Dukati

Meta: Situata nën kontroll, të gjitha përpjekjet e qeverisë pozitive

Presidenti Ilir Meta tha sot se situata aktualisht paraqitet e qëndrueshme në drejtim të menaxhimit dhe qeveria duhet mbështetur në luftën kundër COVID-19.

Gjatë një interviste televizive, Meta tha se në spitale nuk ka mbingarkesë.

“Fakti që nuk ka mbingarkesë në spitalet kryesore, që duhet të përballojnë ballafaqimin me epideminë, është pozitive, sepse situata edhe mund të dilte jashtë kontrollit. Po të krahasojmë me vendet e tjera të rajonit ka rezultate të qëndrueshme. Nuk ka vend për shkujdesje për respektimin e kufizimeve. Sot në Maqedoninë e Veriut për një ditë shpërthyen 100 e ca raste. Pra duhet ruajtur gjithmonë përqendrim”, tha ai.

Në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal, Meta tha se ka patur një boshllëk në trajtimin e situatës me pandeminë.

“Në Kodin Penal është e vërtetë se ka një boshllëk të trajtimit të një situate të tillë. Sigurisht që ndryshimi i Kodit është i rëndësishëm, por duhet bërë në mënyrë të përgjegjshme sipas procedurave, sepse nuk mund të ndryshohet në mënyrë të vazhdueshme dhe nën presionin e situatave të caktuara. Ka ndryshime thelbësore midis draftit të parë dhe atyre të sotme. Ne kemi dhënë mendimet tona si institucion, të cilat i bëmë publike, në mënyrë që këto ndryshime të ishin në përputhje me Kushtetutën dhe frymën e saj, por edhe me Konventën e të Drejtave të Njeriut”, tha ai.

Meta tha se është momenti për ta mbështetur qeverinë në luftën kundër COVID-19.

“Qeveria është nën presione të forta, sepse është vetë situata që imponon vendimmarrje jo të lehta. Është momenti për ta mbështetur qeverinë dhe është një situatë që kurrsesi nuk mund të përdoret me veprime abuzive në raport me mirëqeverisjen. Unë jam shumë i kënaqur që përballimi i pandemisë është angazhim i të gjithëve, i qeverisë dhe opozitës. Kjo është baza e një suksesi në menaxhimin e kësaj krize”, tha ai.

Sa i përket masave të marra nga qeveria dhe mbështetjes financiare, Presidenti tha se “të gjitha përpjekjet janë pozitive, por është e rëndësishme që të jenë sa më efektive. Pra të zbatohen, të shkojnë aty ku duhet në mënyrë sa më transparente. Ky është një proces i vazhdueshëm dhe reflektues. Kemi të bëjmë me një proces, kishim paketën e parë për të cilën duhen bërë përpjekje më energjike për zbatimin e saj. Paketën e dytë duhet më shumë transparencë, qartësi në mënyrë që të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe të gjitha shtresat e përfshira në të ta ndiejnë këtë mbështetje. Na duhet ende të punojmë për të mbajtur këto angazhime deri në fund./atsh

Meta: Situata nën kontroll, të gjitha përpjekjet e qeverisë pozitive Read More »

“Më shumë të shëruar sesa të prekur”/ Manastirliu: Masat e marra po reflektohen në kurbën epidemike, javës tjetër nis testimi i ri serologjik

