Dukati

Fatkeqësisht më kanë qëlluar kundërshtarë disa politikanë që nxjerrin në publik idiotësinë e tyre

Kryeministri Rama deklaroi pasditen e sotme se nuk pati më motiv për ta vazhduar gjyqin me gazetarin e Bild pas njohjes me shefat editorialistë të kësaj gazete në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

“Në greqishten e vjetër ‘idiot’ quhej personi që s’duhet të merrej me çështje të interesit publik, po vetëm me punët e veta. Fatkeqësisht më kanë qëlluar kundërshtarë disa që politikën e kanë si nevojë personale dhe jashtë nxjerrin papushim në publik idiotësinë e tyre”, u shpreh Rama në reagimin e tij.

“Por paçka se fatmirësisht ky popull ua njeh erën prej kohësh dhe as u afrohet më, sqarimet duhen bërë për popullin, jo për ta! U njoha me shefat editorialistë të BILD gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih dhe kaluam aq bukur, sa nuk pata më motiv për ta vazhduar gjyqin. Njerëzore!” – thotë Rama. /atsh

Fatkeqësisht më kanë qëlluar kundërshtarë disa politikanë që nxjerrin në publik idiotësinë e tyre Read More »

“Sofra e mbretëreshave” mirëpret kalin e qyqes për këtë vit

Ashtu si vitin e kaluar, çifti i kalit të qyqes (Neophron percnopterus) ka preferuar stacionin e ushqimit suplementar të ndërtuar nga PPNEA në luginën e Drinos dhe është fotografuar nga kamerat kurth.

Zv/ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, duke publikuar fotot e çiftit të kalit të qyqes, në luginon e Drinos, thekson se, “ky ritual do të vazhdojë gjatë gjithë procesit të folezimit, ku me lëshimin e vezëve njëri nga prindërit do kujdeset për ngrohjen e tyre ndërsa individi tjetër do kujdeset të furnizojë folenë me ushqim duke e marrë pikërisht nga ky stacion ushqimi”.

“Pas ushqimit te vazhdueshëm të zogjve në fole, stacioni do të vizitohet dhe vetë nga të vegjlit e kalit të qyqes, në mënyrë që ata të përgatiten për fluturimin e parë për mbijetesë drejt Afrikës. Menaxhimi i vazhdueshëm nga AdZM Gjirokastër i këtij stacioni, ka tërhequr shpendë të ndryshëm, duke përmbushur dhe qëllimin kryesor së fundmi me vizitën e kalit të qyqes. Ushqimi i sigurt është thelbësor për mbijetesën e kalit të qyqes dhe rimëkëmbjen e popullatës së këtij lloji, ‘të rrezikuar’ në nivel botëror”,- thekson zv/ministrja Çuçi./atsh

“Sofra e mbretëreshave” mirëpret kalin e qyqes për këtë vit Read More »

Pampuri: Fasoneritë duhen mbyllur, rrezik për shtimin e infeksionit

Ish- deputetja e PD-së Orjola Pampuri deklaroi sot se “përkeqësimi i situatës me fasoneritë është dështim i qeverisë, prandaj mbyllja e tyre është masa e duhur për ndalimin e përhapjes së virusit”.

Në një deklaratë për mediet, Pampuri tha se “të dhënat zyrtare konfirmojnë shqetësimin tonë se mbajtja hapur me kokëfortësi e fasonerive i ka kthyer ato në vatra të rrezikshme të përhapjes së infeksionit”.

“Në Krujë janë 18 persona të tjerë që kanë rezultuar pozitiv. Të gjithë punonjës fasonerie, kryesisht gra dhe vajza. Urojmë që të dhënat të pasqyrojnë realitetin dhe virusi të mos jetë përhapur akoma më shumë, por edhe kaq sa është, kemi një situatë shumë problematike. Brenda pak ditësh, një person i vetëm ka kontaminuar 86 të tjerë, duke na faktuar 3 gjëra të rëndësishme: Se virusi ka aftësinë të përhapet me shpejtësi. Se fasoneritë, si vend me përqëndrim të lartë, janë vendi ideal për përhapjen e virusit. Se qeveria është përgjegjësja kryesore për situatën e krijuar”, tha ajo.

