçi do të niste rrugën e artit që në moshë të re.

Nga një artist amator, Boçi do të shënonte sukseset në karrierën e tij në skenë në teatrin “Bylis” të Fierit.

Pjesëmarrës në rreth 160 premiera dhe duke u ngjitur në skenë me mbi 600 role, aktori Boçi është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Qytetar Nderi” i qytetit të Fierit.

Ndër rolet e tij më të spikatura dhe që kanë mbetur edhe në mendjen e artëdashësve shqiptarë janë Lipe Shtogu, Belul Gjeraqina dhe Llazi.

Boçi mbetet i dashur për publikun edhe në rolet e “Zenelit” te komedia “Pas vdekjes” e Çajupit, dajos te komedia “Shi në plazh”, Sotiri te komedia “Një budalla e gjysmë” etj.

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit të spikatur të humorit shqiptar, njërit prej artistëve më të dashur të Fierit, Fuat Boci, i cili do të mbahet mend përherë për rolet gazmore, skeçet dhe paroditë, nëpërmjet të cilave stigmatizoi me mençuri e talent të rrallë plagët sociale të shoqërisë shqiptare.

“Me mbi 600 role në skenë, Fuat Boci u bë proverbial dhe shumë i dashur për publikun veçanërisht me monologun tek skeçi “Doni më për Belulin?”, si dhe falë intepretimeve mjeshtërore për të cilat meritoi respektin dhe duartrokitjet e shumë gjeneratave.
Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë, veçanërisht qytetarëve të Fierit e të mbarë trevës së Myzeqesë që aq shumë e donte”, shprehet Meta.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit Boçi.
“U nda prej nesh një nga aktorët më të dashur të humorit, që la vulën e vet jo vetëm në Estradën dhe Teatrin e qytetit të Fierit, por në artin kombëtar të së qeshurës. Me aftësinë për të kapur edhe ngjyrimet më të holla të karakterit, Fuat Boçi hyri natyrshëm në çdo shtëpi shqiptare. Arti i tij do të mbetet i pavdekshëm, duke na dhuruar përherë gëzim.
Lamtumirë! U prehsh në paqe”, shprehet Margariti. /atsh

Ndahet nga jeta ikona e Estradës së Fierit, aktori Fuat Boçi Read More »

Protestuan për mbylljen e lokaleve të natës, policia procedon 12 persona

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 12 shtetas pasi organizuan një ditë më parë grumbullim dhe manifestim të paligjshëm.

Në njoftimin për shtyp, policia bën të ditur se 12 të ndaluarit, persona të identifikuar si organizatorë të këtij manifestimi të paligjshëm akuzohen për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tij.

Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 12 persona, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente.

Ata protestuan lidhur me vendimin e qeverisë për mbylljen e lokaleve të natës në kuadër të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Policia sqaron se materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 12 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të respektojnë distancimin social dhe të përdorin mjetet mbrojtëse në vendet publike, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa problematikën apo shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente. /atsh

Protestuan për mbylljen e lokaleve të natës, policia procedon 12 persona Read More »

Nuk justifikoi pasurinë/KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Niko Rapi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi shpalli sot vendimin pas procesit të rivlerësimit për gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Niko Rapi.

Trupa Gjykuese e përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Lulzim Hamitaj, Valbona Sanxhaktari pasi analizoi provat dhe faktet për subjektin e rivlerësimit Niko Rapi për tri kriteret e vlerësimit, ligjshmërinë e pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional vendosi shkarkimin e tij nga detyra, pasi nuk justifikoi pasurinë.

Niko Rapi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Pogradecit. Ai u transferua në Gjykatën e Tiranës në vitin 2016, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin./atsh

Nuk justifikoi pasurinë/KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Niko Rapi Read More »

“Jo mjekim interneti për COVID-19″/ Brataj, apel qytetarëve: Kontaktoni mjekët e familjes për këshilla

Jo mjekim interneti për COVID-19. Ky është apeli që ka bërë sot kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të mos ndjekin këshillat e internetit për mjekim kundër koronavirusit.

