Loading...

FOTOGALERI/ E diplomuar për Drejtësi, tashmë fotografe profesioniste, Fjoralba Maliqi: Duhet të ketë pasion në atë gjë me të cilën merresh çdo ditë

TIRANË, 19 korrik/ATSH-Z.Tosku/ Dikur mjaftonte vetëm një foto e gjithë familjes për të dokumentuar rastet e festave, ditëlindjeve apo ceremonive të ndryshme, ndërsa sot sjellja në jetë e një fëmije fiksohet që nga momentet e para.

Buzëqeshja e parë, vrenjtja e vetullave e një fytyre ëngjëllore, momentet e paqta të gjumit, pozicionet e papërsëritshme prej foshnjeje, gjithçka bëhet pjesë e albumit me të cilin krenohen shumë nëna të reja.

E gjitha kjo nuk do ishte e mundur pa fotot profesionale që arrijnë të fiksojnë momente unike.

Fotografitë e fëmijëve që janë duke dremitur të qetë, janë kthyer në fokus të punës së përditshme të Fjoralba Maliqit.

“Bebet janë të pafajshme dhe të mbushura me jetë. Më emocionojnë gjithmonë”, shprehet fotografja për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Ajo ishte vetëm 16 vjeç kur ka shkrepur fotografinë e parë profesionale, ndonëse ka përfunduar studimet në fakultetin e Drejtësisë, por pasioni për fotot ishte më i madh se dëshira për të ushtruar profesionin e juristes.

Ndodhemi në zonën e Freskut në Tiranë, aty takojmë Fjoralbën, një vajzë rreth të 25-ve e cila na pret me dashamirësi ndërsa na fton në studion e saj të fotografisë, ku krijon art çdo ditë me bebet e sapolindura. Fytyrërrumbullake, me tipare bionde e errët, me sy të këndshëm, buzëqeshje e lehtë. Ajo na fton të hyjmë brenda në hapësirën e “bebeve”.

E vendosur në Tiranë qëkur ishte 2 vjeçe dhe me origjinë nga Berati, ajo na tregon se si lindi dëshira e saj për t’u bërë fotografe profesioniste.

Pothuajse të gjitha foshnjat, Fjoralba i fotografon në një pozicion si të bretkosës, ndërsa të tjerat të shtrira në mënyra të ndryshme. Me lehtësi ajo u vendos foshnjave duart në mjekër, kurse këmbët ua vendos anash. Në shkrepjet e saj, fotografja që jeton në Tiranë arrin të fokusojë qëndrimet e çuditshme të bebeve, por edhe ato nga më të gëzueshmet.

“Isha vetëm 16 vjeç kur shkrepa fotografinë e parë profesionale ndërsa prej 8 vitesh e ushtroj si profesion. Kam përfunduar studimet për drejtësi, gjë që nuk ka lidhje fare me fotografinë. Ajo që mund të them është se nuk ka qenë si zbulim talenti pasioni im për foton por ka ardhur në mënyrë graduale. Kisha pasion të fotografoja vendet që mund të vizitoja. Një pjesë kohe ndodhesha në një program televiziv thjesht si publik. Më tërhoqi shumë bota e spektaklit dhe sigurisht me një aparat timin, shumë modest nisa të fotografoja çfarë bëja aty derisa dikush më ofroi punë për të qenë fotografe e backstage të atij programi”, tregon ajo.

Delikatesa, qetësia e të sapolindurve, lëvizja e tyre e pafajshme gjatë fotografimit, janë elementet që sipas Fjoralbës të zbukurojnë ditën.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të fotografosh të sapolindur. Krahas faktit që ushtroj një profesion me pasion, detajet e fëmijëve e bëjnë punën akoma më të bukur. Bebet i fotografoj qëkur nis t’u bjerë kërthiza, i themi ne. Pra nga 10 ditësh e deri njëmuajsh që është periudha me e mirë për t’i fotografuar pasi shumicën e kohës ata janë në gjumë ose kur zgjohen dhe duan të ushqehen me gji. Me të sapolindurit është shumë e lehtë të punosh. Foshnjat 2 deri në 4 javësh janë pothuajse tëre kohës në gjumë. Në një fare mënyre, janë të menaxhueshëm, t’i pozicionosh për të bërë fotot”, shprehet Fjoralba.

