Mikaela Metalla, edhe pse e vogël në moshë ka kaluar në radhën e saj dy ekipe të rëndësishme të kampionatit të femrave.
Fillimisht është aktivizuar me Tirana AS, ndërsa tani luan me Teutën. Dëshirën që ka për të luajtur futboll dhe për t’u bërë një futbolliste me emër nuk e shmang dot.
Për “fshf.org” Mikaela, maturante këtë vit u bën thirrje bashkëmoshatarëve të saj e sidomos atyre femra, që të mos tërhiqen pas por të besojnë te vetja. Mikaela aktivizohet edhe në ekipin kombëtar të femrave U-19.
“Që kur kam qenë e vogël në fakt unë kam qenë shumë aktive në fushën e sportit dhe kryesisht në atë të futbollit. Në garat e shkollës nuk mungoja kurrë dhe ku kishte ndonjë ndeshje unë isha e para që kisha dëshirë dhe arrija të merrja pjesë”, tregon ajo.
Ajo tregon se ishte babai i saj personi i parë që e afroi em futbollin. “Babai im në fakt më ka mbështetur që kur unë kam qenë e vogël. Ai e shihte se sa unë mundohesha dhe e pëlqeja futbollin dhe nuk kërkoi asnjëherë nga unë që të tërhiqesha, por përkundrazi besoi tek aftësitë e mia. Falë tij, edhe pse jam ende e vogël, unë jam kjo që jam sot”, thotë ajo.
“Duke qenë se unë jam ende në gjimnaz, përveç mësimeve që kam, stërvitem edhe me ekipin pasditeve, rreth dy orë. Duke e ditur që kaq orë nuk më mjaftojnë për të arritur aty ku unë dua të arrij, stërvitem edhe kur gjej kohën e lirë (por gjithmonë pasi kam bërë detyrat)”, tregon ajo.
Ajo shprehet se ka sakrifikuar shumë për futbollin. “Unë aktivizohem me klubin e Teutës dhe duke qenë se nuk banoj në qytetin bregdetar, detyrohem që të udhëtoj çdo ditë për në Durrës, për të mos humbur stërvitjet. Kjo nuk është e thjeshtë për mua, pasi siç ju thashë edhe më sipër, unë ende jam në shkollë dhe thuajse të gjithë pjesën e pasdites ia dedikoj futbollit”, thotë ajo.
Për planet e së ardhmes ajo rrëfen se, “unë mendoj se çdo njeri që merret me futbollin ka vetëm një synim, që të bëhet i famshëm. Unë zgjohem çdo ditë me shpresën se do ia dal të korr sukses në këtë fushë dhe të bëhem e famshme në futbollin e femrave. Ndoshta ëndrra ime do të realizohet pasi shoh se futbollit të femrave po i jepet shumë rëndësi kohët e fundit”.
Ajo ka një mesazh “për të gjithë ata që duan të bëhen futbollistë dhe sidomos për femrat, pasi e di që këtu në Shqipëri është pak e vështirë të flitet për vajza që luajnë futboll. Unë do t’u sugjeroja të mos tërhiqeshin kurrë dhe të vazhdojnë të luajnë pavarësisht faktit se a kanë njerëz që i mbështesin apo jo. Mjafton të besoni te vetja dhe do ia dilni”.
Ajo shprehet se idhulli i saj në kombëtare është trajneri i saj në ekipin kombëtar, profesor Agustin Kola. “Kam mësuar shumë nga ai dhe shpresoj të vazhdoj të mësoj për shumë gjatë”, thotë ajo./atsh