Andueli

Shkollat dhe universitetet/ Javën e ardhshme do të ketë një vendim

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se deri në fillim të javës tjetër do të kemi një vendim për shkollat dhe universitetet.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë Kryeministri Rama u shpreh se “nuk është e lehtë. Deri më sot që flasim vetëm Danimarka i ka hapur shkollat, pjesërisht edhe ajo, me të gjithë kryeministrat e tjerë që kam folur kam dëgjuar pak a shumë të njëjtën gjë, nuk e dimë ende si do të bëhet, do të shikojmë çfarë do të bëjmë javë pas jave, s’kemi deri tani asnjë konkluzion për arsimin e turizmin”.

“Mos harroni, ne kemi edhe një taksirat tjetër, pasojat e tërmetit ku kemi humbur shumë shkolla në zonën më të populluar të Shqipërisë: Tiranë, Durrës e përreth dhe kjo na i ka mbipopulluar shumë nga shkollat ekzistuese. Pra risku nëse i hapim shkollat është shumë i madh”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri tha se “ne do t’i vlerësojmë të gjitha dhe do të kemi një vendim javën e ardhshme edhe për këtë”./atsh

Shkollat dhe universitetet/ Javën e ardhshme do të ketë një vendim Read More »

“Bregdeti shqiptar, e fshehta e bukur e Europës”/ Dokumentari i televizionit publik gjerman arrin audiencë rekord

Programi i “Mare TV” këtë herë iu kushtua bregdetit shqiptar.

“Bregdeti shqiptar, e fshehta e bukur e Europës”, një dokumentar kushtuar bregdetit shqiptar ka arritur kuota rekord të këtij programi në raport me shikueshmërinë, në kuotën e 9.2 % të totalit të ndjekësve të ekraneve gjermane.

“Mare TV” është një institucion në formimin e opinionit turistik gjerman në televizionin NDR, televizioni publik gjerman për Veriun, i ndjekur kudo në Gjermani, Austri e Zvicër.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi se në kushtet e pandemisë globale, ky program është një marketing i jashtëzakonshëm i Shqipërisë turistike, për efektet e pritshme pas lirimit të masave dhe rifillimit të udhëtimeve.

Producenti lokal, gazetari Nolian Lole dhe kolegu gjerman Steffen Schneider e treguan Shqipërinë, pikërisht bregdetin jonian, nëpërmjet njerëzve që jetojnë dhe punojnë pranë detit.

“Një numër i konsiderueshëm turistësh vizitojnë vendet ku kamera e “Mare TV” shkon dhe i zbulon. Pamje të mahnitshme të brigjeve joniane janë një ftesë e hapur për shikuesit për të ardhur në Shqipëri”, thotë Klosi.

Falë audiencës rekord së këtij dokumentari, trupa e “Mare TV” thotë se po planifikon një seri të dytë të dokumentimit të bregdetit shqiptar, këtë herë nga Laguna e Karavastasë deri në kufi me Malin e Zi. /atsh

“Bregdeti shqiptar, e fshehta e bukur e Europës”/ Dokumentari i televizionit publik gjerman arrin audiencë rekord Read More »

Nesër jepet paga 40 mijë lekë për 176 mijë familje

Pagesa për të gjitha familjet që janë në vështirësi ekonomike është dyfishuar.

Kështu u shpreh Kryeministri Rama gjatë komunikimit live mesditën e sotme, ku theksoi se familjet e kanë marrë tashmë ndihmën ekonomike.

“Nuk e di ku e ke dëgjuar që do të dyfishohen pagat, nuk e kam thënë kurrë. Kam thënë që do të dyfishohet ndihma ekonomike, është dyfishuar dhe kanë marrë ndihmën ekonomike dyfish të gjitha familjet që janë me ndihmë ekonomike. Sa i përket pagave, njëra kategori, ajo që hyn në paketën e parë dhe që u mbyll me urdhër qeverie bam-bam dhe u godit bam-bam nga vala e parë, e ka marrë dhe po e merr dhe sot që flasim. Para se të vija këtu, po shkon në 50 mijë numri dhe në 2-3 ditët në vijim përfundon totalisht lëvrimi i atyre pagave prej atyre 60 e kusur mijë njerëz. Ndërkohë që nesër fillojnë pagat 400 mijë lekëshe për 176 mijë vetë. Nëse je një nga këto 176 mijë vetë, do të marrësh. Nëse nuk je në asnjë kategori, atëherë nuk do ta marrësh”, – tha Rama në përgjigje të pyetjeve të ardhura nga qytetarët. /atsh

Nesër jepet paga 40 mijë lekë për 176 mijë familje Read More »

60 infermierë në ndihmë të Italisë, Ambasada: Faleminderit Shqipëri

Ambasada italiane në Tiranë ka falënderuar Shqipërinë për ndihmën prej 60 infermierësh në luftë kundër COVID-19.

