Loading...

Aeroporti i Vlorës/ VOA: Vijojnë punimet mes kundërshtimeve nga mbrojtës të mjedisit

Dy vjet, pas nëntorit të vitit 2021, kur filloi ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, punimet po vijojnë me ritëm të lartë në ngritjen e godinave të shërbimit, ndërsa dy pistat ku do të ulen avionët kanë përfunduar.

Këtë vit ka nisur ndërtimi i segmentit nga rruga kombëtare Fier-Vlorë drejt aeroportit dhe qeveria ka miratuar në buxhetin e vitit 2024 edhe një financim tjetër për përfundimin e punimeve të kësaj rruge.

Qeveria shqiptare i ka shpërfillur deri tani reagimet e organizatave mjedisore dhe një rekomandim të shtatorit të këtij viti të Konventës së Bernës për pezullimin e punimeve për aeroportin e Vlorës deri në kryerjen e një vlerësimi të ri të ndikimit mjedisor.

Konventa e Bernës e njohur ndryshe edhe si Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitatet Natyrore Evropiane është një instrument juridik detyrues ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së natyrës. Shqipëria e ka nënshkruar këtë Konventë në vitin 1995 dhe ka hyrë në fuqi në maj të vitit 1999.

Dy muaj më parë Aleanca për Mbrojtjen e Ligatinave të Mesdheut, një grupim organizatash për mbrojtjen e mjedisit i dërguan një letër kryeministrit shqiptar Edi Rama, Komisionit Europian dhe Organizatës Ndërkombëtare për Transportin Ajror, (IATA), ku kërkojnë pezullimin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës në Lagunën e Nartës. Letra ishte firmosur nga 33 organizata mjedisore nga të paktën 27 shtete në rajon.

Gjykata e Tiranës ka në shqyrtim, ndërkaq, një padi të depozituar në nëntor të vitit 2022 nga dy organizata mjedisore shqiptare, “PPNEA” dhe “AOS”, me mbështetjen e organizatës ndërkombëtare “EuroNatur”, që kundërshtojnë planin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës në Lagunën e Nartës.

Gjykata Administrative e shkallës së parë të Tiranës kishte vendosur në nëntor 2022 të mos pranonte padinë e depozituar të dy organizatave mjedisore shqiptare, por Gjykata Administrative e Apelit e ka rrëzuar këtë vendim duke u dhënë legjitimitet organizatave mjedisore të ballfaqohen në gjykatë me qeverinë lidhur me vendimmarrjen për ndërtimin e aeroportit.

Qeveria shqiptare nga ana e saj ka deklaruar se projekti për të ndërtuar aeroportin e Vlorës nuk prek zonën e mbrojtur të Nartës, por përkundrazi i jep zhvillim turizmit dhe gjithë qarkut.

Sipas autoriteteve qeveritare në thelb projekti parashikon investim në zonën ku dikur ka qenë aeroporti i vjetër dhe janë parë mundësitë që projekti të respektojë rregullat për mjedisin.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi verën e këtij viti në rrjetet sociale të fotove që tregonin pistën e re të aeroportit të sapondërtuar u shpreh se punohet me ritëm të lartë me synimin për të ulur avionin e parë në verën e vitit 2025 në Aeroportin e Vlorës.

Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë është sipas vlerësimit të organizatave një ndër sistemet ekologjike më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në vend, shtëpi e llojeve të rëndësishëm të florës dhe faunës dhe pjesë e disa rrjeteve ekologjike ndërkombëtare, korridorit shtegtues të Adriatikut, me më shumë se 220 lloje shpendësh.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga “Mabetex” e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, “Yda Group”, e cila kishte 48 % të aksioneve , ndërsa 2 % i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”.

Në Mars të këtij viti shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania “Mabco Constructions”, ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi bleu me 4450 euro aksionet që zotëroheshin nga kompania turke.

Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 104 milion euro./VOA

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com