Kryeministri Edi Rama ka folur ne Kuvend, për Operacionin Forca e Ligjit dhe Anti- KÇK, teksa ka thënë se kriminelët do të goditen në pasuri pasi burgu për ta nuk mjafton.
Rama ka folur me tone të ashpra teksa ka thënë se ka analistë në televizione që paguhen nga krimi i organizuar për të bërë avokatin e tij, si dhe opozita që e ka ulur poshtë debatin politik për këtë çështje.
Rama sqaron se ky ligj nuk është bërë në 6 vite e gjysëm qeveri për shkak të gjykatave. Ai përmendi rastet kur kriminelët ishin dënuar dhe ishin liruar, dhe prap kishin vijuar me aktivitetet kriminale apo ishin shpallur të pafajshëm. Për shkak se këta kriminelë shpëtonin nga drejtësia kryeministri thotë se padrejtësisht akuzohej Policia e cila në fakt bënte detyrën duke i kapur ata dhe duke i çuar para drejtësisë. Pikërisht Anti- KÇK erdhi në një kohë me ngritjen e institucionit të ri të drejtësisë SPAK.
Kryeministri premtoi se me OFL krimi i organizuar do të ngelet në nëntokë dhe shteti në mbitokë për ta luftuar dhe jo të dyja në një nivel.
”E di shumë mirë që e kemi shqetësuar dhe tronditur krimin e organizuar në palcë me ofensivën OFL.
E di që krimi i organizuar dhe burimet financiare janë investuar për të krijuar sa më shumë keqkuptim dhe mjegull. Në studiot televizive ka analistë të paguar nga krimi i organizuar për të bërë avokatin e tyre. Njerëz që me vrasje kanë vendosur para. Që kanë prostituar dhe bërë para me vajza dhe nderin e tyre, me njerëz që kanë helmuar gjakun e të rinjve duke futur drogë dhe kanë marrë pjesë në rrjetet e krimit të organizuar ndërkombëtar, dhe që janë të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare apo dhe ajo e lodhur shqiptare, për njerëz që kanë njollosur në vijimësi Shqipërinë, të gjithë politikanët shqiptarë.
Ofensiva që ne po bëjmë nuk është një lojë, asnjë nga aksionet e radhës. Është operacion që e fut thikën m’u në zemër të krimit të organizuar. Duke goditur atë që e ka të shenjtë, pasurinë. Çuarja në burg e këtyre njerëzve është si t’i çosh me studime pasuniversitare jashtë shtetit.
Në burgje këta vijojnë bizneset dhe aktivitetet dhe duke përfituar me lidhje të gjithëhershme brenda për brenda burgjeve për të drejtuar operacionet fitimprurëse. Burgu nuk mjafton. Duhen zhveshur nga pasuria e paligjshme. OFL do i zhveshë. Dhe do ia bëjë të pamundur pasurinë e padeklaruar që është shumë më e madhe se e deklaruara. Me automjete lukzove i bëjnë karshillëk shtetit dhe komunitetit.
Të hapen në lokale ku shkojnë studentë, njerëz që janë nën tension nga rreziku i tyre. Llum si ky ka kudo, por është nëntokë, jo mbitokë si këtu. Janë hapur si vaji lakrat. Ne do i fusim në nëntokë. Jo të dyja mbitokë që mos merret vesh se kush është këtu, shteti apo krimi.
Edhe nën ndikimin e ushqyer nga ata, dhe nga ata që nuk janë në këtë Kuvend që e kthyen Kuvendin në një mejhane.
Që e përmendin çdo ditë PS dhe mazhorancën të lidhur me krimin. Pse u kujtuat sot dhe kaq vonë thonë qytetarët? Unë i numëroj ditët dhe kemi 6 vite e gjysëm pasi çdo ditë është e çmuar për mua.
Kjo e sotshmja nuk bëhej dot dje. Shteti është qeveria, parlamenti por edhe gjykatat. Duhet të kuptojmë që shtet është dhe policia. Por policia është vënë nën akuzë në mënyrën më të padrejtë jo sepse nuk i ka kapur këta, por sepse nuk janë dënuar kurrë, apo janë dënuar me shumë vonesë, apo janë dënuar dhe liruar, apo pasi janë dënuar, janë liruar, janë rikthyer në sallë dhe e kanë bërë prap krimin.
Po them vjet, me kë ta bënim këtë, kujt t’ja çonim ne ligjin special, dhe kujt t’ja çonte Policia dosjet e pasurive të këtyrë xhagajdurëve, që vranë, rrëmbyen, lundruan mbi drogë por morrën peng edhe debatin politik në Shqipëri, që u bë një debat të ulët, të poshtër dhe të neveritshëm.”- tha Rama.