Ambasada italiane shprehet: “Faleminderit Shqipëri që kontribuove sërish për të luftuar së bashku këtë betejë!”

“Sot, 60 infermierë shqiptarë në Itali, në krye të radhës në spitalet italiane. Faleminderit!”, shprehet Ambasada.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dërguar sot drejt Italisë për t’i ndihmuar në luftë kundër COVID-19, grupin e dytë prej 60 infermierësh. /atsh

60 infermierë në ndihmë të Italisë, Ambasada: Faleminderit Shqipëri Read More »

Shqipëria, vendi më i sigurt për të bërë turizëm këtë verë!

Kryeministri Rama tha se agjenci turistike mendojnë se Shqipëria është vendi ku mund të bëhet turizëm këtë verë, pasi nuk ka probleme me COVID-19, por ne do ecim me kujdes.
Në lidhje me periudhën e turizmit dhe lehtësimit të masave për turizëm, Rama tha sonte se “kemi pas disa interesime nga Itali, Çekia, Japonia për turizëm, dhe agjenci të rëndësishme turistike mendojnë se Shqipëria është vendi më i sigurt për të bërë turizëm këtë verë se praktikisht nuk ka probleme me COVID.
Marrja e këtij vendimi është një barrë shumë e madhe, nuk di çfarë të them tani se do shikojmë dhe të tjerët”.
“Pra, do ecim me kujdes duke parë dhe të tjerët, por ne nuk jemi Reali, Barcelona, por ne do bëjmë atë që mundemi me forcat që deri tani nuk na kanë lënë në baltë dhe na shohin si shembull dhe po thonë, si po ia dalin kaq kollaj”, tha ai.

Shqipëria, vendi më i sigurt për të bërë turizëm këtë verë! Read More »

Donacioni i Serbisë për Kosovën/ BE: Shpëtimi i jetës së njerëzve s’duhet të politizohet

-Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë Nataliya Apostolova, shefat e Misioneve të BE-së, ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës dhe Norvegjisë, shefi i EULEX-it, koordinatori për Zhvillim të KB-ve, përmes një deklarate për media, u kanë bërë thirrje liderëve politikë dhe institucionalë në Kosovë që të mbështesin përpjekjet ndërkombëtare për zbutjen e ndikimit social-ekonomik të koronavirusit, dhe të përmbahen nga politizimi i ndihmës ndërkombëtare.

“Në krizën e paprecedent shëndetësore të COVID-19, ju, populli i Kosovës, po tregoni qëndrueshmëri dhe përgjegjësi. Ndërkohë që të gjithë jemi të pritje të kthimit të planifikuar me kujdes në normalitet, sa më shpejt që të jetë e mundur, këmbëngulja juaj mbetet e domosdoshme për ta zvogëluar ndikimin e shpërthimit dhe për të parandaluar një krizë edhe më të rëndë”, thuhet në deklaratë.

Më tej në deklaratë thuhet se gjatë kohës me pandemi globale, politika duhet të lihet mënjanë, dhe aktorët politikë duhet të punojnë së bashku për të siguruar që qytetarët, pa asnjë dallim, të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe mbështetjen ekonomike.

“Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal mundet vetëm ta përmirësojnë këtë përpjekje; të gjitha nismat e bashkëpunimit rajonal duhet të shihen pozitivisht. U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë dhe institucionalë në Kosovë që të mbështesin të gjitha përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për zbutjen e ndikimit social dhe ekonomik të koronavirusit, dhe të përmbahen nga politizimi i ndihmës së vlefshme dhe të nevojshme ndërkombëtare”, përfundon deklarata.

Reagimi i shefes së Zyrës së BE-së në Prishtinë Nataliya Apostolova, shefave të Misioneve të BE-së, ambasadorëve të Mbretërisë së Bashkuar, Zvicrës dhe Norvegjisë, shefit të EULEX-it, koordinatori për Zhvillim të KB-ve, vjen pas kritikave që opozita i bëri Qeverisë në detyrë për marrjen e një donacioni prej 1 mijë testeve nga Serbia kundër koronavirusit./KosovaPress/

Donacioni i Serbisë për Kosovën/ BE: Shpëtimi i jetës së njerëzve s’duhet të politizohet Read More »

Leje për mjet për punë në e-Albania/ Çfarë duhet të dinë qytetarët për aplikim të suksesshëm

Përmes portalit e-Albania u është dhënë sot përgjigje pyetjeve më të shpeshta nga qytetarët për lejet që nevojiten për mjetin e tyre për të shkuar në punë.

Pyetje të shpeshta: “Leja për mjet për punë”

1. Për çfarë shërben kjo leje?

Kjo leje shërben për të shkuar dhe për t’u kthyer nga puna me automjet ose motomjet.

2. Çdo ditë që shkoj në punë me makinë duhet të aplikoj për leje?