Ai ka marrë rastin e betadinës, duke sqaruar se ajo nuk shërben për shpëlarje fyti, por është një dezifektant për plagët.

“Përshëndetje qytetar shqiptar kudo ndodhesh. Sot po qarkullon në rrjetet sociale një mjekim apo protokoll mjekimi i cili po shpërndahet nga të gjithë personat që mendojnë se do të ndihmojnë sadopak njerzit dhe të afërmit e tyre”, ka thënë Brataj.

“Jo terapi interneti, jo terapi nga çdokush. Në atë mesazh ka gjëra mjekësore të ngatërruara, të shpjeguara jo nga specialist të fushës. Nuk ekziston betadinë për shpëlarje fyti, betadina është një dizifektant për plagët. Terapia dhe medikamentet merren nën këshilla mjekësore, pasi vlerësohen shenjat dhe simptomat, por mbi të gjitha kur vlerësohen parametrat jetësorë si presioni i gjakut, frekuenca kardiake, frekuenca respiratore, niveli i oksigjenit në gjak (saturimetria) që duhet të jetë në njerëzit normal nga 94-100%, në ata me patologji pulmonare jo më pak se 90%. Nëse është më poshtë këtyre shifrave i duhet dhënë oksigjen të sëmurit”, është shprehur ai.

“Nëse saturimetria e oksigjenit është 43% siç thuhet në atë mjekim mund të jetë i papërshtatshëm më me jetën, prandaj ju lutem jo terapi interneti. Mjeku i familjes, mjeku i 127, mjekët e urgjencave, specialistët si infeksionist dhe pneumolog janë profesionistët që në këtë moment mund t’ju këshillojnë pasi t’i keni kontaktuar ata. Çdo mjek që ju njihni ose keni besim në ta duhet t’i kontaktoni, të këshilloheni dhe nëse ata ju këshillojnë ose ju drejtojnë te specialistë të tjerë atëherë veproni”, ka thënë Brataj./atsh

“Jo mjekim interneti për COVID-19″/ Brataj, apel qytetarëve: Kontaktoni mjekët e familjes për këshilla Read More »

“Diskutim pozitiv në Këshillin Politik”/ I qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit, hapja e listave angazhim ndaj qytetarëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik për ndryshimet kushtetuese për Reformën Zgjedhore se PS, si forca më e madhe ka detyrimin të krijojë një proces dhe të arrijë në një rezultat, ku nëse të gjitha palët nuk janë 100% dakord me të gjitha, së paku secila nga palët të ketë pjesën e vet.

“Diskutimi ishte i gjatë, interesant. Ne sigurisht që nuk është se thamë ndonjë gjë të re. Gjëra që ju i dini, që opinioni publik i di. Kemi një qëndrim, sipas nesh, shumë të qartë. Dhe ka një realitet politik, i cili imponon një qasje që për ne është e diktuar, le të themi, si forca më e madhe, por që njëkohësisht kemi dhe detyrimin të krijojmë një proces dhe të arrijmë në një rezultat, ku nëse të gjitha palët nuk janë 100% dakord me të gjitha, së paku secila nga palët të ketë pjesën e vet”, tha Rama.

“Në këtë aspekt, – shtoi ai, – mendoj që është e rëndësishme të diskutojmë, të vazhdojmë të diskutojmë. Ne ishim gati të vazhdonim diskutimin pa ndërprerje. Domethënë që nesër. Përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare kërkuan kohë. Është në të drejtën e tyre, por ndërkohë kemi një kalendar, i cili ka një kufi të përcaktuar që është fundi i këtij sesioni parlamentar, ose, e thënë ndryshe, fundi i muajit korrik. Do shikojmë në proces. Por besoj që diskutimi ishte pozitiv”.

