Andueli

Kjo java e fundit e kufizimeve dhe orareve, në fuqi edhe dy fundjava pa makina për t’u rikthyer në tetor

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kjo do të jetë java e fundit e kufizimeve dhe orareve në Tiranë dhe në qytetet tona”.

Gjatë një komunikim, Kryeministri theksoi se “fundjava pa makina mbetet në fuqi edhe dy të shtuna e të diela”.

“Për t’u rikthyer pas sezonit të verës çdo të diel minimalisht, nga tetori deri në marsin e ardhshëm si një moment i përjavshëm kushtuar ajrit pa tym makinash, familjeve, të moshuarve, fëmijëve dhe mjedisit tonë”, tha Rama.

Kryeministri ftoi qytetarët që “të vazhdojmë të ecim së bashku duke kuruar plagën e hapur të ekonomisë nga kjo pandemi pa lejuar që shëndeti ynë të preket”./atsh

Kjo java e fundit e kufizimeve dhe orareve, në fuqi edhe dy fundjava pa makina për t’u rikthyer në tetor Read More »

Lehtësimi i masave/ Qytetarët, edhe më shumë përgjegjësi për të ruajtur veten dhe të tjerët

Në kushtet e lehtësimit të masave, zgjerimit të fashave orare të lëvizjes, heqjes së të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe përgjegjësia e çdo qytetari për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të respektojnë distancimin fizik dhe të ruajnë higjienën personale.

Institucionet dhe bizneset duhet të zbatojnë protokollet strikte për parandalimin COVID-19.

Ministria këshillon qytetarët që të qëndrojnë të sigurtë, nëse duhet të dalin nga shtëpia për qëllime thelbësore, sikurse janë vajtja në pazar apo farmaci.

Nëse është e mundur këshillohet të kufizohen daljet duke provuar mundësitë online.

Po ashtu, këshillohet të vizitoni sa më pak vende të jetë e mundur si dhe kryerja e furnizimeve për të paktën një jave.

Këshillohet mbajtja e distancës prej të paktën 1 metër dhe larja e shpeshtë e duarve./atsh

Lehtësimi i masave/ Qytetarët, edhe më shumë përgjegjësi për të ruajtur veten dhe të tjerët Read More »

Fitër Bajrami/ Basha: Gëzuar festën e madhe të shpresës dhe besimit

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit.

“Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin, festën e madhe të shpresës dhe besimit”, shprehet Basha në mesazhin e urimit.

“Koha që po kalojmë është plot sprova të mëdha për çdo shqiptar. Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, forca e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë.Bashkoj lutjet e mija me të gjithë besimtarët, në veçanti për çdo bashkëqytetar në vështirësi e pamundësi, për ata që lëngojnë e kanë nevojë për dritën në fund të tunelit, për prindërit dhe për fëmijët tanë e për mbarë kombin tonë, me këtë sure me titullin kuptimplotë Shndritja:”Si kur shndrin dielli i mesditës, ashtu dhe natën kur terri bie, Zoti yt nuk të ka braktisur, as zemëruar me ty nuk është. Dhe patjetër çfarë po vjen, Për ty më mirë do të jetë se çfarë po shkon, dhe Zoti duarplot do të jetë me ty, e ti i lumtur”, tha Basha.

“Zoti ju dhëntë begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, përfundoi Basha urimin e tij për festën e Fitër Bajramit./atsh

Fitër Bajrami/ Basha: Gëzuar festën e madhe të shpresës dhe besimit Read More »

Faqja e njohur e turizmit: Shqipëria? Thjesht fantastike!

Ndërkohë që nuk është më aq e sigurt të udhëtosh në disa nga destinacionet e parapëlqyera për pushime në bregun juglindor të detit Mesdhe, njerëzit po kërkojnë një alternative të mirë dhe shumë prej tyre kanë vendosur të vizitojnë Shqipërinë dhe unë jam padyshim një përkrahëse e madhe e kësaj ideje, shkruan blogerja Kamila Napora për faqen e njohur polake të turizmit mywanderlust.pl.

