Shembja e urave në Itali po kthehet në një fenomen të zakonshëm! Gjatë ditës së sotme, një urë lidhëse me autostradën në Fossano është shembur duke zënë nën të një automjet të karabinierëve, që kishin ngritur një postbllok pak më tutje.
Fatmirësisht në momentin e shembjes, karabinierët nuk kanë rrezikuar të ziheshin përfund strukturës së betonit, pasi pak sekonda më parë kishin dëgjuar zhurmën e krisjes së strukturës së urës dhe ishin larguar për të shpëtuar kokën.
Për fat të mirë, nga ana tjetër, në momentin e shembjes nuk po kalonte ndonjë automjet mbi urë.
Autoritetet italiane po punojnë për të zbuluar shkaqet e shembjes. Kjo është shembja e tretë e urave në 6 muaj.
Në muajin mars, shembja e një ure në autostradën A14, në Castelfidardo shkaktoi vdekjen e një çifti, të zënë përfund strukturës së betontë. Ndërkohë, në tetor 2016, një incident i ngjashëm u regjistrua në Lecco, ku humbi jetën një drejtues mjeti.