Puna në terren që po realizohet nga të gjitha strukturat është kapilare dhe praktikisht na ka dhënë të dhëna që mund të themi se kemi situatë nën kontroll sa i përket shpërndarjes së virusit në vend.
Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një interviste televizive, ku ndër të tjera theksoi se, “nuk mund të themi që shumë shpejt do të përfundojë kjo situatë”.
“Pas shifrave është një punë e madhe për të gjurmuar rastet në terren. Kemi një numër më të lartë të shëruarish sesa numra aktivë të të prekurve. Janë 12 pacientë në terapi intensive, 4 prej tyre në respiratorë. Kurba është e rrafshët dhe ia kemi dalë që me masat e qeverisë të kemi një reflektim edhe në kurbën epidemike. Situata është inkurajuese, kemi vetëm 14,5% të kapaciteteve tona spitalore që janë të zëna. Kemi arritur në një kurbë të qëndrueshme”, – tha ajo.
Sipas ministres, arsyeja pse është hapur fasha orare është racionalizimi i lëvizjes, jo për të relaksuar qytetarët se gjithçka mbaroi dhe mund të dalin, por për të shmangur grumbullimet që kemi ballafaquar javët e shkuara.
Ministrja tha se, masat janë kuptuar nga qytetarët të cilëve nuk u ka ndryshuar asgjë sa i përket masave që kemi marrë, përveç afatit më të gjatë.
“Situata në Shkodër për nga pikëpamja e hetimit, puna ka qenë persistente për të gjurmuar rastet. Rasti ishte atipik, ku pati problematika në zbatimin e masave të qeverisë me pjesëmarrje në funerale që u bënë vatra përhapjeje”, – shpjegoi Manastirliu.
Ministrja konfirmoi se, po vijojnë testimet për të kapur sa më shumë raste.
“Shumica e rasteve janë asimptomatike dhe hetimi po kap këta persona. Në Shkodër janë kryer 368 teste, por 60% e tyre janë asimptomatikë, që do të thotë se ne kemi shkuar deri te brezi i dytë dhe i tretë me hetimin. 76 persona janë raste të reja në qarkun e Shkodrës. Kryeministri po konsultohet me një sërë ekspertësh sa i takon relaksimit të masave sipas kritereve të forta shëndetësore”, – tha Manastirliu.
“Vetëm në 6 javë nëse krahasojmë dy javët e para me të dytat, ne kemi dyfishuar testimin. Nëse në dy javët e para kishim 779 testime, në dy javët e dyta kemi 1421 dhe në dy javët e treta 2300 testime. Ne kemi vijuar të shtojmë numrin e testeve”, – tha ajo.

Gjithashtu, ministrja Manastirliu tha se “jemi duke përgatitur një testim për antitrupat të fokusuar për mjekët, një testim serologjik”.
Ajo tha se ky testim do të fillojë javës tjetër dhe do të kryhet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Ky testim do të shtrihet në grupet e riskuara që janë mjekët, që janë policët dhe personat që e kanë kaluar apo po e kalojnë këtë sëmundje. Është një test që do të kryhet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Testet janë blerë, struktura është ngritur. Instituti i Shëndetit Publik dhe QSUT po punojnë për të elaboruar këtë testim. Çdo gjë është gati për të filluar javës tjetër” tha Manastirliu /atsh

“Më shumë të shëruar sesa të prekur”/ Manastirliu: Masat e marra po reflektohen në kurbën epidemike, javës tjetër nis testimi i ri serologjik Read More »

Basha: Qeveria të mbështesë familjet në nevojë dhe bizneset

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi sonte se “gjithë energjitë dhe resurset e qeverisë duhet të shkojnë për të lehtësuar krizën”.

Në reagim pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Basha tha se “në mbledhjen e KSK detajova arsyet, nevojën dhe përfitimet që kanë qytetarët nga rritja e testimeve, si dhe i kërkova qeverisë mbështetjen për familjet në nevojë dhe bizneset në këto kohë të vështira”.

“Njerëzit duan garanci për jetën, shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Ky është angazhimi im dhe i opozitës. Gjithë energjitë dhe resurset e qeverisë duhet të shkojnë për të lehtësuar krizën dhe jo për sulme politike, sepse sot shqiptarët e papunë dhe në vështirësi ekonomike, kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme”, tha Basha. /atsh

Basha: Qeveria të mbështesë familjet në nevojë dhe bizneset Read More »

Klosi: Do kemi sezon veror jo të dëmtuar në maksimum, gati plani për distancimin në plazh

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, deklaroi sot se “duke parë mënyrën shumë të mirëmenaxhuar të pandemisë së koronavirusit, besoj do të kemi një sezon relativisht jo të dëmtuar në maksimum, një sezon që mund të shpëtojë për realitetin shqiptar”.

