Loading...

Hapje graduale e fluturimeve mes Shqipërisë dhe SHBA

Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli-Faber theksoi sot se, “Qeveria shqiptare i është përgjigjur të gjithë kërkesave të qytetarëve shqiptar që duhej të udhëtonin nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë në këto kohë tepër të vështira të Covid-19.

“Gjatë muajve të fundit, Ambasada e Republikës së Shqipërisë, ka mbështetur mbi 600 qytetarë shqiptar që të udhëtojnë nga SHBA drejt Shqipërisë nëpërmjet procesit të riatdhesimit”, shtoi ajo.

Ambasadorja nënvizon se, “duke filluar nga data 15 qershor, fillon gradualisht hapja e fluturimeve me disa vende të Europës. Kjo situatë e rrit mundësinë e udhëtimeve nga SHBA drejt Shqipërisë, tashmë jo vetëm për qytetarët shqiptar por edhe për qytetarët amerikanë”.

“Pas ndërprerjes së fluturimeve në fund të muajit Mars, po hapet gradualisht edhe mundësia e fluturimeve nga Shqipëria drejt SHBA-ve. Duhet nënvizuar se akoma është në fuqi rregulli që parashikon se: “Mund të hyjnë në SHBA, të gjithë ata shtetas (shqiptar në rastin tonë) që nuk kanë qëndruar ose udhëtuar tranzit në asnjë prej vendeve të hapësirës Shengen, Britanisë së Madhe, Irlandës, Iranit, Kinës ose Brazilit brenda 14 ditëve të mëparshme (numëruar nga dita që mbërrijnë në Amerikë) para udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara”, theksoi Faber.

“Gjatë muajit qershor, Turkish Airlines dhe Air Serbia do të fillojnë të operojnë me fluturime drejt disa qyteteve amerikane dhe në kthim”, tha ajo.

“Sipas rregullave aktuale në fuqi, të gjithë shtetasit shqiptar mbajtës të vizave turistike dhe studentore që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Amerikës, mund të udhëtojnë vetëm nëpërmjet Turkish Airlines dhe Air Serbia. Ndërsa qytetarët shqiptar, mbajtës të lejeve të qëndrimit “green card” dhe pasaportave amerikane, nuk kanë asnjë kufizim për hyrjen në SHBA nëpërmjet udhëtimeve edhe nga vendet e Europës”, u shpreh Faber.

“Për shkak të situatës dhe vendimeve individuale të çdo shteti, rregullat, datat dhe oraret e fluturimit ndryshojnë çdo ditë. Sugjerojmë që gjatë kësaj periudhe të blini biletat tuaja nëpërmjet agjencive të fluturimit dhe jo nëpërmjet platformave online, me qëllim që të siguroheni informacion të saktë dhe të keni mundësi komunikimi kur keni pyetje”, theksoi ajo.

“Duke uruar që situata e COVID-19 të shkojë drejt përmirësimit, mos harroni: ruani distancën, përdorni maskat dhe zbatoni rregullat e higjienës!”, përfundoi ajo. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com