Andueli

Protestuan për mbylljen e lokaleve të natës, policia procedon 12 persona

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 12 shtetas pasi organizuan një ditë më parë grumbullim dhe manifestim të paligjshëm.

Në njoftimin për shtyp, policia bën të ditur se 12 të ndaluarit, persona të identifikuar si organizatorë të këtij manifestimi të paligjshëm akuzohen për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tij.

Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 12 persona, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente.

Ata protestuan lidhur me vendimin e qeverisë për mbylljen e lokaleve të natës në kuadër të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Policia sqaron se materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 12 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të respektojnë distancimin social dhe të përdorin mjetet mbrojtëse në vendet publike, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa problematikën apo shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente. /atsh

Protestuan për mbylljen e lokaleve të natës, policia procedon 12 persona Read More »

Nuk justifikoi pasurinë/KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Niko Rapi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi shpalli sot vendimin pas procesit të rivlerësimit për gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Niko Rapi.

Trupa Gjykuese e përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Lulzim Hamitaj, Valbona Sanxhaktari pasi analizoi provat dhe faktet për subjektin e rivlerësimit Niko Rapi për tri kriteret e vlerësimit, ligjshmërinë e pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional vendosi shkarkimin e tij nga detyra, pasi nuk justifikoi pasurinë.

Niko Rapi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Pogradecit. Ai u transferua në Gjykatën e Tiranës në vitin 2016, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin./atsh

Nuk justifikoi pasurinë/KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Niko Rapi Read More »

“Jo mjekim interneti për COVID-19″/ Brataj, apel qytetarëve: Kontaktoni mjekët e familjes për këshilla

Jo mjekim interneti për COVID-19. Ky është apeli që ka bërë sot kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të mos ndjekin këshillat e internetit për mjekim kundër koronavirusit.

Ai ka marrë rastin e betadinës, duke sqaruar se ajo nuk shërben për shpëlarje fyti, por është një dezifektant për plagët.

“Përshëndetje qytetar shqiptar kudo ndodhesh. Sot po qarkullon në rrjetet sociale një mjekim apo protokoll mjekimi i cili po shpërndahet nga të gjithë personat që mendojnë se do të ndihmojnë sadopak njerzit dhe të afërmit e tyre”, ka thënë Brataj.

“Jo terapi interneti, jo terapi nga çdokush. Në atë mesazh ka gjëra mjekësore të ngatërruara, të shpjeguara jo nga specialist të fushës. Nuk ekziston betadinë për shpëlarje fyti, betadina është një dizifektant për plagët. Terapia dhe medikamentet merren nën këshilla mjekësore, pasi vlerësohen shenjat dhe simptomat, por mbi të gjitha kur vlerësohen parametrat jetësorë si presioni i gjakut, frekuenca kardiake, frekuenca respiratore, niveli i oksigjenit në gjak (saturimetria) që duhet të jetë në njerëzit normal nga 94-100%, në ata me patologji pulmonare jo më pak se 90%. Nëse është më poshtë këtyre shifrave i duhet dhënë oksigjen të sëmurit”, është shprehur ai.

“Nëse saturimetria e oksigjenit është 43% siç thuhet në atë mjekim mund të jetë i papërshtatshëm më me jetën, prandaj ju lutem jo terapi interneti. Mjeku i familjes, mjeku i 127, mjekët e urgjencave, specialistët si infeksionist dhe pneumolog janë profesionistët që në këtë moment mund t’ju këshillojnë pasi t’i keni kontaktuar ata. Çdo mjek që ju njihni ose keni besim në ta duhet t’i kontaktoni, të këshilloheni dhe nëse ata ju këshillojnë ose ju drejtojnë te specialistë të tjerë atëherë veproni”, ka thënë Brataj./atsh

“Jo mjekim interneti për COVID-19″/ Brataj, apel qytetarëve: Kontaktoni mjekët e familjes për këshilla Read More »

“Diskutim pozitiv në Këshillin Politik”/ I qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit, hapja e listave angazhim ndaj qytetarëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik për ndryshimet kushtetuese për Reformën Zgjedhore se PS, si forca më e madhe ka detyrimin të krijojë një proces dhe të arrijë në një rezultat, ku nëse të gjitha palët nuk janë 100% dakord me të gjitha, së paku secila nga palët të ketë pjesën e vet.

