“Nuk do të presim mandatin e tretë për dy porte të Vlorës, sepse ky që është atje në qytet do të bëhet një port turistik”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama u ndal te disa prej investimeve strategjike, ku veçoi portet e Vlorës.
“E kanë premtuar të gjithë komplet në të gjitha fushatat. Mbaj mend kur shkonim në fushata në kohën e largët, premtonin Transballkaniken dhe portin turistik. Këto të dyja. Transballkanikja, unë atëherë nuk e dija se për çfarë ishte fjala, se më dukej sikur do sillte gjithë Ballkanin në Vlorë. Kurrë nuk u bë. E bëmë ne”, – tha Rama.
Po ashtu ai tha se “portin turistik do e nisim dhe do e nisim brenda pak kohësh”. “Në pranverë do të jetë kantier para përfundimit të mandatit, dhe ndërkohë do ndërtojmë portin e ri të mallrave te Triporti për mallrat dhe për peshkatarët e Vlorës”, – tha ai.
Rama tha po ashtu se “brenda disa javësh do të shpallet gara për aeroportin e Sarandës”. /atsh