Pavarësisht se presidenti i vendit është numri një i shtetit shqiptar, bashkëshortja e tij nuk e ka statusin e “Zonjës së Parë” me kushtetutë, siç ndodh në shumë vende të Europës dhe SHBA.
Të premten, pas zgjedhjes së Ilir Metës President i Republikës me 87 vota pro, bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi u shpreh për mediat se nuk ekziston koncepti i Zonjës së Parë në Shqipëri dhe se vendi jonë nuk është një vend aq i pasur që ta ketë si institucion.
Sipas Brixhida Kokëdhimës, bashkëshortes së Koço Kokëdhimës, kjo gjë duhet korrigjuar sa më shpejt. Ajo jep edhe arsyet e këtij propozimi, në një reagim në rrjetet sociale.
“Sa harxhohen lekë për reklama, aktivitete shpesh pa impakt, le të harxhojmë pak para e ta ngremë këtë institucion që të kemi një President më të mirë, një familje presidenciale dhe një grua në shërbim të kombit”,-shkruan Brixhida Kokëdhima.
Statusi i plotë:
Shqipëria duhet ta ketë institucion Zonjën e Parë!
Shqipëria nuk e ka institucion Zonjën e Parë!
A duhet ta kishte?
Presidenti i Shqipërisë këto 3 vitet e fundit ka humbur kompetenca që më parë i ka pasur.
Një President i dobësuar si institucion, siç është sot, e ka absolutisht të pajustifikuar Zonjën e Parë si institucion, me kompetenca, detyra dhe financime, megjithatë, unë mendoj që Zonja e Parë duhet të bëhet institucion për disa arsye:
Presidenti është simbol i bashkimit dhe unitetit të popullit. Në gjithë aktivitetin e tij, ai duhet ta përcjelli këtë vetë, përmes vendimmarrjes, shfaqjes publike, aktivitetit të tij dhe aktivitetit si çift.
Zonja është tepër e rëndësishme për një zotëri, qoftë ky Presidenti. Zonja është gjithmonë aty , pranë tij, rreth tij, një hap larg tij. Ajo duhet ta ndihmojë Atë të përcjellin së bashku frymën e bashkimit kombëtar, të respektojë çdo shqiptar, të fitojë zemrat e çdo shqiptari dhe të përcjelli butësinë, fisnikërinë, delikatesën, mirësinë dhe tharmin e bashkimit të familjes e kombit dhe këto nuk janë pak!
Sa harxhohen lekë për reklama, aktivitete shpesh pa impakt, le të harxhojmë pak para e ta ngremë këtë institucion që të kemi një President më të mirë, një familje presidenciale dhe një grua në shërbim të kombit!