“Diskutimi ishte i gjatë, interesant. Ne sigurisht që nuk është se thamë ndonjë gjë të re. Gjëra që ju i dini, që opinioni publik i di. Kemi një qëndrim, sipas nesh, shumë të qartë. Dhe ka një realitet politik, i cili imponon një qasje që për ne është e diktuar, le të themi, si forca më e madhe, por që njëkohësisht kemi dhe detyrimin të krijojmë një proces dhe të arrijmë në një rezultat, ku nëse të gjitha palët nuk janë 100% dakord me të gjitha, së paku secila nga palët të ketë pjesën e vet”, tha Rama.

“Në këtë aspekt, – shtoi ai, – mendoj që është e rëndësishme të diskutojmë, të vazhdojmë të diskutojmë. Ne ishim gati të vazhdonim diskutimin pa ndërprerje. Domethënë që nesër. Përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare kërkuan kohë. Është në të drejtën e tyre, por ndërkohë kemi një kalendar, i cili ka një kufi të përcaktuar që është fundi i këtij sesioni parlamentar, ose, e thënë ndryshe, fundi i muajit korrik. Do shikojmë në proces. Por besoj që diskutimi ishte pozitiv”.

I pyetur nëse ka ndonjë mundësi për shtyrje në kohë të ndryshimeve kushtetuese, Rama u shpreh se, “hapja e listave tanimë për ne nuk është një variant, por është një angazhim karshi njerëzve, dhe ne si partia më e madhe dëshirojmë t’i përfshijmë qytetarët në procesin e përcaktimit të atij që do të jetë grupi ynë i nesërm parlamentar, ku patjetër ne na takon të mbrojmë atë që është një arritje e madhe e përbashkët, por që unë e konsideroj një arritje të madhe të PS, që ka qenë lokomotiva në këtë proces të rritjes së përfaqësimit të grave në parlament. Dhe nga ana tjetër, sigurisht që duhet të çojmë deri në fund për sa na takon edhe angazhimin e nënshkruar në 5 qershor. Kështu që është një proces me 2 korsi. Ku sidoqoftë stacioni është 30 korriku”.

I pyetur nëse pret që në takimet e ardhshme të jetë dhe lideri i opozitës, Rama tha se, “unë personalisht shoh se në këtë rast është shumë e rëndësishme përmbajtja e çështjes, sesa përmbajtja e delegacioneve. Është zgjedhja e opozitës jashtëparlamentare të vijë e përfaqësuar me këdo që dëshiron. Mjafton që kush vjen këtu ka një mandat përfaqësimi të opozitës jashtëparlamentare. S’ka problem për mua, është njësoj, nuk bën asnjë dallim se është Gazment Bardhi apo Lulzim Basha”.

Rama theksoi se, “5 qershori është dita e një dëshmie angazhimi të përbashkët”, duke shtuar se “nuk shoh ku është shkelja përderisa ne i qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit”.

I pyetur nëse duke dashur një konsensus të gjerë mund të bien të dyja nismat rrugës, Rama tha se, “ky është një problem i madh se ne jemi më të mëdhenjtë dhe janë dy palë më të vogla që i duan të gjitha për veten e tyre dhe nuk i hapin rrugë njëra-tjetrës, por do mundohemi të punojmë dhe do mundohemi të bindim opozitën parlamentare që duhet të jetë më fleksibël në këtë proces”.

“Mbase nuk do arrijmë dot t’i kemi të gjithë së bashku, por mbase do arrijmë që të kemi një mbështetje që të jetë e mjaftueshme. Sepse problemi këtu është se opozita parlamentare nuk është vetëm një parti politike, janë shumë parti, janë shumë individë. Kanë një qëllim të përbashkët, kanë një vijë të përcaktuar shumica dërrmuese e tyre për ndryshimet në Kushtetutë, me të cilat ne biem dakord. Sigurisht me ato modifikime që kanë ndodhur, që janë të arsyeshme në krahasim me nismën e tyre fillestare dhe pastaj në fund duhet të prevalojë ose duhet të mbizotërojë aryesja e thjeshtë që nuk mund t’i kesh të gjitha, por duhet që edhe të tjerët të marrin diçka”, u shpreh Rama.