Në një intervistë televizive, Klosi tha se “nëse do të vendosim rregulla të qarta të distancimit dhe higjienës, besoj do të kemi një sezon që do t’i shpëtojë katastrofës në vendin tonë. Kemi turistë nga Kosova, Mali i Zi, turistë që nuk janë të varur nga kompanitë e fluturimit”.

“Avantazhet e turizmit në Shqipëri janë fakti që biznesi hotelier është familjar dhe nuk ka nevojë për vendimmarrje në borde, ndërkohë që me anulimin e fluturimeve dhe mosditjen se kur do të rinisin, vendi ynë ka një numër të madh turistësh që vijnë nga toka. Në gjithë historinë e koronës dhe krizës në Shqipëri dhe botë, pyetja më e vështirë është se kur do të përfundojë. Vendimi se kur do të hapet situata nuk dihet. Nuk dihet nëse sezoni do të jetë i përfshirë në aktivitet”, nënvizoi Klosi.

Ministri Kosi u shpreh se “me grupet e ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është duke u përgatitur një material të plotë për mënyrën e re të sezonit turistik ku të respektohen rregullat e higjienës dhe të distancimit social”.

Sa i përket fluturimeve, Klosi tha se “nëse situata fillon të marrë për mirë, dhe të kufizohet aq sa mundemi në raportin e higjienës besoj se do të fillojnë fluturimet, nga qershori me fluturimet e para shumë më tepër të kontrolluara për të hapur mundësi për udhëtime çarter”, tha ministri.

I pyetur nëse në qershor ka mundësi për të hapur fluturimet nëse kemi këta tregues, ministri Klosi tha se “rregullat e reja më shumë se sa pasaporta identifikuese, do të ketë ajo e historikut shëndetësor. Megjithatë, situata duket jo premtuese për rinisjen e fluturimeve nëse deri atëherë nuk do të gjendet vaksina”.

“Po diskutohet të hapen fluturime të kontrolluara ku më tepër se pasaporta me emër me mbiemër, do të ketë rëndësi pasaporta shëndetësore. Pa dalë vaksina do ta kemi të vështirë të kthehemi në normalitet”, theksoi ministri Klosi.

Lidhur me masat specifike për distancat mes çadrave në plazhe, Klosi tha se “ne kemi përgatitur një material të plotë së bashku me Ministrinë e Shëndetësinë që edhe ai është në diskutim nga grupet e ekspertëve. Italia i ka nxjerrë materialet e para, se e ka më specifike sipas rajoneve dhe ka nxjerrë masat e reja për plazhet, me distanca nëpërmjet çadrave, ka propozime në turizëm elitar ku të ketë ndarje me pleksiglas ndërmjet çadrave”.

“Ne e kemi bërë një material, do të jetë pjesë e diskutimet deri në momentin që do të mendojmë se do të fillojë hapja, një ide se si mund të jetë sezoni i plazhit po përpunohet nga grupi i ekspertëve. Sa i përket hotelerive dhe lokaleve, do të jenë të fundit që do të hapen”, tha Klosi. //atsh

Klosi: Do kemi sezon veror jo të dëmtuar në maksimum, gati plani për distancimin në plazh Read More »

Fiton betejën me COVID-19/ Brataj: Lutjet dhe solidariteti i shumë njerëzve më dhanë kurajo për të luftuar me të gjitha forcat

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ia ka dalë të mposhtë COVID-19.

“Për herë të parë u kënaqa pa masë me fjalën dy herë negativ”, shprehet Brataj.

“I nderuar koronavirus i pabesë! Ju erdhët fshehtas… Fshehtas punuat dhe kërkuat me çdo kusht trupin tim, ndërsa isha me kolegë në front duke u përgatitur si të mbroheshim nga ty. Ju filluat të më kafshoni dhe të më bëni që të vuaj duke më hequr buzëqeshjen, duke tentuar të më merrnit edhe frymën!” – tha Brataj.

