Nezihat Stërmasi, bashkëshortja e legjendës së futbollit bardhë e blu, Tiranës, mori një surprizë të veçantë për 100-vjetorin e saj.
E rrethuar nga trofetë e shumtë të bashkëshortit të ndjerë, futbollistit, trajnerit dhe ish-presidentit të skuadrës KF Tirana, Nezihati mikpriti në shtëpinë e saj kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili i uroi jetë të gjatë dhe i shprehu vlerësimet më të larta, si një prej figurave ikonike të lidhura ngushtësisht me futbollin kryeqytetas, por edhe me vetë Tiranën kryeqytet.
“Ky vit është kaq shumë i rëndësishëm për ne: Bëre ti 100 vjeç, edhe Tirana mbushi 100 vjeç”, tha ai, pasi i dhuroi nënë Nezihatit Kullën e Sahatit, në shenjë respekti ndaj zonjës së një prej lojtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ndërsa, ajo e priti kryebashkiakun me fjalë zemre dhe e falenderoi për vlerësimin e bërë.
Duke iu referuar një prej vendimeve të pritshme të Këshillit Bashkiak për shpërblimin e ekipit të Tiranës, i cili u shpall kampion i Shqipërisë, Veliaj tha se fituesit duhet të shpërblehen për rezultatet e tyre.
“Njeriu shpërblehet kur punon dhe kur ka rezultat. Këtë vit ekipi na nderoi. Por, duhet vazhduar kështu, kushtet i kanë dhe nuk është si në kohën e Selmanit, kur s’kishte as kushte e sporti ishte heroizëm. Të hënën do t’i shpërblejmë për fitoren, do ua hedhim në llogari secilit, sipas kontributit”, tha ai, duke shtuar se sporti s’duhet ngatërruar me politikën, ashtu siç s’duhet politizuar as tërmeti e as pandemia.
Sipas tij, politizimi nuk i bën mirë zgjidhjes së problemeve. “Kishim një rast në Kinostudio për dëmshpërblimet e tërmetit. Kundërshtarët e mi thonë që s’i ka marrë lekët! Në fakt, lekët i ka tërhequr burri dhe s’ia kishte treguar gruas. Detyra e shtetit është të të dëmshpërblejë dhe të të ndihmojë, por Tirana ka 265 mijë familje dhe s’mund të çojmë staf në çdo familje për t’i pajtuar. Ti ia jep paratë kryefamiljarit, kurse partia shkon dhe kap gruan e këtij dhe bëjnë çështje televizive një histori familjare. Ndaj u them njerëzve, mos e politizoni sportin, mos i politizoni hallet, se çdo gjë ka karar, jo çdo gjë është politika!”, tha Veliaj. /atsh