Ajo tha se qeveria duhet të kishte mbyllur fasoneritë që në momentin e parë të shpërthimit të epidemisë. /atsh

Pampuri: Fasoneritë duhen mbyllur, rrezik për shtimin e infeksionit Read More »

OBSH: Për origjinën e virusit, të gjitha provat çojnë tek lakuriqët e natës

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)deklaroi se të gjitha provat tregojnë se koronavirusin e ri e kanë bartur lakuriqët tek njerëzit në Kinë nga fundi i vitit të kaluar dhe nuk e ka origjinën nga ndonjë laborator.

“Të gjitha provat e disponueshme tregojnë se virusi ka origjinë nga kafshët dhe nuk është prodhuar ose manipuluar nga shkencëtarët,” theksoi zëdhënësja e OBSH-së, Fedella Çaib në një konferencë shtypi në Gjenevë.

Presidenti amerikan, Donald Tramp javën e kaluar tha se qeveria po përpiqet të përcaktojë nëse virusi e ka origjinën nga ndonjë laborator në ëuhan, Kinë.

Akoma nuk është e qartë se si virusi është bartur nga kafshët tek njeriu. /atsh

OBSH: Për origjinën e virusit, të gjitha provat çojnë tek lakuriqët e natës Read More »

Shqipëria, vendi më i sigurt për të bërë turizëm këtë verë!

Kryeministri Rama tha se agjenci turistike mendojnë se Shqipëria është vendi ku mund të bëhet turizëm këtë verë, pasi nuk ka probleme me COVID-19, por ne do ecim me kujdes.
Në lidhje me periudhën e turizmit dhe lehtësimit të masave për turizëm, Rama tha sonte se “kemi pas disa interesime nga Itali, Çekia, Japonia për turizëm, dhe agjenci të rëndësishme turistike mendojnë se Shqipëria është vendi më i sigurt për të bërë turizëm këtë verë se praktikisht nuk ka probleme me COVID.
Marrja e këtij vendimi është një barrë shumë e madhe, nuk di çfarë të them tani se do shikojmë dhe të tjerët”.
“Pra, do ecim me kujdes duke parë dhe të tjerët, por ne nuk jemi Reali, Barcelona, por ne do bëjmë atë që mundemi me forcat që deri tani nuk na kanë lënë në baltë dhe na shohin si shembull dhe po thonë, si po ia dalin kaq kollaj”, tha ai.

Shqipëria, vendi më i sigurt për të bërë turizëm këtë verë! Read More »

Vaksina është shpëtimi i vetëm nga izolimi, por si mund të mbijetojmë deri atëherë?

Dy ekonomistë u transportuan me anije në një ishull të shkretë, thotë barcaleta, ku nuk kishte asgjë tjetër përveç shkëmbinjve, rërës dhe ujit. “Si do të shpëtojmë?” pyet i pari. “Epo, supozojmë se kemi një varkë,” tha i dyti.

Shumica e bisedave në lidhje me rihapjen e ekonomisë së dëmtuar nga pandemia mbështeten në testime që nuk ekzistojnë. Testet mjekësore nuk janë perfekte. Rezultatet mund të rrëzohen nga koha e marrjes së mostrës, siguria dhe saktësia e provës dhe laboratorit, si dhe besueshmëria e regjimit të raportimit. Në mjedisin aktual, që shpesh është kaotik, shkalla e fallco-negativëve për Covid-19 mund të jetë mbi 20 përqind.

Supozojmë se ne arrijmë ta përgjysmojmë shkallën e dështimit, teksa bëjmë 10 herë ose 50 herë ose 100 herë më shumë teste se ato në dispozicion, duke i realizuar në cdo shtëpi, në parkingje ose në zyra, fabrika dhe shkolla. Ky do të ishte një mobilizim mbresëlënës, i pa precedent në historinë e SHBA dhe botës.

