Merkato ka hyrë në një fazë interesante të saj, pasi klubet po përpiqen të mbyllin lëvizjet e projektuara para se të nisin fazën e tyre përgatitore dhe ky është një parim i përgjithshëm për transferimet verore dhe objektivat që kanë klubet në treg para se të nisin një edicion të ri. Një nga lojtarët shqiptar që është aktualisht në pritje të mësojë emrin e ri të skuadrës është Thomas Strakosha, i cili është në bisedime me disa klube angleze dhe së fundmi gazetarët e njohur të merkatos në Itali e radhisin krah klubit të Çelsit, një surprizë e vërtetë kjo që u shfaq ditën e djeshme.
Nuk është vetëm gazetari italian Fabrizio Romano që e ka shkruar këtë, por media të ndryshme në Itali dhe në Angli këmbëngulin që Strakosha jo vetëm është në bisedime me klubet angleze, por me shumë gjasë ai mund të veshë fanellën e Çelsit sezonin e ardhshëm, për momentin në statusin e portierit të dytë.
Qëndrimi i gazetarëve italianë
“Gardiani” i portës së skuadrës tonë kombëtare, Thomas Strakosha, vijon të ngjallë kështu interes në klubet e Premier League angleze dhe konfirmohet plotësisht se përveç Njukasëllit, shqiptarin është duke e ndjekur me vëmendje edhe Çelsi. Ky lajm është bërë publik nga eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, i cili në një postim në “Tëitter” shkruan se portieri “kuqezi” është një nga opsionet e “bluve” të Londrës, duke qenë se aktualisht është lojtar i lirë. “Thomas Strakosha është duke tërhequr interesin e klubeve të mëdha duke qenë se është lojtar i lirë.
Çelsi po e konsideron si një opsion, në rast se Kepa do të largohet nga klubi këtë verë”, shkruan Farbizio Romano. Pas 10 vitesh pjesë e klubit të Lacios, shqiptari ka vendosur të mos e rinovojë kontratën me klubin italian dhe pas 30 qershorit do të jetë lojtar i lirë. Arsyeja pse Strakosha vendosi të mos rinovonte me klubin italian lidhet jo vetëm me anën financiare, por edhe me kushtin që shqiptari i vendosi Lacios, pra roli i padiskutuar i titullarit. Pra mbetet të shihet deri në fund se çfarë qëndrimi do të mbajë ai, nëse do ta pranojë Çelsin, apo do të shohë mundësinë e një ekipi tjetër që i ofron rolin e titullarit.
Kombëtarja
Strakosha është i konfirmuar tashmë si portier i përfaqësueses, me të cilën ka luajtur shumë ndeshje e do të luajë edhe më shumë në të ardhmen duke pasur parasysh moshën jo premtuese të Etrit Berishës. Edhe pse në rivalitet, dy portierët tanë kanë pasur momente të mira në Serinë A por edhe në Kombëtare dhe ata janë alternuar mjaft mirë me njëri-tjetrin. Por kanë edhe cilësi, pasi vetë trajneri Edi Reja është shprehur më shumë se një herë se portierët e Kombëtares janë të nivelit më të lartë në Europë. Në muajt e fundit titullar ka qenë Berisha, por kjo jo vetëm prej formës, por më së pari sepse Strakosha mungoi për shkak të angazhimeve të tij në bisedimet me klubet angleze, pasi është kuptuar tashmë se ai do të largohet nga Lacio e do të kalojë në Premier League (me shumë gjasë) e dje në listën e klubeve të interesuara u shfaq edhe Çelsi.