Ballkani e fitoi betejën kundër COVID-19
Në përgjithësi, vendet e Ballkanit e fituan betejën kundër pandemisë COVID-19, ndërsa parashikime të caktuara tregojnë se vala epidemike duhet të përfundojë deri në fund të majit ose në fillim të qershorit, tha në një intervistë Dragan Danilovski, epidemiolog dhe shef i Institutit të Epidemiologjisë dhe Biostatikës me Informatikë Mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë, pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup.
Prof. Dr. Danilovski, i cili ka qenë edhe ish-ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, iu përgjigj pyetjeve për mënyrën se si në vendet e rajonit numri i personave të infektuar dhe të vdekur me llojin e ri të koronavirusit (COVID-19) është më i ulët se vendet më të mëdha të Europës Perëndimore, për parashikimet në lidhje me përhapjen e virusit në rajon dhe në botë, por edhe për përvojat e marra nga njerëzimi në trajtimin e “armikut të padukshëm” të quajtur koronavirus.
Në lidhje me pyetjen pse në vendet e Ballkanit numri i personave të infektuar me COVID-19 dhe vdekjet ishin më të ulëta se në vendet e tjera më të mëdha dhe më të zhvilluara në botë, Daniloski shpjegon se treguesi më real i dinamikës së pandemisë nuk është numri i të infektuarve, por numri i vdekjeve, sepse numri i të infektuarve varet nga numri i personave të testuar.
Ballkani, vaksinimet e detyrueshme si avantazh në luftën kundër COVID-19
Sipas mendimit të tij, një nga arsyet e shkallës së ulët të vdekshmërisë të shkaktuar nga COVID-19 në vendet e rajonit mund të jetë fakti që të gjitha vendet e Ballkanit 30 vjet më parë kishin sisteme të centralizuara shëndetësore, në të cilat vaksinimet e popullatës ishin të detyrueshme kundër shumë sëmundjeve infektive.
Në të njëjtën kohë, ai shtoi se vendet e pasura të Evropës Perëndimore dhe SHBA kanë sisteme shëndetësore relativisht liberale, dhe në shumicën e rasteve vaksinimet nuk janë të detyrueshme.
“Në këtë kontekst u shfaqën supozime interesante, se të gjitha popullatat në të cilat vaksinat kundër tuberkulozit (BCG) ose poliomielitit ishin të detyrueshme, tani kanë shkallë më të ulëta si të pacientëve të infektuar, ashtu edhe të vdekur nga COVID-19. Mund të jetë kështu”, tha Danilovski.
Ai shtoi se një arsye e mundshme është fakti se masat kufizuese të përcaktuara janë teknikisht më të lehta për t’u zbatuar dhe kontrolluar në vendet e vogla, siç është Ballkani, sesa në vendet me popullsi të madhe.
“Flaka nuk u shndërrua në stuhi zjarri”
Prof. Dr. Danilovski është i mendimit se qëllimi kryesor në luftën kundër koronavirusit është arritur duke mos tejkaluar kapacitetin e sistemit shëndetësor në vend.
“Përkundër të gjitha ‘papërsosmërive’ në zbatimin e masave kufizuese (për shembull, mbyllja jo në kohën e duhur e kufijve, vonesat në masën e mbajtjes së detyrueshme të maskave, etj.), unë ende mendoj se ne të gjithë kemi arritur qëllimin themelor, dhe kjo është nivelizimi i kurbës së epidemisë, në mënyrë që të mos tejkalohet kapaciteti i sistemit shëndetësor. Flaka nuk u shndërrua në stuhi zjarri”, tha ai.
Lidhur me parashikimet e tij në lidhje me përhapjen e virusit dhe situatën që ai nuk pret në vend, në rajon, por edhe globalisht, prof. dr. Danilovski thotë se epidemia duhet të përfundojë deri në fund të majit ose fillim të qershorit.
“Përafërsisht të tilla janë parashikimet për rajonin, por edhe për botën. Akoma nuk dihet si do të ecin punët në Afrikë. Atje duket se pandemia është në fillim. Meqenëse nuk e njohim virusin sa duhet, nuk mund të supozojmë me siguri se si do të sillet më tej”, tha ai.