I pyetur nëse ka ndonjë mundësi për shtyrje në kohë të ndryshimeve kushtetuese, Rama u shpreh se, “hapja e listave tanimë për ne nuk është një variant, por është një angazhim karshi njerëzve, dhe ne si partia më e madhe dëshirojmë t’i përfshijmë qytetarët në procesin e përcaktimit të atij që do të jetë grupi ynë i nesërm parlamentar, ku patjetër ne na takon të mbrojmë atë që është një arritje e madhe e përbashkët, por që unë e konsideroj një arritje të madhe të PS, që ka qenë lokomotiva në këtë proces të rritjes së përfaqësimit të grave në parlament. Dhe nga ana tjetër, sigurisht që duhet të çojmë deri në fund për sa na takon edhe angazhimin e nënshkruar në 5 qershor. Kështu që është një proces me 2 korsi. Ku sidoqoftë stacioni është 30 korriku”.

I pyetur nëse pret që në takimet e ardhshme të jetë dhe lideri i opozitës, Rama tha se, “unë personalisht shoh se në këtë rast është shumë e rëndësishme përmbajtja e çështjes, sesa përmbajtja e delegacioneve. Është zgjedhja e opozitës jashtëparlamentare të vijë e përfaqësuar me këdo që dëshiron. Mjafton që kush vjen këtu ka një mandat përfaqësimi të opozitës jashtëparlamentare. S’ka problem për mua, është njësoj, nuk bën asnjë dallim se është Gazment Bardhi apo Lulzim Basha”.

Rama theksoi se, “5 qershori është dita e një dëshmie angazhimi të përbashkët”, duke shtuar se “nuk shoh ku është shkelja përderisa ne i qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit”.

I pyetur nëse duke dashur një konsensus të gjerë mund të bien të dyja nismat rrugës, Rama tha se, “ky është një problem i madh se ne jemi më të mëdhenjtë dhe janë dy palë më të vogla që i duan të gjitha për veten e tyre dhe nuk i hapin rrugë njëra-tjetrës, por do mundohemi të punojmë dhe do mundohemi të bindim opozitën parlamentare që duhet të jetë më fleksibël në këtë proces”.

“Mbase nuk do arrijmë dot t’i kemi të gjithë së bashku, por mbase do arrijmë që të kemi një mbështetje që të jetë e mjaftueshme. Sepse problemi këtu është se opozita parlamentare nuk është vetëm një parti politike, janë shumë parti, janë shumë individë. Kanë një qëllim të përbashkët, kanë një vijë të përcaktuar shumica dërrmuese e tyre për ndryshimet në Kushtetutë, me të cilat ne biem dakord. Sigurisht me ato modifikime që kanë ndodhur, që janë të arsyeshme në krahasim me nismën e tyre fillestare dhe pastaj në fund duhet të prevalojë ose duhet të mbizotërojë aryesja e thjeshtë që nuk mund t’i kesh të gjitha, por duhet që edhe të tjerët të marrin diçka”, u shpreh Rama.

Rama tha se “ky është një format i mirë që duhet të përpiqemi ta ruajmë dhe ta mbajmë, sepse jeta politike nuk mbaron në fund të korrikut, ajo vazhdon dhe ngado që të rrotullohesh përsëri rrugët në demokraci të çojnë në tryezë. Sado t’i marrësh malet, përsëri fundi është në tryezë. Kjo është një tryezë që ka një potencial të rëndësishëm që ne do të përpiqemi ta shfrytëzojmë”.

Për sa i përket lëshimeve, Rama tha se, “unë nuk e di se çfarë duhet të lëshojë më PS, sepse faktikisht në të gjithë këto që janë dakordësuar dhe në vetë ndryshimet kushtetuese ne kemi mbajtur një pozicion shumë të ekuilibruar, dhe me thënë të drejtën me shqetësimin që produkti të jetë sa më gjithëpërfshirës. Se po të ishte se do të shikonim thjesht interesin tonë partiak do të kishim kërkuar tjetër gjë, nuk do të kërkonim këto që janë në tryezë. Jemi partia më e madhe dhe natyrisht që mund të na interesonin të tjera ndërhyrje, por nuk jemi këtu për të bërë thjesht çfarë na intereson ne, por çfarë i intereson vendit, çfarë i intereson procesit elektoral, çfarë i intereson zgjedhësve”./atsh

“Diskutim pozitiv në Këshillin Politik”/ I qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit, hapja e listave angazhim ndaj qytetarëve Read More »