Lideri ndikues e pa kompromis, deshi vendin më shumë se veten. Faleminderit senatori John McCain!
Nga Edlira Gjoni
Korrikun e vitit të kaluar mora një telefonatë që hapi një kapitull të ri në jetën time: U pranova në prestigjiozin McCain Institute, pjesë e Arizona State University. Isha kualifikuar për t’iu bashkuar programit për Liderët e Brezit të Ri, në Uashington DC. Një mundësi që të ndryshon jetën!
U trondita kur po vjet në Korrik mësova se njeriu që më frymëzoi për të aplikuar dhe për të vijuar në politikë mbi parimet e karakterit, senatori John McCain, u diagnostikua me kancer në tru. E urrej kancerin! Atë në tru! Më ka marrë atë që më ka dhënë jetën, nënën time. Tani po merrte edhe njeriun me ndikim botëror, që për bekimin tim, po me hapte një dritare të pamenduar.
Trishtim dhe privilegj. Nuk e besoja thirrjen. Kurs i ri në timonin tim! U nisa për në Washington, për vitin e plotë akademik në Institutin që mban emrin e tij.
McCain i diagnostikuar me kancer! Ndërhyrjen e parë e kreu po atë verë. E prapë se prapë, kur e takuam në shtator, nuk kishim para syve një pacient me kancer në tru. Jo! Para nesh qëndronte aktiv, kryelartë dhe gjigand politikani më mbresëlënës dhe më me ndikim që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ishte atje, në zyrën e tij në Senat, i gjatë, i drejtë, në këmbë, aktiv dhe plotësisht në kontroll të takimit. Fliste me zërin e tij tipik, të butë, por bindës, me rrjedhshmërinë që nuk e kam ndeshur në politikanë të tjerë. Nuk i hidhte sytë tek shënimet e përgatitura, nuk vonohej në asnjërën nga deklaratat, nuk mendohej dy herë për ç’donte të thoshte, nuk kërkonte konfirmim. Fliste me lehtësinë më të madhe për çështjet më të komplikuara, vendet më të panjohura dhe problemet më të nxehta globale, duke përmendur detaje e analiza që të bëjnë të ndjehesh i vogël para tij.
Gjithë bota ndjehet e vogël para dijes, jetës, karakterit dhe trashëgimisë politike të John McCain.
Nuk do të kishte mënyrë më të mirë për të njohur jetën dhe trashëgiminë e Senatorit, sesa të isha pjesë e Institutit dhe Universitetit për të cilin luftoi gjithë jetën, duke lënë pas pikëpamjet dhe ndikimin e tij tek shumë njerëz. Fatmirësisht, edhe tek unë!
Gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që senatori luftonte një nga format më agresive të kancerit, pata privilegjin të njoh dhe përjetoj nga afër ndikimin e tij si politikani me mendje më të pavarur në SHBA. Që prej muajit Dhjetor, nuk udhëtonte dot më për në senat, por kjo nuk e pengoi të ishte edhe më aktiv dhe i drejtpërdrejtë se më parë. Deri në frymën e fundit, shkroi e kërkoi me ngulm mbrojtjen e parimeve për një rend më liberal demokratik, duke i shërbyer me besnikëri Shteteve të Bashkuara, siç bëri për 60 vite me radhë. Vuri vendin të parin, jo veten e tij! Ishte lloji i politikanit që ëndërroj të ketë edhe Shqipëria! Ku t’i gjejmë këta vend-dashës vetëmohues, si senatori i mbajtur 5 vjet në burg në Vietnam?
Eksperienca si pilot i rrëzuar dhe i burgosur për 5 vite në Hanoi ka skalitur në mendjen e amerikanëve imazhin e McCain si hero lufte. Nuk pranoi të dilte nga burgu pa dalë më parë edhe i fundit ndër shokët e ekipit. Ky guxim i çartur e besnikëri ndaj të tjerëve, i dhanë McCainit reputacionin e njeriut që nuk e shet veten me asnjë çmim. Fitoi nderi dhe karakteri i tij, dhe këto cilësi, e shoqëruan në karrierën politike e në ndikimin që pati në brezat e rinj.
