Gëzim sinoamataj u ekzekutua me plumb në kokë nga një snajper, teksap inte cigare
Vrasja e 23-vjeçarit në Vlorë, Gëzim Sinomataj, ishte një nga ngjarjet më të bujshme që shënuar nisjen e vitit 2024. I riu u vra me një plumb në kokë teksa kishte dalë në ballkonin e banesës së tij për pirë një cigare. Skenë kjo, e cila është e denjë për filma.
BalkanWeb sjell në fokus detaje të reja, si dhe hedh dritë mbi pistat e hetimit, për zbardhen e plotë të ngjarjes, dhe se kush e donte të vdekur Sinomataj. Ky i fundit, një i ri që kishte zgjedhur lirinë, edhe pse babai dhe xhaxhai i tij, kishin shumë ‘hesape’ të hapura.
Por a lidhet vrasja e tij me ‘hesapet’ që kishte xhaxhai i tij me Edison Harizajn, kundërshtari i përbetuar?!
Ai kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Belgjika, ku ndryshe nga të afërmit e tij thuhet se kishte zgjedhur të ndiqte një tjetër rrugë në jetë, atë të studimeve dhe të qenit larg problemeve. Probleme që kishin përndjekur familjen e tij të ngushtë dhe konkretisht, babanë dhe xhaxhanë e tij, dy njerëz të sprovuar me krimin.
Por ndërsa i riu Gëzim Sinomataj, kishte menduar se rruga e tij do të ishte e ndryshme nga ajo e dy njerëzve të tij të afërt të familjes, dhe mund ta shijonte lirinë pa u shqetësuar nga armiqtë që ata kishin krijuar, 23 vjeçari duket se i kishte bërë llogaritë gabim.
Mbrëmjen e 7 Janarit të fillimvitit 2024, ai po qëndronte pikërisht në ballkonin e banesës së tij në në lagjen ‘Hajro Çakërri’ në Vlorë, ku kishte dalë aty për të tymosur një cigare. Por vetëm pak sekonda pasi po shijonte i qetë cigaren, një plumb i vetëm snajperi e qëlloi në kokë, për t’i marrë jetën.
Në atë moment askush nuk kuptoi asgjë. Madje as familjarët e tij që në atë çast fatkeq ndodheshin brenda në banesë. Gjithçka më tej u pasua nga një heshtje e gjatë. Ndërsa poshtë në rrugë u dëgjua vetëm xhirimi i shpejtë i gomave të një makine, që u zhduk në errësirë, dhe tymi i monoksidit të karbonit që la pas marmita e automjetit të autorëve.
Por kush ishte Gëzim Sinomataj dhe cili ishte faji që ai kishte kryer, që i mori jetën në mënyrë aq tinëzare dhe njëkohësisht të sofistikuar? A ishte ai në të vërtetë objektivi i atentatit, apo ai pagoi çmimin e gjakut që duhet të shlyente babai apo xhaxhai i tij? A kemi të bëjmë në rastin e tij me shënjestrën e gabuar, apo për atentatorët pak rëndësi kishte se kush ishte preja, mjafton që viktima e tyre të mbante mbiemrin Sinomataj?
Sipas të dhënave, i riu Gëzim Sinomataj, ishte kthyer në Shqipëri më datë 18 Dhjetor 2023, për të festuar festat e fundvitit.
Për shkak se babai i tij, vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Fushë Krujë dhe nëna i ka ndërruar jetë disa vite me parë, i riu gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri kishte vendosur të jetonte në banesën e xhaxhait, Bernardit dhe bashkëjetueses së tij, të dy me dokumente rumune.
Edhe pse babai i tij ishte i dënuar për krime të rënda, të cilat lidheshin me ngjarjet e ndodhura në qytetin e Vlorës, në vitin 1997, 23 vjeçari, i cili mbante emrin e xhaxhait të tij të ndjerë, të vrarë pikërisht në këto vite, nuk qëndronte i mbyllur në banesë, gjatë kthimit në atdhe. Përkundrazi, ai kishte vendosur të lëvizte i lirë.
Teksa shikohej shpesh të frekuentonte bare të ndryshme në qytetin bregdetar, duke zgjedhur madje të mos përdorte qoftë edhe një makinë të blinduar. Ashtu si edhe në ditën e tij të fundit të jetës, ku u pa të lëvizte i pashqetësuar në qytet.
Për t’u kthyer në mbrëmje në banesën ku qëndronte, atë të xhaxhait të tij, Bernardit që mbante edhe emrin Spiro, një apartament pranë Poliklinikës në Vlorë.
“Rreth orës 22:00, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar dyshohet me armë zjarri shtetasi Gëzim Sinomataj, 23 vjeç, banues në Vlorë, i cili për pasojë ka ndërruar jetë. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit, si dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative, me qëllim kapjen e autorëve.”- njoftonte policia.
Për policinë lokale vrasja e të riut ishte më shumë se mafioze. Forma dhe mënyra se si 23-vjeçari u ekzekutua, linte pak dyshim për ta, se autorët ishin aty për t’i dhënë një mësim sipas tyre të merituar familjes Sinomataj.
Po ashtu për t’u treguar atyre se ata nuk ishin të paprekshëm dhe se mund t’i qëllonin edhe aty ku ata mendonin se ndiheshin më të sigurtë se kudo.