Bregdeti shqiptar është spektakolar dhe plazhi i Ksamil është tashmë një perlë me famë botërore, por vendi ka shumë më tepër për të ofruar se sa nga disa vendet kryesore të Ballkanit.

Qytete të bukura prej guri, mrekulli spektakolare të natyrës, male që të lënë pa frymë dhe një kryeqytet shokues. Mund t’i shihni të gjitha nëse vendosni të vizitoni Shqipërinë!

Udhëtim vetëm nëpër Shqipëri

Herën e dytë në Shqipëri, unë kam udhëtuar vetëm. Jam ndjerë vërtet e sigurt gjatë gjithë kohës. Njerëzit ishin me të vërtetë miqësorë, mikpritës dhe të ndihmonin kur ishte e nevojshme.

Disa nga miqtë e mi kanë udhëtuar vetëm përreth Shqipërisë dhe thonë vetëm fjalë të mira në lidhje me të!

Turizmi në Shqipëri/ Çfarë të vizitosh?

Gjatë dy udhëtimeve të mia në vend, kam vizituar vendet më të mira që ofron turizmi në Shqipëri. Sinqerisht mund të them se i kam shijuar të gjitha dhe jua rekomandoj ata!

Të dyja herë kam shkuar në vjeshtë (fillimi i tetorit dhe mesi i nëntorit) dhe mund të rekomandoj patjetër këtë kohë të vitit!

Moti është akoma me të vërtetë i mirë, turmat e pushuesve verorë janë zhdukur dhe mund të gjesh lehtë strehim të lirë ose të udhëtosh mes vendeve. Vjeshta është koha për të vizituar Shqipërinë!

Tirana

Tirana m’u duk jashtëzakonisht e lezetshme dhe vërtet e shijova kohën time atje!

Atmosfera është një nga më të mirat që kam hasur ndonjëherë!

Ajo është njëkohësisht e çuditshme dhe magjepsëse. Dhe super shumëngjyrëshe!

Edhe pse boja e ndërtesave dalëngadalë po venitet, përshtypja e përgjithshme mbetet ende vezulluese!

Tirana dhe veçanërisht lagjja e saj, Blloku, është shtëpia e një prej kulturave më të mira të kafeneve që kam hasur ndonjëherë dhe kjo është tashmë një arsye e mirë për të kaluar ca kohë atje!

Berati

Berati është vendi i parë që kam vizituar në Shqipëri dhe nuk mund të kërkoja një prezantim më të mirë, veçanërisht, pasi është edhe në listën e UNESCO-s.

Qyteti shpesh quhet “qyteti i një mbi një dritareve” dhe e ka marrë këtë titull ngaqë shtëpi të shumta të bukura, me dritare të mëdha, janë të vendosura mbi njëra-tjetrën duke të krijuar këtë përshtypje.

Ia vlen të ngjitesh, gjithashtu, deri te kalaja, sepse pamjet e Beratit dhe rrethinave të tij prej andej janë vërtet të jashtëzakonshme!

Gjirokastra

Ndërsa Berati quhet qyteti i 1 000 dritareve, Gjirokastra ka një titull tjetër, atë të qytetit të 1 000 shkallëve.

Vetë Gjirokastra është një qytet i bukur i gurtë, ku koha duket se ka ndalur.

Së bashku me Beratin, Gjirokastra është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ksamili

Një perlë e vërtetë e bregdetit shqiptar, Ksamil konsiderohet si një nga plazhet më të bukura në Shqipëri.

Uji i bruztë, plazhi me rërë të imët dhe ishujt e afërt e bëjnë Ksamilin të duket si një parajsë.

Butrinti

Vetëm pesë kilometra larg Ksamilit, do të gjeni Butrintin, një tjetër vend i listuar në UNESCO.

Ky vendbanim i lashtë, që daton nga shekulli i VIII-të para Krishtit, është një vend me të vërtetë magjepsës, me aq shumë mbetje të së kaluarës, saqë do t’ju mbajë të zënë për disa orë.

