Ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare, mjeku epidemiolog Memo Boci.
Mjeku i njohur është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm, pas komplikimeve të shkaktuara nga avancimi i moshës.
Lajmin e trishto e ka bërë me dije doktoreshë Siva Bino, e cila vlerëson rolin e tij në luftën me HIV/AIDS dhe thotë se prej tij, Shqipëria nuk pësoi katastrofë.
Mesazhi i plotë i Binos
“Mbaj mend që ishin ditë me shi dhe ishte shkurt 1988. Prisja se kush do të ishin anëtarët e komisionit të provimit pasuniversitar të epidemiologjisë. Në atë kohë sëmundjet infektive dhe higjiena siç quhej ishin një departament por ndërsa për sëmundjet infektive ishin profesorët e infektivit, për epidemiologjinë duhej një komision më i gjerë. Do të jetë Memo Boci më thanë, i cili në atë kohë ishte Drejtor i Përgjithshëm i Higjienës dhe Epidemiologjisë në MSH. Do ta vendose ai se ku dhe kur. Më në fund u la data 29 Shkurt. Memo Boci ishte legjenda e programeve dhe punëve të higjienës dhe parandalimit. Dr.Memo zakonisht vendoste që këto provime të kryheshin në Institutin e Higjienes si vendi kyç i parandalimit dhe ashtu u bë. Ishte aq miqësor dhe i qeshur dhe ma hoqi menjëherë ankthin e provimit.
Pyetja e pare ishte se pse kisha zgjedhur këtë nëndegë dhe pastaj vazhduam me tezat e provimit. Më pas më la një detyrë të veçantë të shoqëroja një konsulent të famshëm të OBSH të HIV/AIDS, Dr.Daniel Tarantolen në vendet e sterilizimit të shiringave dhe më lejoi të merrja pjesë në takimin përfundimtar me të ku u tha qartë se çfarë katastrofe e priste Shqipërinë po të mos merreshin disa masa. Të cilat një për një Dr.Memo u përpoq aq shumë dhe u morën qysh nga depistimi i gjakut, shiringat me një përdorim etj. Këto që ne sot i marrim të mirëqena u vendosën më shumë mund nga Dr. Memo Boci. E më vonë kur ne do të paraqiteshim nëe konferencën për AIDS në Lisbonë në vitin 1990 ishte ai që pa asnjë ngurrim na vuri në dispozicion materialet që prezantimi Shqipërisë të ishte sa më dinjitoz. Ishte Memo Boci personi që me dedikim nuk lejoi që Shqipëria të pësonte katastrofë nga HIV/AIDS dhe që ndërtoi programin e parë të parandalimit të HIV/AIDS në vend.
Dr.Memo ishte një person që përqafonte çdo gjë të re dhe nuk përtonte të ndihmonte të rinjtë. Ishte një model i njeriut punëtor e të përkushtuar në fushën e parandalimit. Kurioz nga natyra dhe me etjen për të mësuar në çdo kohë themeloi shoqatën ‘Stop AIDS’, që u bë pararoja e shoqërisë civile për HIV/AIDS.
Një burrë i mençur dhe plot forcë që do të na mungojë shumë. Shpresuam shumë që do ja dilte por nuk mundëm. Pusho në paqe profesori ynë tu kesh lënë uratën djemve Arianit që nuk tu nda me shërbimin e tij, Jonës e mbesave.” /noa.al