Me futjen në politikë në fillim të viteve ’80, McCain fitoi menjëherë reputacionin e të qenit njeri i mprehtë, i drejtpërdrejtë, sfidues, i pa-tërheqshëm për çështjet tek të cilat besonte fort. Pa iu dridhur kurrë qerpiku, luante rol vendimtar në shumë nisma në Senat apo edhe brenda partisë Republikane, pa pasur frikë të dalë kundër saj, nëse ndjente se cenoheshin interesat e vendit.
Gjatë qëndrimit në Institut dhe njohjes më nga afër të punës dhe ndikimit të Senatorit McCain, pashë qartë se si e kaluara e tij ushtarake dhe stili unik me mendimet e pavarura e të drejtpërdrejta, e bënë atë të fitojë mbështetje nga të dy kahet politike në Amerike e të ketë respekt e ndikim në mbarë botën.
Përqasja politike e McCain nuk ishte e zakonshme. Në mënyrë të përsëritur i jam rikthyer fjalimit të tij të përkryer ditën që uroi Obamën për fitoren në garën presidenciale. Nuk ka fjalim më frymëzues të bërë nga një humbës me dinjitet. Nuk i fitoi zgjedhjet presidenciale, por fitoi besimin dhe respektin e miliona amerikanëve me mënyrën si e mbrojti dhe si e lartësoi kundërshtarin Obama në publik. Duhet ta verë në ballë çdo politikan shqiptar përqasjen e tij. Çdo humbës që nuk di as të pranojë rezultat, e as të zbrazë nga kolltuku.
Ka shumë momente të pakrahasueshme në karrierën politike të Senatorit McCain që duhen lexuar nga çdokush që kërkon të jetë lider. P.shs. deklaratat e tij të shpeshta në senat duke mbrojtur reformën në shëndetësi (edhe pse jo nisme ë partisë së tij), apo guximi për të folur hapur që në momentin që Trump u zgjodh si kandidati i republikanëve për president. Trashëgimi të pakrahasueshme politike!
Ishte pothuajse e pabesueshme të shihje se si në muajt e fundit, në vend që të tërhiqej prej sëmundjes, McCain u bë akoma më aktiv më qëndrimet e tij të ashpra, duke mbajtur në shina principet e djathta, rrugën e Partisë Republikane dhe parimet që duhet të ndjekë ajo.
McCain nuk ishte ushtar i askujt, përveçse i vendit të tij. I qëndroi besnik Amerikës, e jo partisë ku bënte pjesë e që përfaqësoi në senat për 30 vjet.
Një politikan i sprovuar, luftëtar i ashpër, njeri me integritet e dinjitet të pacenuar, që ofroi pa reshtur nxitjen e tij për një Amerikë aktive në politikën e jashtme, një Amerikë të angazhuar dukshëm në botë. Dhe bota ka kaq shumë nevojë për këtë përqasje aktive! Në mënyrë të veçantë, ne shqiptarët kemi nevojë për pikëpamjen e John McCain dhe për rolin e Amerikës në botë!
Në Amerikë, senatori McCain njihet dhe respektohet thellësisht si një hero lufte. Për mua, ai ishte një hero në mënyrën e udhëheqjes dhe në të bërit politikë. McCain nuk pajtohej lehtë me demokratët apo republikanët për shumë çështje, por mbetet i admiruar nga palët për vendosmërinë e tij. Nuk mendohej dy herë, sepse ishte aq i pavarur dhe me integritet, saqë dilte vullnetar të paguante çdo çmim politik, mjaft që Amerika të ishte e fituara e veprimeve e vendimeve të tij.
Kurrë nuk bëri pazar me integritetin. Në asnjë rast nuk e flijoi karakterin e tij apo interesat e vendit për përfitime personale apo politike. Luftoi ashpër kundër pandershmërive politike, me guximin e tij tipik për të mbrojtur faktet dhe të vërtetën.