E vërteta, vijon ai, në mesazhin e tij, është se edhe më frikësuat për një moment, më bëtë të ndjehem i pasigurt, sepse këtë herë isha pacient, isha i dobët, i zbehtë, i hutuar dhe i lënduar. Isha i pa përgatitur sepse ishte hera e parë që takoheshim.

“Por ju koronavirus harruat se pas sulmit tuaj, që shkaktonte shumë dhimbje, kishte një mbështetje shumë të madhe të qindra njerëzve, miqve, shokëve dhe mbi të gjitha familjes.
Lutjet e shumë njerëzve në të gjitha besimet, më bënë që të ndjehem i mbrojtur, i rrethuar me humanizëm, me dashuri dhe solidaritet dhe unë normalisht do të nxisja vullnetin dhe kurajon, për të të luftuar me të gjitha forcat.
Uau, uau, ja dola!
Ju humbët me mua, por na ndryshuat dhe na bëtë të reflektojmë të gjithëve, se një qenie kaq e vogël si ju, mundët të bllokonit një botë kaq të madhe në pak kohë. Ju na mësuat që lufta me ju do të vazhdojë, prandaj ne po studiojmë të gjitha pikat e dobëta që keni, sepse jemi të sigurt që do ta fitojmë luftën kundër jush.
Mendoni se bota nuk ka çfarë t’ju bëj? Mendoni se bota do të rri duarkryq? GABONI!
Na mësuat që Jeta është e shtrenjtë, jeta është e bukur, ajo jetohet vetëm njëherë, jeta është pasuria më e madhe që kemi, është gjëja më e çmuar, prandaj ajo duhet jetuar!
Për këtë keni të drejtë, ajo duhet respektuar, asaj duhet ti kushtohemi më shumë.
Ju na rikujtuat që jeta e të gjitha shtresave të shoqërisë para sëmundjeve është e barabartë, vijon Brataj.

“Por, për ju koronavirus, pra COVID-19, është pak ndryshe; jeni më i shpejtë, shpërndahesh shumë, në një kohë të shkurtër dhe shkakton shumë dëmtime. Është hera e parë që trajtimi yt është i njëjtë për të gjithë. Është hera e parë që COVID-19 kurohet dhe vlerësohet njësoj për të gjithë pa dallim: pa privilegje,pa arrogancë,pa njohje,pa moshë, pa besim fetar,pa pasuri, pa pozitë,pa ngjyrë politike!
Ne do ta fitojmë luftën kundër teje, sepse do të privohemi nga liria, nga pasuria, nga mirëqenia, nga privilegjet, nga përqafimet, nga shumë gjëra te tjera për aq kohë sa do të na duhet për të të mundur! Do ja dalim të gjithë së bashku”, – përfundon mesazhin tij Brataj. /atsh

Fiton betejën me COVID-19/ Brataj: Lutjet dhe solidariteti i shumë njerëzve më dhanë kurajo për të luftuar me të gjitha forcat Read More »

Programi i hapjes graduale/ Restorantet dhe baret do të jenë të fundit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se restorantet dhe baret do të jenë aktivitetet e fundit që do të hapen.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga qytetarët, Kryeministri Rama bëri të ditur se po përgatitet program i hapjes graduale që do të bëhet publik ditët në vijim, si dhe rregullat që do të ndiqen për të gjithë ata që do të happen.

“Restorantet do të jenë të fundit që do të hapen. Ne po përgatisim programin e hapjes graduale që do të bëhet publik ditët në vijim, si dhe rregullat që do të ndiqen nga të gjithë ata që do të hapen”, deklaroi Rama.

Kryeministri shpjegoi se asnjë vend nuk ka folur për një hapje të restoranteve apo bareve. /atsh

Programi i hapjes graduale/ Restorantet dhe baret do të jenë të fundit Read More »

Nga mobilieritë, te serviset dhe taksitë/Rama: Sot në orën 19:00 prezantohet paketa e zgjeruar

Sot në orën 19:00 do të prezantohet paketa e zgjeruar në ndihmë të biznesit dhe qytetarëve.

Lajmin e ka dhënë Kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se, “sot në 19:00 paketa e zgjeruar”.