Rama tha se “ky është një format i mirë që duhet të përpiqemi ta ruajmë dhe ta mbajmë, sepse jeta politike nuk mbaron në fund të korrikut, ajo vazhdon dhe ngado që të rrotullohesh përsëri rrugët në demokraci të çojnë në tryezë. Sado t’i marrësh malet, përsëri fundi është në tryezë. Kjo është një tryezë që ka një potencial të rëndësishëm që ne do të përpiqemi ta shfrytëzojmë”.

Për sa i përket lëshimeve, Rama tha se, “unë nuk e di se çfarë duhet të lëshojë më PS, sepse faktikisht në të gjithë këto që janë dakordësuar dhe në vetë ndryshimet kushtetuese ne kemi mbajtur një pozicion shumë të ekuilibruar, dhe me thënë të drejtën me shqetësimin që produkti të jetë sa më gjithëpërfshirës. Se po të ishte se do të shikonim thjesht interesin tonë partiak do të kishim kërkuar tjetër gjë, nuk do të kërkonim këto që janë në tryezë. Jemi partia më e madhe dhe natyrisht që mund të na interesonin të tjera ndërhyrje, por nuk jemi këtu për të bërë thjesht çfarë na intereson ne, por çfarë i intereson vendit, çfarë i intereson procesit elektoral, çfarë i intereson zgjedhësve”./atsh

“Diskutim pozitiv në Këshillin Politik”/ I qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit, hapja e listave angazhim ndaj qytetarëve Read More »

“Ditën e Veteranëve” /Balla: Vlerat e tyre qëndrojnë në themel të Shqipërisë sonë europiane

Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla ka shprehur vlerësime për kontributin e veteranëve të luftës në “Ditën e Veteranëve” duke i konsideruar si vlera europiane.

Balla shprehet se “ sot më 20 Korrik në “Ditën e Veteranëve” dua t’i shpreh Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare vlerësimin tonë më të lartë për kontributin që ka dhënë dhe vazhdon të japë në mbrojtjen, përhapjen dhe edukimin te brezat e rinj të idealeve e vlerave antifashiste, përpjekjeve e sakrificave të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore”.

“Këto vlera qëndrojnë në themel të Shqipërisë sonë europiane. Një komb që nderon çlirimtarët e vet, është një komb i emancipuar. Le ta tregojmë emancipimin tonë duke nderuar e respektuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, dëshmorët e heronjtë e kombit dhe familjet e tyre, veteranët e Luftës dhe pasardhësit e tyre”, shprehet ai.

Po ashtu, Balla shton se “për shkak të pandemisë urimet me drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare i shkëmbyem përmes telefonit. Gëzuar Ditën e Veteranëve” . /atsh

“Ditën e Veteranëve” /Balla: Vlerat e tyre qëndrojnë në themel të Shqipërisë sonë europiane Read More »

E vërteta e videos që po “çmend” rrjetin/ Vetëm 11 ditësh dhe me dhëmbë?

Vetëm 11 ditësh dhe goja e foshnjes është e mbushur plot me dhëmbë, apo…

Kur bebet i marrin në dorë baballarët, ndodhin situata nga më të paptirutat dhe më komiket.

Kjo është e vërteta e videos që po “çmend” rrjetet sociale.

Ai ka filmuar djalin e tij me një nga filtrat e shumtë që ofrohen nga disa aplikacione. Rezultatet? Do qeshni me lot.

E vërteta e videos që po “çmend” rrjetin/ Vetëm 11 ditësh dhe me dhëmbë? Read More »

Mjeku Dobi apel qytetarëve: Mbani maskën, ndihmoni veten dhe të tjerët për të qenë të shëndetshëm

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në kushtet e masave kundër përhapjes së pandemisë COVID-19, shprehet se, “mbajtja e barrierave mbrojtëse është e detyrueshme në ambientet e mbyllura për çdo qytetar”.