Jo, leja është javore. Por, vetëm nëse ju aplikoni për fashat orare: 05.00 – 08.00 dhe 16.00 – 17.30, nga e hëna në të premte.
Nëse aplikoni për orare specifike në opsionin “Punë me turne” leja është nga e hëna në të diel, sipas orareve që ju zgjidhni gjatë aplikimit për secilën prej ditëve të javës.

3. A mund të bëj pazaret me këtë leje, të shkoj në farmaci, spital apo të tjera emergjenca si këto?

Jo, me këtë leje mund të aplikoni vetëm për të shkruar në punë, pra me itinerar: Shtëpi-punë-shtëpi.

4. Nga momenti që e kam marrë, përsa kohë është e vlefshme kjo leje?

Leja brenda fashës normale 05.00 – 8.00 dhe 16.00-17.30 është e vlefshme deri të premten e asaj jave për të cilën po aplikoni.
Leja per punën me orare specifike apo të cilësuar si: “Punë me turne” jashtë fashave orare standarde vlen për 7 ditët e javës, duke nisur nga dita që po aplikon, përfshirë edhe fundjavën.

5. Po unë që e kam punën me turne?

Ju mund të aplikoni për leje në e-Albania duke klikuar opsionin “Punë me turne”, ku do t’i zgjidhni vetë oraret specifike për çdo ditë të javës.

6. Jemi disa anëtarë të familjes në punë. Kemi vetëm një makinë. A mund të udhëtojmë bashkë?

Në makinë lejohet lëvizja e jo më shumë se 2 personave. Shoferi dhe një pasagjer i ulur në sediljen e pasme, diagonal me shoferin, që mund të jetë familjar me autorizim pune ose koleg i të njëjtit vend pune.

7. Unë s’kam makinë, por dua të përdor automjetin e një të afërmi për të shkuar në punë. A e marr lejen?

Po, ju mund të përdorni automjetin e dikujt tjetër duke plotësuar targën dhe shasinë e atij automjeti.

8.Kam në përdorim automjet dhe motoçikletë. A mund të marr leje per të dyja?

Jo, një person mund të marrë leje vetëm për 1 automjet ose motoçikletë.

9. Si bëhet aplikimi për leje me mesazh të thjeshtë?

Modeli, që duhet të ndjek. Formatet e mesazheve janë 4, sipas specifikës së aplikuesit:

Shtetas shqiptar, targë shqiptare:
M TARGË SHASI NID

Shtetas i huaj, targë e huaj:
MF F TARGË NID

Shtetas shqiptar, targë e huaj:
MF TARGË NID

Shtetas i huaj, targe shqiptare:
M F TARGË SHASI NID

10. Kur e marr përgjigjen nëse aplikoj për leje, përmes e-Albania?

Nëse aplikon për leje nga e-Albania, përgjigja miratuese do t’ju vijë në moment në e-mail apo në numrin e telefonit që keni regjistruar në portal.

11. Po kur aplikoj me SMS, për sa kohë më vjen përgjigja miratuese?

Pas aplikimit me SMS në numrin: 55155, përgjigja do t’ju mbërrijë brenda 24 orësh.

12. Sa persona mund të marr me vete në makinë?
Vetëm 1 person, familjar me autorizim pune ose nje koleg në të njëjtin vend pune me ju.

13. Po unë që punoj me turne, edhe ditën e shtunë, a përfitoj nga “Leja për automjet”?

Po, pasi identifikoheni në portalin e-Albania dhe futeni tek shërbimi “Leje për automjet”, ju duhet të zgjidhni opsionin “Punë me turne” dhe të plotësonj oraret specifike për çdo ditë të javës, nga e hëna në të diel.

14. A do të jenë të vlefshme autorizimet e lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, deri më tani?

Të gjitha autorizimet e marra deri tani përmes e-mail nga Policia e Shtetit janë të vlefshme edhe për javën e ardhshme (20-26 prill).
Për lejet pas datës 26 prill, ju duhet të riaplikoni sërish pranë e-Albania./atsh

Leje për mjet për punë në e-Albania/ Çfarë duhet të dinë qytetarët për aplikim të suksesshëm Read More »

“Do fitojmë”, mesazhi i ekipit mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi” në këtë ditë shprese

Ekipi mjekësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” që sot janë në vijën e parë duke u përballur me luftën kundër COVID-19, përcollën një mesazh shprese në këtë ditë të Pashkës Ortodokse.

“Do fitojmë“, ishte mesazhi i shpresës që ata përcjellin te çdo qytetar.

Mesazhi i ekipit shëndetësor u përcoll nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Do fitojmë“. Mesazhi i ekipit mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”, që përballen me rastet e vështira me COVID-19 në këtë ditë shprese”, tha ministrja Manastirliu , teksa publikoi foton e ekipit./atsh

“Do fitojmë”, mesazhi i ekipit mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi” në këtë ditë shprese Read More »