Loading...

Si kalohet nafta kontrabande nga Maqedonia ne Shqiperi!

[sgmb id=”1″]

Fiks Fare ka denoncuar sot futjen e naftës kontrabandë nga Maqedonia. Shqiptarët e kanë gjetur zgjidhjen për të përballuar çmimin e lartë të naftës në vend.

Diferenca e çmimeve të naftës dhe benzinës në shitje, mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, është rreth 68  lekë. Kjo ka bërë, që drejtuesit e mjeteve në zonën kufitare të udhëtojnë drejt Maqedonisë për t’u furnizuar me naftë, ku paguajnë vetëm 110 lekë për litër, nga 178 lekë që e blejnë në Shqipëri.

Forcimi i rregullave për të parandaluar kontrabandën e karburanteve nuk do të thotë se pengon këtë aktivitet nëse nuk forcon kontrollin në pikat doganore, sidomos kur atë mund ta gjesh më lirë në vendet fqinje.

Fiks Fare ndoqi nga afër sesi realizohet ky aktivitet tregtar i paligjshëm, që nga momenti i blerjes në Maqedoni, mënyrat e transportimit dhe deri te kalimi në pikat doganore pa e deklaruar mallin e blerë, pavarësisht ligjeve dhe akteve nënligjore që janë në fuqi. Për të ndaluar një aktivitet të tillë, ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani pati nxjerrë një urdhër që më 12 maj të vitit 2015, për kufizimin e importit të karburantit.

Në këtë urdhër, i cili është ende në fuqi, deklarohet se “përjashtohet nga detyrimet e importit karburanti që mbajnë serbatorët e zakonshëm dhe depozitat e posaçme të automjeteve tregtare, vetëm për sasinë deri në 200 litra për automjet dhe për çdo udhëtim.

Po ashtu, ky urdhër thotë që është i përjashtuar nga detyrimet e importit karburanti që mbajnë serbatorët e zakonshëm dhe depozitat e posaçme të automjeteve tregtare që kryejnë transport ndërkombëtar nëpër zonën e tyre kufitare me thellësi maksimale prej 15 km vijë ajrore, me kusht që udhëtimet të kryhen nga banues të zonës kufitare, vetëm për sasinë deri në 150 litra për automjet dhe për çdo udhëtim”. Por në të vërtetë sa zbatohet ky urdhër dhe a është gjetur mënyra për t’iu shmangur atij.

Gazetarët e Fiks Fare tregojnë sesi shumë banorë të zonave kufitare gjejnë lloj-lloj mënyrash për të rritur kapacitetin e serbatorëve të makinave të tyre dhe i mbushin me naftë në Maqedoni, ku nafta kushton 110 lekë për litër.

Fillimisht gazetarët e emisionit investigativ shkuan në Strugë, ku u xhirua mbushja e serbatorëve të autoveturave me targa shqiptare, por edhe me bidonë në pikat e tregtimit të karburantit në Maqedoni, të cilat më pas udhëtojnë drejt Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar me shtetin fqinj.

Madje një drejtues makine me targa shqiptare, kishte arritur të modifikonte depozitën e ujit që përdoret për larjen e xhamave me qëllim që t’i shmangej kontrollit doganor, të cilën e mbushte me naftë në Maqedoni dhe më pas e transportonte drejt Shqipërisë. Këtë depozitë uji, ai e kishte lidhur direkt me pompën e naftës, ndërsa naftën e serbatorit, ai nuk e harxhonte, pasi e mban rezervë për ta shitur. Por jo vetëm kaq, një tjetër bidon me naftë, ai e fut poshtë kofanos së mjetit, duke e importuar në vendin tonë.

Gjithsesi ai nuk është i vetmi, një shofer furgoni tregon se makinën e ka me dy serbatorë. Gjatë bisedës me gazetarët e Fiksit, ai shpjegon se një serbator e ka origjinal, ndërsa të dytin e ka marrë nga një tjetër makinë, pasi është më i madh për të transportuar sa më shumë naftë. Të gjitha këto mjete kalojnë pa problem në pikën doganore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, edhe pse transportojnë karburant kontrabandë.

Veç makinave të vogla e njëjta situatë ndodh edhe me kamionët. Nga biseda me punonjësit e policisë në doganë rezultoi se serbatori i kamionëve duhet të matet me shkop për të ditur sesa karburant ka brenda ose të verifikohet me peshën e kamionit.

Fiks Fare ndoqi sesi një kamion u mbush me karburant në Strugë dhe më pas u ndoq deri në pikën e kalimit kufitar në Qafë Thanë për të kuptuar sesi shmanget kontrolli për sasinë e tepërt të naftës.

Në hyrje të doganës tonë vihet re sesi kamionët ndalojnë në rrugë dhe mbushen me gurë, para se të kalojnë në Shqipëri. Ky veprim bëhet me qëllim që kur të peshohet në doganë, pesha e tij mos të sjellë dyshim për karburant tepër, por ata justifikohen me faktin se peshojnë gurët dhe në këtë mënyrë nuk kontrollohet serbatori. Pas kësaj teknike, kamioni kalon pa problem në tokën shqiptare.

Një fakt të tillë të mbushjes së serbatorëve me karburant më shumë sesa lejohet, e pranon edhe një punonjës karburanti. Në bisedë me gazetarët e Fiksit, ai tregon që kamionët mund të marrin deri në 400 ose 500 litra, por duhet të kesh mik në doganë

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com