Loading...

Mësuesi grushte me drejtorin e shkollës për ndarjen e orëve të mësimit

Një konflikt mes një mësuesi të shkollës së Podgories dhe drejtorit të shkollës ka shkuar deri në rrahje me grushta. Incidenti është bërë shkak që të reagojë edhe policia dhe Drejtoria rajonale e arsimit.

Policia e Korçës, me një njoftim për shtyp, tha se specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Maliq, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj mësuesit Eduart Xhone 32 vjeç, banues në fshatin Podgorie-Maliq.

Procedimi ndaj tij filloi pasi, ky shtetas duke qenë me detyrë mësues në shkollën e mesme të fshatit Podgorie, për shkak të detyrës, në ambjentet e saj, dyshohet se ka goditur Drejtorin e shkollës  Aleks Bezati 43 vjeç, banues në Korçë. Sipas të dhënave të para, sherri midis mësuesit dhe drejtorit të shkollës është ndezur për shkak të ndarjes së orëve të mësimit.

Eduart Xhone kundërshtoi ngarkesën në orë mësimore të caktuar nga drejtori i shkollës së Podgories. Ka të dhëna se Drejtoria arsimore rajonale Korçë, ka nisur hetimin administrativ për këtë incident.

Njëkohësisht, prej saj pritet edhe pezullimi nga detyra i mësuesit dhe drejtorit të shkollës Podgorie deri në hetimin e plotë të çështjes dhe nxjerjen e përgjegjësive nga policia dhe organi i Prokurorisë.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com