Ministria ka publikuar mesazhin sensibilizues të doktor Drini Dobi, i cili thekson rëndësinë e mbajtjes së maskës nga qytetarët për të frenuar infektimin nga COVID-19.

“Mos e konsideroni maskën si pengesë për të folur, por konsiderojeni atë si një mjet më të rëndësishëm që do t’ju lejojë të flisni lirisht me njerëzit që doni në të ardhmen!”, shprehet mjeku Dobi.

“Mbajeni maskën jo vetëm me njerëzit e panjohur, por edhe me miqtë e të afërmit tuaj në ambientet e mbyllura, sepse vetëm kështu ndihmoni ata dhe veten, për të qenë të shëndetshëm”, apelon doktori Drini Dobi, në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve. /atsh

Mjeku Dobi apel qytetarëve: Mbani maskën, ndihmoni veten dhe të tjerët për të qenë të shëndetshëm Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 82 raste të reja dhe 1 humbje jete në 24 orët e fundit

82 raste të reja me COVID-19 dhe 1 humbje jete në janë konfirmuar në 24 orët e fundit.

Rovena Daja, mjeke pranë Institutit të Shëndetit Publik, gjatë një deklarate për mediet sqaroi se gjatë 24 orëve të fundit ka humbur jetën një 69-vjeçare nga Shkodra. “I drejtohemi me një lutje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, por të respektojnë masat e vendosura. Të ruajnë distancimin fizik, të vendosin maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distance. Bizneset duhet të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.”,- tha Daja.

“Në 24 orët e fundit, nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen një 69-vjeçare nga Shkodra, e shtruar në gjendje të rëndë, megjithë trajtimin dhe përpjekjet e mëdha të stafit mjekësor.”,- sqaroi ajo.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve. Vijon të ketë shtrime të reja në të dy spitalet dhe situata paraqitet serioze. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 123 pacientë, 17 në terapi intensive dhe 1 pacient është i intubuar.”,- shton Daja.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 331 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 82 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 32 raste në Tiranë, nga 7 raste në Kavajë, Fier, 5 në Korçë, nga 4 raste Shkodër, Durrës, Elbasan, nga 3 raste në Krujë, Kurbin, nga 2 raste në Lezhë, Vlorë, Mirditë, Dibër, dhe nga 1 rast në Has, Lushnjë, Mallakastër, Kukës, Ura Vajgurore.”,- bënë me dije Daja.

“Ministria e Shëndetësisë ju drejtohet të gjithë qytetarëve të konfirmuar pozitivë me COVID-19 por që janë në kushte shtëpie, të respektojnë karantinimin e detyrueshëm, si dhe kushdo që është i dyshuar, duhet të qëndrojë i izoluar dhe të telefonojë 127 nëse ka shenja të sëmundjes.”,- shton Daja.

Ajo njofton dhe strategjinë e kontrollit të epidemisë përmes testimeve serologjike.

“Bazuar në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, e cila parashikon edhe përfshirjen e institucioneve jo-publike për rritjen e kapaciteteve për përballimin e situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet për fillimin e testimeve serologjike edhe në strukturat jo publike, me kushtin që të jenë të validuara.”,- tha Daja.

“Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren dhe të vlerësohen përsa i takon validimit dhe performancës nga Instituti i Shëndetit Publik.”,- shton Daja.

“Ndërkohë do te vijojë kryerja e testeve serologjike për personelin shëndetësor, dhe një kampionim i popullatës do të kryhet nga Instituti i Shëndetit Publik.”,- tha Daja.

COVID-19 – Statistika (19 Korrik 2020)
Testime totale 35438
Raste pozitive 4090
Raste të shëruara 2311
Raste Aktive 1667
Humbje jete 112 (Qarku Tiranë 57, Shkodër 19, Durrës 17, Fier 5, Elbasan 5, Vlorë 3, Kukës 2, Lezhë 1, Berat 1, Dibër 1, Korçë 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 787
Durrës 210
Shkodër 196
Vlorë 104
Lezhë 91
Korçë 58
Kukës 50
Elbasan 47
Fier 40
Berat 38
Dibër 26
Gjirokastër 20/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 82 raste të reja dhe 1 humbje jete në 24 orët e fundit Read More »