Nëse jeni adhurues i historisë, keni për ta pëlqyer atë!

Saranda

Në fillim, mund të duket si një vend pushimi jotërheqës bregdetar, me asgjë tjetër përveç betonit, por Saranda mund të jetë shumë më interesante nga sa duket.

Nëse po kërkoni destinacionin e pushimeve gjallëruese, kjo është përgjigjja juaj shqiptare.

Pogradeci

Liqeni i Ohrit është një nga vendet më të bukura që kam parë në Ballkan.

Pjesa shqiptare e tij, me malet madhështore në sfond, duket e mrekullueshme.

Restorantet e shumta janë një mundësi e shkëlqyer për të shijuar një drekë me pamje mahnitëse.

Liqeni i Komanit

Udhëtimi nëpër Liqenin e Komanit është në krye të listës sime të udhëtimeve të ardhshme në Shqipëri.

Disa e quajnë atë më të bukurin në botë dhe, edhe pse unë zakonisht jam paksa skeptike kundrejt emërtimeve të tilla, ky vend me të vërtetë duket i mahnitshëm në foto!

Me tërë ato kthesa, shkëmbinj e ujëvara duket si fjordet e Norvegjisë.

Valbona dhe Thethi

Këto janë dy nga fshatrat malorë më të rëndësishëm dhe më të bukur në Shqipëri.

Të vendosur në të dy anët e Alpeve Shqiptare, ata duken kaq të virgjër, kaq të pastër dhe kaq të bukur!

Shkodra

Liqenin i Shkodrës, më i madhi në Ballkan, më ka vjedhur zemrën. Ai është aq qetë dhe i pacënuar, saqë do të qëndroja atje me javë të tëra!

Por edhe vetë qyteti është vërtet interesant, me Kalanë e Rozafës dhe qendrën plot gjallëri.

Syri i Kaltër

Disa minuta larg rrugës Sarandë – Gjirokastër, ky burim i virgjër është një parajsë e vërtetë, me ujëra të kthjellët blu dhe shelgje lotues për hije.

Ai është vendi i përsosur në ditët e nxehta të verës, një përhumbje e përsosur në natyrë.

Kruja

Sigurisht, kështjella është një vend vërtet mbresëlënës, i rrethuar nga male, por arsyeja kryesore pse duhet të vizitoni Krujën është pazari i saj. Ai konsiderohet të jetë më i miri në Shqipëri për blerje suveniresh./atsh

Faqja e njohur e turizmit: Shqipëria? Thjesht fantastike! Read More »

Aktori Fino për ATSH-në: I vonuar ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, shpresoj që amaneti i ikonave të artit të plotësohet sa më shpejt

Aktori Helidon Fino, një emër i vlerësuar nga publiku për kontributin dhe artin në skenën e Teatrit Kombëtar në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se ndërtimi i një teatri të ri është i vonuar.

Prej më shumë se 25 vitesh, i rritur në Teatrin Kombëtar, Fino thotë se prej shumë kohësh artistët kanë merituar të performojnë në skenë dinjitoze.

“Absolutisht që po, besoj që askush nuk është kundra ndërtimit të një teatri të ri dhe për mendimin tim teatri i ri me të gjitha parametrat bashkëkohorë është vonuar shumë. Unë kam filluar punë në Teatrin Kombëtar në 1995, pra prej 25 vitesh kam qenë mjaft aktiv në skenën e atij teatri dhe e njihja mirë atë godinë me të gjitha problematikat e saj. Megjithatë, në atë skenë janë vënë shfaqje të mëdha dhe dinjitoze falë përkushtimit dhe pasionit të trupës artistike të historisë të teatrit dhe brezave aktualë”, tha aktori Fino për ATSH-në.