Vaksina si shpresa më e mirë për imunitetin kolektiv
Aktualisht ka tre momente të panjohura kur bëhet fjalë për koronavirusin. Secila nga këta faktorë do të ndikojë në infektivitetin e ardhshëm të sëmundjes.
“Ne ende nuk e dimë nëse koronavirusi do të bëhet sezonal, si gripi, apo do të jetë konstant gjatë gjithë vitit. Ne nuk e dimë si do të jetë mutacioni i koronavirusit me kalimin e kohës. Viruset që shkaktojnë ndikimin e gripit ndryshojnë vazhdimisht, kështu që njerëzit kanë nevojë për vaksinime vjetore. Do të shohim se çfarë ndodh me këtë koronavirus. Ai me siguri pëson mutacion me një ritëm më të ngadaltë dhe nëse vazhdon të qarkullojë, do të shohim se çfarë ndryshime janë shkaktuar. Pyetja është se çfarë do të bëjnë këto ndryshime: a do ta bëjnë ata virusin më të mirë në shmangien e sistemit tonë imunitar apo mbase do të bartet më lehtë?”, tha Danilovski.
“Ne nuk e dimë se sa kohë ata që janë të infektuar janë imunë. Disa viruse të tjerë në familjen e koronavirusit, siç janë ato që shkaktojnë ftohjen e zakonshme, sigurojnë vetëm imunitet për rreth tre muaj. Vlerësohet se duhet të jemi imunë ndaj koronavirusit për të paktën një vit, ndoshta dy, në mënyrë që popullata të ndërtojë imunitet kolektiv. Nëse nuk ndodhë kjo, shpresa jonë më e mirë për imunitet kolektiv është vaksina”, shton Danilovski.
“Kufizimet duhet të hiqen së shpejti”
Sipas Danilovskit, tashmë janë krijuar kushte për relaksim të pjesshëm të masave kufizuese, sepse, siç thotë ai, “numri bazë riprodhues i virusit që nga 15 prilli është në nivelin nën 1.0, por kjo nuk do të thotë që ne mund të relaksohemi”.
“Mund shumë e lehtë të vijë deri te rikthimi i problemit. Derisa të arrihet pragu i imunitetit kolektiv prej 60 për qind ose të vihet në dispozicion një vaksinë kundër COVID-19, do të duhet të mësohemi të jetojmë një jetë të re normale, madje edhe kur të hiqen kufizimet. Do të jetojmë me virusin pranë nesh, duke iu përmbajtur rregullave të reja të sjelljes që do të zvogëlojnë shanset për transmetimin e virusit”, shprehut epidemiologu.
Me kalimin e kohës prof. Dr Danilovski thotë se është e pashmangshme që sistemi imunitar gradualisht të rritet.
”Masat kurrë nuk duhet të shkaktojnë më shumë dëme sesa shkaku i tyre”, theksoi ai.
“Leksion nga kriza: Mësuam përsëri të jemi njerëz”
Nga kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19, sipas Danilovskit, njerëzimi ka mësuar shumë gjëra, ndër të tjera se “bota është bërë një fshat global”.
Siç thekson ai, ne kemi mësuar se cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të sistemit të mbrojtjes nga fatkeqësitë masive në vend.
Sipas tij, njerëzit kanë mësuar se çka duhet të ndryshojë brenda sistemit, çka mund të përmirësojmë dhe çka mund të hedhim poshtë.
“Ne kemi mësuar se suksesi në trajtimin e një pandemie, në përgjithësi, nuk varet aspak nga niveli i zhvillimit, pasuria e vendeve. Ne mësuam se pa marrë parasysh sa efektive janë masat shtrënguese, gjithmonë do të ketë njerëz të pakënaqur. Mësuam se përballë një kërcënimi të përbashkët, na duhet vetëm unitet, pavarësisht nga dallimet politike, fetare apo të tjera. Mësuam se sa e lehtë është të bëhesh viktimë e një armiku të padukshëm. Mësuam se cilët ishin egoistët e maskuar mes nesh dhe cilët ishin miq të vërtetë. Mësuam se sa e rëndësishme ishte të marrësh pak ajër të pastër dhe stërvitje. Mësuam të jemi përsëri me familjen. Mësuam të lexonim. Mësuam përsëri të jemi njerëz”, përfundon epidemiologu i njohur maqedonas, Danilovski./atsh