Ëndërroj që të lindin e të bëhen politikanë të tillë në botë edhe tani e më pas. Të ndjekin shembullin e liderit pa kompromise, John McCain. Unë vetë dua të jem një politikane e tillë. Dua ta shoh llojin e shërbimit dhe përkushtimit të tij ndaj vendit edhe te politikanët dhe drejtuesit e vendit tim.
Jeta e senatorit McCain përfaqësonte disa të vërteta e parime që gjenden rrallë mes politikanëve: integriteti, guximi, karakteri, vetëmohues, udhëheqësi shërbyes që e vendos veten në funksion të vendit të tij. Njeriu e politikani që lufton për vendin, jo për karrierën apo pasardhësit e familjes.
Në Shqipëri terma si “Atdheu” e “Nderi” apo “Detyrat” e “Përgjegjësitë”, kanë marrë konotacione negative e trajtohen në nivelin e patetizmit. Po ku ka detyrë më fisnike sesa t’i shërbesh vendit tënd? Pa dallime politike. Senatori McCain nuk rreshti së bëri thirrje për bashkëpunim politik. A ka veshë të dëgjojnë?
Humbja e tij nuk është e çfarëdoshme. Nuk ka shumë politikanë të tjerë që jetojnë apo vdesin duke u kujdesur për të ardhmen e vendit, ashtu siç bëri McCain.
Ndjehem e privilegjuar që isha pjesë e Institutit me emrin e tij, që e njoha, që u frymëzova, që mësova nga madhështia e tij njerëzore dhe trashëgimia politike, përmes njerëzve dhe ndikimit që la pas, për të qenë shërbyes i vendit tënd ose me nder, ose hiç fare.
Amerika humbi një hero. Bota një model të guximit, integritetit dhe udhëheqjes së palëkundshme. Kurse unë humba njeriun frymëzues, jeta dhe fjalët e të cilit më bënë të besoj se bota mund të jetë vërtet një vend më i mirë, sikur në të, të ketë më shumë drejtues e politikanë me karakter si John McCain.
Sot, miliona njerëz në botë shkruan për të nderuar jetën, trashëgiminë e ndikimin e tij. Mes tyre, rilexoj dedikimet e bëra nga ish-presidenti Obama, kundërshtari i tij politik në zgjedhjet e vitit 2008.
Kur doli lajmi i diagnostikimit, u shpreh: “Oh, nuk e di kanceri se me cilin ka hyrë në luftë”. E çmonte mendjen dhe përqasjet e McCain!
Teksa sëmundja progresonte, senatori vijoi të vërtetonte se nuk është politikan si të tjerët. Një i djathtë i thekur, McCain ftoi të majtin Obama që të mbante fjalimin përcjellës në funeralin e tij.
Ashtu do të ndodhë! Përcjelljen e McCain, do ta bëjë jo presidenti i vendit, por kundërshtari i tij politik, Barak Obama. Mes tyre, u çmuan shumë.
Dhe menjëherë pas ndarjes nga jeta, Obama shkroi:
“Pavarësisht nga dallimet, të dyve na bashkonte një qëllim më i lartë, dëshirat dhe synimet e brezave të tërë për ta parë Amerikën vend ideal….Vetëm pak prej nesh kanë kaluar në provat e vështira të jetës e të luftës si John McCain. Guximin dhe kurajën e tij nuk e gjen tek kushdo. Por, secili prej nesh duhet të bëjë maksimumin për interesa që e kapërcejnë nivelin personal. Të përpiqemi për të mirat e mëdha të vendit e të të gjithëve! John McCain na tregoi me shembullin personal se çdo të thotë ky zotim! Ta ndjekim”
Kini guximin të veproni jashtë interesave personale e të bëni më të mirën për vendin! Ne, për Shqipërinë!
Faleminderit, senator McCain!
Nuk na ngelet veçse të veprojmë, të përpiqemi e të jetojmë sipas modelit që krijove ti!