Brenda pak javësh fillon ndërtimi i rrugës Milot-Fier, më në fund një rrugë ku makina ka rrugën e vet.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS ku theksoi se, “paralelisht me fillimin e Milot-Fierit do shpallim Milot-Muriqanin, sepse do e çojmë Korridorin Blu, ju kujtohet kur unë thoja Korridori Blu që dilte Saliu normalisht të paktën tek bluja nuk duhej të shtrembërohej e zgërdhihej që çfarë janë këto fantazira. Korridori Blu është projekt europian dhe nga Muriqani deri në Vlorë do shkohet pa ndaluar e pa u penguar nga askush”.
“Nga ana tjetër është dhe Milot-Rrësheni. Se këta thonë bëmë Rrugën e Kombit. Rruga e Kombit akoma vazhdon atje. 7 ura u ndërtuan në këtë kohë, ura e madhe atje lidhëse po ndërtohet tani, pa llogaritur investimet e tjera. Kush shkon atje e vjen nga atje e dinë shumë mirë që është një gyp nga Rrësheni deri në Milot dhe kjo është një infrastrukturë strategjike që me planin e financimit europian është në dorë tonë që ta bëjmë”, – u shpreh Rama. /atsh