– Në Nion të Zvicrës është hedhur sot shorti i Ligës së Kombeve për sezonin 2020-2021, që është edhe edicioni i dytë i këtij kompeticioni që startoi vetëm vitin e shkuar.
Kombëtarja shqiptare u shortua në Ligën C, Grupi 4, ku do të ndeshet me Kazakistanin, Lituaninë dhe Bjellorusinë.
Ndërkohë Kosova, ndryshe nga edicioni i sezonit të kaluar ku bënte pjesë në Ligën D, këtë herë është shortuar në Ligën C.
Kosova është në Grupin 3 së bashku me Moldavinë, Slloveninë dhe Greqinë. Një grup deri diku i vështirë për ekipin e drejtuar nga Shaland, që këtë muaj do të luajë play-off-et me Maqedoninë e Veriut të vlefshme për Ligën D, që e mban ende në lojë për të fituar një biletë për Europianin e këtij viti.
Sakaq ashtu siç pritej shorti për Ligën A ka rezervuar përballje shumë interesante dhe me interes të lartë.
Kështu në Grupin 1 të Ligës A do të sfidojnë njëra-tjetrën Holanda, Italia, Bosnja-Hercegovina dhe Polonia.
Në grupin 2 të Ligës A janë Anglia, Belgjika, Danimarka dhe Islanda.
Në grupin 3 të Ligës A bëjnë pjesë Portugalia e cila fitoi edicionin e parë të këtij sezoni, Franca kampione bote, Suedia dhe Kroacia.
Ndërsa në grupin 4 të Ligës A janë shortuar së bashku Zvicra, Spanja, Ukraina dhe Gjermania.
Ndeshjet e fazës së grupeve të këtij edicioni do të luhen në muajt shtator, tetor dhe nëntor. Kujtojmë se fituesja e çdo grupi në secilën Ligë kalon në fazën play-off ose ndryshe gjysmëfinalet nga ku më pas del edhe fituesja e Ligës përkatëse. Ndërsa vendet e fundit të secilit grup në çdo ligë do të zbresin një ligë më poshtë./atsh