“Ajo që mund të them thjesht si aktor, jashtë debateve rreth vlerave historike dhe arkitekturore të asaj godine, për të cilat le të flasin kompetentët, një teatër i ri me të gjitha parametra bashkëkohorë, duhej patjetër në të tashmen që jemi dhe për të ardhmen. Nëse prej shumë kohësh tashmë është treguar një neglizhencë dhe papërgjegjshmëri ndaj nevojave të artistëve në përgjithësi dhe teatrit veçanërisht, është koha që me ndërtimin e teatrit ashtu siç duhet dhe pa abuzime të tregojnë përgjegjshmëri. Përndryshe, do të duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe historike” -u shpreh Fino për ATSH-në.

Sipas tij, Shqipëria dhe Tirana prej vitesh e ka pasur të nevojshme ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar.

“Shqipëria dhe Tirana prej vitesh kanë pasur nevojë për një teatër të ri me parametra bashkëkohorë. Të gjithë artistët duan të punojnë në kushte normale dhe standarde bazike, duan të performojnë në skena të bukura, të ngrohta, dhe me detaje teknike që nuk kufizojnë kreativitetin artistik. Është përsëritur shumë këto kohë që kemi punuar në atë godinë në temperatura të vështira dhe të papërshtatshme, si dhe shumë problematika të tjera, dhe ky është fakt dhe i pakundërshtueshëm. Prandaj them që është humbur kohë deri tani dhe mjaft më me shpërbërje dhe armiqësi brenda komunitetit ndërkohë që interesi ynë i vetëm duhet të jetë nxitja dhe vënia përpara përgjegjësisë autoritetet përkatëse për realizimin e teatrit të ri të vonuar”.

Amanetin e ikonave të artit shqiptar që nuk janë më mes nesh për pasjen e një teatri të ri, Helidon Fino e solli në mënyrë biblike.

“Më vjen keq për mënyrën se si janë përdorur emrat e ikonave të skenës së teatrit këto kohë. Është fakt dhe i trishtë madje që artistët rrallë herë janë kuptuar drejt nga shoqëria. Po, do të doja që dhe me ndihmën e Zotit amaneti i tyre të plotësohet sa më shpejt”. /atsh

Aktori Fino për ATSH-në: I vonuar ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar, shpresoj që amaneti i ikonave të artit të plotësohet sa më shpejt Read More »

Braçe: Reforma në Drejtësi, angazhimi më i madh i PS-së në 30 vite

Zëvendëskryeministri Erion Braçe duke përkujtuar sot 28 vjetorin e vrasjes së gjykatësit të njohur italian Giovanni Falcone, u shpreh se, “Reforma në Drejtësi është angazhimi më i madh i Partisë Socialiste në 30 vite”.

Në një reagim, zv/kryeministri Braçe thekson se, “Reforma në Drejtësi, frymëzimi i vetëm për t’u marrë ende me politikë”.

“Kam zgjedhur të them disa fjalë sot, në ditën kur mafia vrau barbarisht një gjykatës simbol të luftës kundër saj, një frymëzim Giovani Falcone dhe, në javën që më kujton hyrjen në politikë përmes barbarisë me të drejtën jetike për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, në fund maj 1996-26 maj; për Reformën në Drejtësi. Reforma në Drejtësi është angazhimi më i madh i Partisë Socialiste në 30 vite! E nisëm vetëm, falë kurajos se burrave e grave të votuar për të sanksionuar realisht drejtësinë e barabartë si palcën e një shoqërie ku pabarazia e padrejtësia, kanë krijuar statuse të turpshme duke ndarë qytetarët në të hetueshëm, gjykueshëm, dënueshëm dhe në të pahetueshëm, pagjykueshëm, padënueshëm-një pakicë politikanësh, qeveritarësh, biznesmenësh, kriminelësh, prokurorësh e gjykatësish, bërë bashkë në një sistem sa tallës, po aq të dhunshëm e kriminal”, tha ai.

