Loading...

Merkel: Gjermania do ta zbatojë menjëherë mbylljen e kufijve

Gjermania do ta zbatojë këtë vendim menjëherë, deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel, pasi vendet anëtare të Bashkimit Europian vendosën unanimisht të ndalonin për 30 ditë hyrjen e njerëzve, që nuk i përkasin bllokut, në mënyrë që të frenojnë pandeminë e koronavirusit të ri.

”Gjermania do ta zbatojë menjëherë mbylljen e kufijve”, tha Merkel.

”Të gjitha vendet anëtare ranë dakord të vendosin ndalimin e hyrjes, me disa përjashtime të vogla”, shtoi Merkel dje në një konferencë për shtyp, pas një videokonference me liderë të tjerë të vendeve europiane.

Sipas kancelares gjermane, BE do të koordinojë, gjithashtu, kthimin e shumë europianëve të bllokuar jashtë vendeve të tyre, nga kufizimet e shumta dhe ndalimi i trafikut ajror.

”Gjermania do të organizojë riatdhesimin e mijëra shtetasve, të bllokuar aktualisht jashtë vendit për shkak të masave shtrënguese të udhëtimit të vendosura në kuadër të epidemisë së koronavirusit të ri”, tha nga ana e tij ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

”Ne do të bëjmë të pamundurën për të mundësuar që mijëra persona të bllokuar jashtë vendit të rikthehen në Gjermani në ditët e ardhshme”, theksoi ai.

Duke shpjeguar se qeveria gjermane kishte arritur një marrëveshje me kompanitë ajrore, ai tha se deri në 50 milionë euro do të viheshin në dispozion për këtë qëllim.

‘Ne do të bëjmë të mundur këtë udhëtim të kthimit për turistët që janë aktualisht të bllokuar në zonat e prekura, veçanërisht nga Maroku, Republika Domenikane, Filipinet dhe Egjipti”, shtoi ai./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com