Andueli

Basha në protestë me Aleancën, rindërtimi i Teatrit një zotim që do e bëj realitet

Partia Demokratike do ti bashkohet protestës së thirrur nga Aleanca Për Mbrojtjen e Teatrit që do të zhvillohet të hënën në ora 16:30 në Tiranë.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në përfundim të mbledhjes me kryesinë dhe ish-grupin parlamentar të Partisë Demokratike, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkohen në protestën e ditës së hënë në orën 16:30 që është thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka shpallur një protest për ditën e nesërme në orën 16:30 dhe ka kërkuar pjesëmarrjen sa më të madhe të qytetarëve dhe është vendim i lidershipit të PD për t’i bërë thirrje të gjithë demokratëve shqiptarë, të gjithë opozitarëve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë që të jemi në protest në mbështetje të aleancës, kundër këtij akti makabër në shkelje flagrante të kushtetutës dhe ligjit. Në një protest jo vetëm në mbrojtje të teatrit, por kundër shkeljes së ligjit, mjerimit ekonomik, që janë veprat e keqbërësit që është Edi Rama”,- tha Basha.

“Në mbledhjen e sotme janë ndarë detyrat për të siguruar pjesëmarrjen maksimale për tu angazhuar në këtë protest në orën 16:30 e cila ndonëse si shkak mbetet prishja e teatrit kombëtarë, ka për detyrë diçka shumë më të madhe që u takon të gjithë shqiptarëve, rikthimin tek vlerat elementare të Demokracisë të shtetit të së drejtësi dhe garancisë së sigurive të qytetarëve shqiptarë. Këto do të jenë të mundura kur Shqipëria ti kthehet qytetarëve të saj.”,- u shpreh Basha.

Kreu i Demokratëve garantoi se me të ardhur në qeveri do të rindërtoj Teatrin Kombëtar me arkitekturën e saj tradicionale, por me një mjedis të brendshëm të modernizuar.

“Gjej rastin të përsëris angazhimin zyrtarë të opozitës me firmën time për rindërtimin e Teatrit Kombëtar dhe jo thjesht restaurimin, por ndërtimin e plotë të Teatrit Kombëtar me parametrat e konceptuara, me modernizimin e nevojshëm brenda. Ky është një zotim, të cilin unë, personalisht dhe koalicioni opozitar, nesër në qeverisjen e vendit, do ta bëjmë realitet ”,-përfundoi Basha./atsh

Basha në protestë me Aleancën, rindërtimi i Teatrit një zotim që do e bëj realitet Read More »

Lehtësimi i masave, ISHP apel qytetarëve: Respektoni rregullat e distancimit social

Me lehtësimin e masave shtrënguese është shumë e rëndësishme që secili prej nesh të tregojë kujdes maksimal për të ruajtur veten dhe të tjerët.

Instituti i Shëndetit Publik apelon qytetarët të respektojnë rregullat e distancimit social.

“Respektoni rregullat e distancimit social duke qëndruar në shtëpi, nëse dilni jashtë mbani një distancë të caktuar, më shumë se një metër nga njerëzit e tjerë, veçanërisht kur kolliten ose teshtijnë”, thuhet në mesazhin që ISHP iu drejton qytetarëve.

Po ashtu, ISHP apelon qytetarët të mënjanojnë kontaktet e ngushta dhe praktikojnë higjienën respiratore.

“ Lani shpesh duart për të paktën 20 sekonda. Mos prekni me duar sytë, gojën dhe hundën”, informon ISHP./atsh

Lehtësimi i masave, ISHP apel qytetarëve: Respektoni rregullat e distancimit social Read More »

Faqja e njohur italiane: Turizmi në Shqipëri do të jetë një histori suksesi

Në prag të sezonit veror dhe me një turizëm global në pikëpyetje për shkak të pandemisë, ne parashikojmë një të ardhme të suksesshme për turizmin shqiptar, shkruan Sara Perico e vadoinalbania.it, një operator turistik që promovon Shqipërinë në Itali dhe që kryesisht është i përqendruar në turizmin kulturor, natyralist dhe mjedisor.

”Në janar ishim bërë tashmë gati për sezonin, të karikuar dhe plot entuziazëm.

Programi ynë i tureve dhe ekskursioneve ishte i mbushur me propozime, njëri më interesant se tjetri dhe, gjithashtu, kishim gati edhe një gamë të gjerë hotelesh e apartamentesh për pushime.

Një punë përzgjedhëse e shkëlqyer e strukturave dhe burimeve, e bëre me kujdes dhe përpikmëri për të ofruar më të mirën, sepse ky është misioni dhe qëllimi ynë kryesor.

Ky vit, përsërisnim gjithmonë me vete, do të jetë vit i mrekullueshëm për Shqipërinë, do të jetë viti i suksesit, viti i ngritjes së pandalshme, vit në të cilin Shqipëria do t’i bashkohet përfundimisht destinacioneve më të parapëlqyera mesdhetare.