Braçe shprehet se “kërkuam partnerë kombëtarë në politikë, duke besuar se çdo njeri prej tyre kish kuptuar se zullumi ishte trashur aq shume sa s’kishte. Bëmë përpjekje shpesh edhe qesharake për t’u nxjerrë frikën-atyre e jo vetëm, duke besuar se drejtësia e barabartë, e pastër e profesionale për të gjithë, është shumë më mirë se ajo e kontrolluara që nuk të heton, as gjykon, si shenjë e pushtetit tënd të fortë por që të mban varur e kurrë të qetë për një krim të kryer e te pa hetuar, gjykuar, dënuar. Nuk i patëm kurrë partnerë, nuk i kemi as sot! Përkundrazi, luftëtarë dje e luftëtarë sot kundër Reformës në Drejtësi! Lumturisht gjetëm partnerë SHBA e BE, ata asistuan, mbështetën, mbikëqyrën në çdo kohë reformën e plotë e po e bëjnë edhe tani gjatë zbatimit te saj! Në qershor 2017 në jemi votuar për reformën në drejtësi, atë që kishim bërë deri atëherë dhe atë që do vijonim të bënim për drejtësinë e barabartë! Nën mandat prej atyre votave, unë nuk e harroj kurrë këtë!”.

“Reforma në Drejtësi ka disa shtylla bazë; pastrimin e sistemit te drejtësisë nga prokurorë e gjyqtarë të varur e të korruptuar, ngritjen e institucioneve të qeverisjes së drejtësisë, jo nga politika- presidenti, qeveria, kuvendi/deputetët/mazhoranca, emërimin e prokuroreve nga institucionet e drejtësisë, jo nga politika-presidenti, qeveria,kuvendi, deputetët, mazhoranca, hetimin penal të çdo prokurori e gjykatësi të gjetur në shkelje të ligjit për pasurinë e jo vetëm”, tha Braçe./atsh

Braçe: Reforma në Drejtësi, angazhimi më i madh i PS-së në 30 vite Read More »

Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, diskutim për shëndetin mendor gjatë pandemisë

Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane i kushtoi rëndësi ndikimit të COVID-19 në shëndetin mendor, duke folur mbi praktika më të mira që duhet të ndiqen për ta kaluar këtë situatë sa më lehtë.

Maji është muaji i Ndërgjegjësimit të Shëndetit Mendor dhe në kohën e COVID-19, ngritja e kësaj çështjeje ka rëndësi akoma më të madhe.

Për këtë arsye, Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, gjatë serisë së tyre “Youth Talk” me Ela Tollkuçi, psikologe dhe profesoreshë në një universitet shqiptar, biseduan mbi shëndetin mendor gjatë pandemisë, sidomos tek të rinjtë.

Ata diskutuan mbi mënyrat se si mund t’i jepet fund stigmës që lidhet me shëndetin mendor dhe mbi praktika më të mira që ne të gjithë duhet të ndjekim për ta kaluar këtë situatë sa më lehtë./atsh

Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, diskutim për shëndetin mendor gjatë pandemisë Read More »

Nëse Shqipëria do të sillej si Suedia, do të kishim mbi 9 mijë raste dhe mbi 1 mijë të vdekur

Ish- ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka bërë një analizë lidhur me masat e marra nga qeveria në luftën ndaj COVID-19 dhe e ka krahasuar me shtetin suedez, që bëri të kundërtën e asaj ç’ka ndërmori Shqipëria.

Në analizën e bërë, deputeti i PS-së thotë se deri më tani situata ka qenë e mirë dhe kur gjërat shkojnë mbarë nuk është e udhës të lavdërohet qeveria.

Sipas tij, nëse qeverinë shqiptare nuk kanë ku të shajnë për menaxhimin e epidemisë së COVID-19, përpiqen ta shajnë për masat ekstreme shtrënguese dhe pasojat e këtyre masave në ekonomi. Apo për mbështetjen jo të mjaftueshme financiare që ka dhënë për të lehtësuar pasojat negative në ekonomi, sipërmarrje, punësim, etj.