Megjithatë, nëse në çdo 1000 persona që dalin me rezultat përfundimtar negativ për koronavirus, nga këto 10 përqind në të vërtetë janë pozitivë, pra rreth 100 njerëz – a do t’i bashkoheshit asaj turme në një koncert, në kongres apo në një park? A do të hipnit në një aeroplan të mbushur me 150 pasagjerë të testuar negativë, nëse do e dinit se 15 ose më shumë, do të ishin infektues? A do të sillnit me vete vëllanë ose babanë tuaj? Ne kemi ngecur në këtë ishull me maska në fytyrë dhe po distancohemi derisa të vijë shpëtimi – në këtë rast, në formën e një vaksine efektive, të prodhuar në masë. Në skenarin më të mirë, ky shpëtim do shumë muaj, madje me shumë mundësi një vit.

Lind pyetja: Si mund të mbijetojmë deri atëherë?

Disa industri mund të përshtaten mjaft mirë me një vit distancimi shoqëror. Për shembull, kompanitë dhe gjykatat mund të përdorin telekonferencat. Koduesit e kompjuterave dhe punë të tjera krijuese kanë bashkëpunuar me email dhe aplikacione për vite me radhë.

Në restorante dhe bare duhet të merren masa për të krijuar distanca të sigurta mes tavolinave.

Në të vërtetë, çdo biznes që përfshin tërheqjen e një turme është rrezik. Qendrat tregtare, tashmë janë nën një presion të jashtëzakonshëm nga ndryshimi i tendencave të shitjes. Sallonet e bukurisë, zyrat e dentistëve, optikat që janë biznese ku përfshihen kontakte të ngushta dhe personale. Edhe Kongresi e ka të vështirë të bëjë punën pa mbledhur qindra njerëz në një godinë.

Për të qenë i qartë: Unë jam në favor të testimeve. Mbikëqyrja e zgjeruar dhe e përmirësuar e sëmundjes do të sjellë përfitime të vërteta – duke filluar me një kuptim më të mirë të kësaj sëmundje ngjitëse, e cila ka një gamë nga asimptomatike, në fatale. Por testimi masiv nuk do të na çlirojë nga ishulli i izolimit dhe nga rreziku i përsëritjes së infektimeve. Vetëm një vaksinë mund ta bëjë këtë. / David Von Drehle – Washington Post – Bota.al

Vaksina është shpëtimi i vetëm nga izolimi, por si mund të mbijetojmë deri atëherë? Read More »

Profesor Dhimitër Kraja rikthehet në frontin e luftës kundër COVID-19/ Balla: Shembull i shkëlqyer

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka përshëndetur aktin e doktor Dhimitër Krajës, i cili pas shërimit, rikthehet në vijën e parë të luftës kundër COVID-19.

Balla shprehet se “profesor Dhimitër Kraja është rikthyer tek Infektivi për të rifilluar shërbimin ndaj të sëmurëve në luftën kundër COVID-19. Në mars ai u prek nga COVID-19 vetëm pak ditë pasi ishte kthyer nga pensioni, pikërisht për të dhënë kontributin e tij në këtë situatë të jashtëzakonshme”.

Po ashtu Balla tha se akti i doktor Krajës është shembull i shkëlqyer.

“Doktori i nderuar Dhimitër Kraja, i cili e la qetësinë e pensionit për të shkuar pranë pacientëve, është sot i shëruar plotësisht dhe është përsëri në krye të detyrës. Një shembull i shkëlqyer. Shëndet dhe mbarësi doktor! Mirënjohje pafund”, tha Balla./atsh

Profesor Dhimitër Kraja rikthehet në frontin e luftës kundër COVID-19/ Balla: Shembull i shkëlqyer Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 21 raste të reja, shkon në 539 numri i të infektuarve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur se nga rezultatet e testimeve në 24 orët e fundit janë konfirmuar 21 raste pozitive me COVID-19, duke e çuar numrin e të infektuarve në 539.

Albana Fico, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik tha sot në komunikimin për mediet se “në 24 orët e fundit janë testuar 253 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 21 raste pozitive me COVID19”.

“Nga rastet e reja 11 i përkasin Shkodrës dhe kemi 4 raste në Tiranë, 4 raste në Krujë dhe hartës i shtohet Kurbini me 2 raste”, tha Fico.

Sipas saj, deri në këto momente janë testuar 5080 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 539 raste./atsh

Ministria e Shëndetësisë: 21 raste të reja, shkon në 539 numri i të infektuarve Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com