Ne ishim aq të lumtur dhe plot energji, me panaire, katalogë, bashkëpunime, sa nuk u ndalëm për asnjë çast.

Në fund të shtatorit, ne mbyllëm turneun e fundit në grup të sezonit dhe para mesit të tetorit kishim filluar të planifikonim për vitin 2020.

Dhe shifrat na dhanë shpejt të drejtë; shumë vizita në faqen e internetit dhe në janar kërkesat për kuotat ishin kaq shumë, saqë mezi arrinim t’i ndiqnim. Edhe konfirmimet e para erdhën shumë herët dhe shumë më të shumta se vitin e kaluar.

Me pak fjalë, parashikohej një sukses i paparë.

Pastaj erdhi ai, ashtu krejt papritur, si një tornado. Ky COVID-19 na zuri të gjithëve në befasi, si në nivel njerëzor, ashtu edhe në atë professional.

Në pak javë, ai u bë protagonisti i maktheve tona më të këqija, na hodhi në një det trishtimi, frike, zemërimi, pasigurie, dëshpërimi dhe melankolie.

Edhe ne u tronditëm, do të ishte marrëzi ta mohonim atë.

Datat e para të udhëtimeve tona me nisje të garantuar u anuluan, grupet private që duhej të nisnin në prill u shtynë në një datë të pacaktuar dhe kërkesat u ndërprenë befas për javë të tëra.

Dhe kështu, i gjithë sektori i turizmit, që është ndër më të dëmtuarit në botë dhe në të gjitha nivelet, nga agjencia më e vogël lokale e udhëtimeve deri te kompanitë e mëdha të menaxhimit të ushtëtimeve ndërkombëtare, të gjithë do të vuajnë për një kohë të gjatë.

Por, ajo që nuk ka munguar kurrë është shpresa që na mban gjithmonë në një nivel të lartë entuziazmi dhe dëshire për të filluar nga e para.

Na duket vetja si në vijën e nisjes, me një këmbë te frenat dhe tjetrën te gazi, gati për t’u nisur!

Të ushqyer nga shpresa se Shqipëria e ka përballuar mirë pandeminë, pjesërisht falë faktit që ka pak zona me dendësi të lartë të popullsisë, falë gatishmërisë vendimmarrëse të qeverisë dhe pjesërisht, kjo duhet pranuar, falë edhe pjesëmarrjes bashkëpunuese të popullatës.

Por çfarë do të ndodhë pas një, dy apo tre muajsh, këtë ne nuk e dimë.

Si do të shkojë kjo verë 2020, që tashmë e kemi në prag, kjo është një e panjohur e vërtetë.

Ajo që dimë është se, sido që të shkojë, viti 2020 është dhe do të mbetet viti i suksesit të madh të turizmit në Shqipëri, viti i shumë kërkesave, viti i hyrjes në mesin e destinacioneve më të kërkuara, viti i marrjes së shpërblimit!

Fakti që ky sukses u mbyt pjesërisht nga forca madhore, nuk do të thotë se nuk është një sukses, nuk do të thotë se kemi humbur gjithçka, nuk do të thotë se dëshira për të vizituar këtë vend të bukur është zvogëluar, përkundrazi, besoj se pas rimëkëmbjes Shqipëria do të dalë fitimtare, sepse gjatë kësaj periudhe të vështirë ka treguar se është në gjendje të përballojë situatat e urgjencës në një mënyrë pragmatike dhe vendimtare dhe ka treguar vazhdimisht se ka një zemër të mrekullueshme.

Pra, sido që të shkojë, tashmë Shqipëria është një histori suksesi!./atsh

Faqja e njohur italiane: Turizmi në Shqipëri do të jetë një histori suksesi Read More »

Meta reagon pas shembjes së Teatrit: Një krim kushtetues dhe ligjor

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Meta shprehet se “pak orë më parë, në kulmin e errësirës, mafia urdhëroi shkatërrimin, jo vetëm të një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”.

“Dhunimi i njëkohshëm i artistëve dhe gazetarëve është një damkë e zezë për mafien në pushtet”, shprehet ai.

Po ashtu, Meta thekson se “kjo pamje do kujtohet njësoj si kazmat e diktaturës në ‘67 mbi kishat dhe xhamitë. Ky është një krim kushtetues, ligjor dhe moral i paamnistueshëm”./atsh

Meta reagon pas shembjes së Teatrit: Një krim kushtetues dhe ligjor Read More »

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, Policia e Shtetit apelon qyetarët të shmnagin përplajsen me forcat e rendit që janë në krye të detyrës

Policia e Shtetit bën të ditur se “me kërkesë nga Inspektoriati i Mbrojtjes se Territorit i Bashkisë Tiranë, forca të Policisë së Shtetit janë në mbështetje të aksionit të nisur që në orët e para të mëngjesit të sotëm për zbatimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për t’i hapur rrugë projektit të ri për rindërtimin e tij”.

Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit deklaron se gjatë aksionit në terren janë shoqëruar 37 persona, të cilët kundërshtuan me forcë apo tentuan të pengonin autoritetet në zbatimin e vendimit.

Më tej, informohet se Policia e Shtetit po vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë.

“Policia e Shtetit kujton qytetarët dhe drejtuesit politikë, se tubimet apo grumbullimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID-19. Mosrespektimi i distancës sociale rrezikon gjithë përpjekjen disa javore të gjithë qytetarëve, të cilët kanë respektuar me rigorozitet udhëzimet”, citohet deklarata e Policisë.

Gjithashtu, Policia apelon fort për këdo që të shmangë përplasjen me forcat e rendit që janë në krye të detyrës.

Sipas Policisë, në spitalin e traumës një punonjës policie është duke marrë ndihmë mjekësore, pasi është goditur me sende të forta nga tubuesit./atsh

Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, Policia e Shtetit apelon qyetarët të shmnagin përplajsen me forcat e rendit që janë në krye të detyrës Read More »

Parashikimi i motit

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën e sotme parashikohet me alternime vranësirash shtresore të larta dhe intervale me diell.

Parashikohet prani grimcash pluhuri dhe rëre në pjesën më të madhe të vendit dhe zagushi për shkak të të tyre.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje – Veriperëndim dhe shpejtësi 1-10 m/s. Valëzimi i forcës parashikohet 1-2 ballë duke u shoqëruar me lartësi dallge 0.8-1.5 metër.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 18/28 Diell re
Kukës 21/30 Diell re
Lezhë 17/29 Diell re
Dibër 20/31 Diell re
Durrës 20/30 Diell re
Tiranë 21/34 Diell re
Elbasan 19/34 Diell re
Berat 20/34 Diell re
Vlorë 22/32 Diell re
Korcë 18/29 Diell re
Gjirokastër 16/32 Diell re
Sarandë 22/31 Diell re

Parashikimi i motit Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 17 raste të reja, shkon në 933 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se në 24 orët e fundit janë identifikuar 17 raste të reja me COVID.

Rovena Daja, eksperte pranë ISHP u shpreh se “janë testuar 306 qytetarë të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 17 qytetarë. Mes të testuarve janë 48 personel shëndetësor të cilët kanë rezultuar të gjithë negativë për COVID-19.

Rastet e reja janë të përqendruara në zonën Tiranë-Durrës, përkatësisht 8 në Tiranë, 8 në Durrës dhe 1 në Krujë, kryesisht kontakte të rasteve pozitive të mëparshme, por edhe raste të reja për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik. Ndërsa të shëruar në 24 orët e fundit janë 9 qytetarë”.

Sipas saj, rastet e reja të rritura për të tretën ditë radhazi tregojnë qartë se kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë.
Deri më sot janë kryer mbi 12 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 933 qytetarë./atsh

Ministria e Shëndetësisë: 17 raste të reja, shkon në 933 numri i të prekurve Read More »

Gjithçka e hapur nga e hëna veç transportit publik, ISHP apel qytetarëve: Zbatoni masat dhe shmangni daljet e panevojshme

Nga e hëna të gjitha aktivitetet në vend do të jenë të hapura, përveç transportit publik, si dhe aktiviteteve social-kulturore e sportive në ambiente të mbyllura.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në këto kushte u bën thirrje qytetarëve të vijojnë me zbatimin me rigorozitet të masave për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

“Në këtë situatë të lehtësimit të masave, kemi rritur vigjilencën për gjurmimin, testimin dhe identifikimin në kohë të rasteve të dyshuara me COVID-19 si dhe kontakteve të tyre, në mënyrë që situata të vazhdojë të mbahet në kontroll. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdoni të respektoni distancimin fizik dhe të mbani higjienën personale”, bën të ditur ISHP-ja.

ISHP gjithashtu këshillon qytetarët që të shmangen sa më shumë daljen e panevojshme dhe nëse kanë mundësi të bëjnë furnizimet e pazareve për një javë në mënyrë që të shmangen kontaktet dhe grumbullimet në markete e tregje, ndërsa distancimi fizik prej të paktën 1 metër duhet të jetë gjithmonë i pranishëm.

Të hënën në mbarë vendin do të lejohet edhe hapja e bareve dhe restorante pas 2 muajsh të mbyllura, ndërsa subjektet janë njohur edhe me protokollet për parandalimin e infeksionit.

Autoritetet kanë paralajmëruar kontrolle të rrepta për zbatimin e këtyre protokolleve. /atsh

Gjithçka e hapur nga e hëna veç transportit publik, ISHP apel qytetarëve: Zbatoni masat dhe shmangni daljet e panevojshme Read More »