“Po hyjmë në një fazë të re të përballjes me COVID-19. Masat shtrënguese vijojnë të lehtësohen. Që prej fillimit të kësaj jave kanë rifilluar aktivitetet stërvitore sportive, kanë filluar të shërbejnë baret dhe restorantet, maturantët janë kthyer në bankat e shkollës. Kufizimi më i fundit masiv mesa duket do të jetë falja e Fitër Bajramit nesër në sabah. Pas 1 jave është diskutuar se mund të fillojnë edhe çerdhet e kopshtet. Deri më tani ia kemi kaluar paq si vend. Sigurisht kur gjërat shkojnë mbarë nuk është e udhës të lavdërohet qeveria. Qeveritë janë për t’u sharë. Nëse qeverinë shqiptare nuk kanë ku të shajnë për menaxhimin e epidemisë së COVID-19, përpiqen ta shajnë për masat ekstreme shtrënguese dhe pasojat e këtyre masave në ekonomi. Apo për mbështetjen jo të mjaftueshme financiare që ka dhënë për të lehtësuar pasojat negative në ekonomi, sipërmarrje, punësim, etj”, shprehet ai.

“Midis shumë diskutimesh sillet shembulli i Suedisë e cila nuk bëri bllokim të jetës ekonomike e sociale të vendit. Suedia dhe Shqipëria kanë shumë pak gjëra të përbashkëta. Megjithatë le vendosim për një moment Shqipërinë në pasojat e Suedisë. Në 22 maj 2020, Suedia shënoi gjithsej që nga fillimi i epidemisë 32,809 raste me COVID-19 dhe 3,925 fatalitete. Për 1 milion banorë rezulton me 3,251 raste dhe 389 fatalitete”, thotë Beqaj.

Ish-ministri shton se “nëse Shqipëria do të kishte përqafuar qasjen suedeze të moskufizimeve po supozojmë se do të kishte të njëjtin efekt në pasojat në shëndetin e qytetarëve të saj. Do të kishim 9,249 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe 1,107 fatalitete. Sesi do ta kishte përjetuar shoqëria shqiptare këtë përmasë të pasojave të COV-19 në shëndetin e bashkëqytetarëve të saj nuk jam në gjendje ta përfytyroj, por meqë nuk ndodhi nuk ia vlen të zgjatemi këtu. Ndërsa histerinë e opozitës jashtëparlamentare askush nuk e ka të vështirë ta përfytyrojë”.

Duke u ndalur te situata ekonomike, deputeti i PD-së thekson se “për tremujorin e dytë 2020 parashikohet që rritje ekonomike me bazë vjetore në Suedi të jetë -12,6 % ndërsa papunësia të arrijë 9,5 %. Çfarë na thonë këto të dhëna për pasojat në ekonomi. Le të krahasojmë Suedinë me tri vendet e tjera skandinave që zbatuan masa shtrënguese që në krye të herës. Tabela në vijim tregon se nëse fatalitet për 1 milionë banorë në Suedi janë 4-10 herë më të larta se në tre vendet e tjera, rënia ekonomike në tremujorin e dytë në të katër vendet luhatet midis – 10.5 % dhe – 12.8 %”.

Sipas Beqajt, papunësia është në shifra më të larmishme, por edhe Danimarka edhe Finlanda parashikojnë shkallë papunësie më të ulët se Suedia. “Përveç Norvegjisë ka një normë shumë të lartë papunësie, të dhënat e tjera janë pak a shumë të ngjashme.

Mbetet për t’u vlerësuar se çfarë ka ndodhur me të ashtuquajturin “imuniteti i tufës”.

Ende nuk disponohen në dhëna pë testime epidemiologjike serologjike për të 4 vendet për të vlerësuar sesi mund të përgjigjet popullsia e çdo vendi përkatës në një valë të dytë të virulencës së Sars-CoV-2 që me shumë gjasë pritet të përplaset vrullshëm në Europë në vjeshtë”, sqaron Beqaj në analizën e tij./atsh

Nëse Shqipëria do të sillej si Suedia, do të kishim mbi 9 mijë raste dhe mbi 1 mijë të vdekur Read More »