Më herët, Kryeministri Rama ka deklaruar se “në paketën e zgjeruar ne do të adresojmë të gjithë bizneset e vogla që nuk janë mbyllur, por që nuk kanë funksionuar pothuajse fare”.

“Objekti i paketës së zgjeruar do të jenë bizneset e vogla si mobilieri të vogla, rrobaqepësi të vogla, servise makinash, fizioterapi, lavazhe të licencuara, agjenci turistike, hidraulikë, elektricistë, të gjithë taksixhinjtë, punonjës të linjave urbane apo ndërurbane”, ka deklaruar Rama.

Së dyti, Rama renditi, “individët që jetojnë me qira, pra jetojnë me të ardhura nga qiraja si e ardhur e vetme, që s’kanë të ardhura dytësore, janë dy për të cilët ne po punojmë”.

Së treti, theksoi Rama, “punonjësit e goditur të gjithë biznesit mbi 14 milionë”.

Gjithashtu, Kryeministri ka bërë të ditur se “do të mbështeten edhe sektori i turizmit, industria fason dhe bizneset prodhuese”./atsh

Nga mobilieritë, te serviset dhe taksitë/Rama: Sot në orën 19:00 prezantohet paketa e zgjeruar Read More »

Nga sot zgjatet fasha orarit deri në 17:30 dhe 90 minuta për pazar, në fundjavë ndalim qarkullimi nga e premtja në të hënë

Duke nisur nga sot deri në një urdhër të dytë është zgjatur fasha e orarit për mbajtjen hapur të bizneseve të lejuar gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga koronavirusi.

Në urdhërin e sotëm të firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksohet se bizneset e lejuara do të qëndrojnë të hapura nga ora 05:00 deri me 17:30, ndërsa orari i lejuar për të lëvizur me lejedalje vetëm një person brenda familjes për 90 minuta, do të jetë brenda kësaj fashe orari nga 05:00 deri në 17:30.

“Lejohen të kryejnë aktivitetin e tyre vetëm në fashën orare 05:00-17:30, duke filluar nga dita e hënë 13.04.2020, pikat e shitjes së produkteve ushqimore, me pakicë dhe shumicë, pikat e tregtisë së barnave, produkteve mjekësore dhe institucionet financiare. Hyrja në aktivitete e përcaktuara lejohen vetëm për një person të autorizuar, për çdo familje për kryerjen e shpenzimeve familjare ditore. Autorizimi do të jetë vetëm një herë në ditë dhe do të ketë një afat prej 90 minutash gjatë fashës orare 05:00 deri në 17:30”, theksohet në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjithashtu, në urdhër e publikuar sot është vendosur zgjatja e ndalim qarkullimit të qytetarëve dhe çdo lloj mjeti në fundjavë duke filluar nga e premtja, 17 prill në orën 17:30 deri të hënë e 20 prillit në orën 05:00 deri në një urdhër të dytë.

Gjatë kësaj fashe orari në fundjavë nuk do të lejohet asnjë lloj biznesi hapur, as farmacitë, marketet apo bizneset e tjera që lejohen të hapura gjatë javës nga ora 05:00-17:30. Përjashtim nga urdhri bëjnë vetëm transporti i mallrave, policia, urgjenca, mediet dhe shërbimet delivery.

“Kufizim lëvizje në të gjitha qendrat urbane në Shqipëri për të gjitha kategoritë, këmbësor, biçikleta, ciklomotor, motomjete dhe mjete dhe ndalim ofrimi të shërbimeve për qytetarët nga aktivitete e lejuara, çdo fundjavë duke filluar nga e premtja, 17 prill, nga ora 17:30 deri të hënën në orën 05:00. Përjashtohen nga ky rregull të gjitha mjetet e transportit të mallrave, policia e shtetit, forcat e armatosura, njësitë kritike të shërbimeve shtetërore dhe kompanitë mediatike dhe shërbimet delivery”, thuhet në urdhërin e firmosur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. /atsh

Nga sot zgjatet fasha orarit deri në 17:30 dhe 90 minuta për pazar, në fundjavë ndalim qarkullimi nga e premtja në të hënë Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com