Fjoralba rrëfen për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se fotografimi i bebeve është kthyer në trend tanimë.

“Unë i sugjeroj të gjithë klientëve kur bëjnë fotot e shtatëzanive, u sugjeroj që të mos e lënë pa ja bërë setin e ‘newborn’ sepse është një nga periudhat më të bukura, momente të veçanta në jetë që nuk i kthen dot mbrapa. Një periudhë e bukur fotografimi është edhe kur bebi nis të qëndrojë vetë i ulur, pasi me një hutim të vogël apo truket tona, fëmija buzëqesh. Mund të them që nga 8 muajsh deri në 1 vjeç, është moshë e bukur për të gjetur idealin e fotografimit. Pra, pa marrë këmbët ende”, vijon rrëfimin ajo.

“Bebet janë të mrekullueshme por gjithmonë kam sikletin që t’i nxjerr në foto perfekt”, thotë herë pas here Fjoralba teksa na rrëfen për fëmijët.

“Bebet janë të mrekullueshme, janë emocionues përherë përpara aparatit fotografik. Në momentin që fotografoj një të sapolindur kam siklet sepse dua t’i bëj foto perfekte. Ka fëmijë që qëndrojnë mirë por ka edhe nga ato që edhe nuk qëndrojnë. Të them të vërtetën, më kap një siklet sepse dua t’i nxjerr sa më bukur. Përpara foshnjave ndjej përgjegjësi më të madhe, para pafajësisë së tyre emocionohem gjithmonë. Por, gjithsesi, në një mënyrë apo tjetrën bëj fotot që kam menduar para se të nis setin. Sytë e mbyllur, duar e këmbë si atyre të kukullave, fotografimi i te cilave mund të shkojë deri në 4 orë”, rrëfen ajo.

“Para një jave kisha një fëmijë të sapolindur që më mori 4 orë. Ishte një fëmijë shumë i ndjeshëm. Në momentin që unë e pozicionoja për fotografi, niste të lëvizte. Pata edhe një fëmijë tjetër, për të cilin m’u desh të përfundoja punë për një orë madje me 5 skena. Mund të them që mesatarisht më duhen 3 orë për setin e fëmijëve. Frymëzimi im gjendet tek çdo gjë e bukur, të cilën e shoh si një skenografi të mundshme për të sapolindurit”- thotë Fjoralba teksa shpjegon me duar sesi ideon skenografitë për foshnjat.

“Sot ke mundësi plot për të krijuar gjëra shumë të bukura. Bota e internetit dhe veçanërisht “pinterest” ofron mundësi zgjedhjeje të cilat mund t’i realizosh. Frymëzohem nga çdo gjë e bukur. Kur shoh një skulpturë apo souvenir gjithmonë mendoj për një bebe sipër ose brenda. Pra, aty lindin idetë e mira për skenografi. Ka prindër të cilët më kërkojnë gjëra specifike. Për shembull nëse fëmija e ka emrin Hana, më pyesin nëse mund të krijojmë ndonjë hënë. Por, përgjithësisht skenografitë janë të ideuara prej meje”, shton ajo.

“Nuk e shoh veten në asnjë fushë tjetër pavarësisht se unë kam mbaruar fakultetin e Drejtësisë”.

“Fotografia ka shumë treg dhe ka dallim mes atyre që ngrenë një biznes dhe ata që e kanë pasion. Fotografia është art dhe që të arrish të bëhesh dikushi, pra të arrish një stad në punën tënde do të thotë që e ke pasion atë gjë me të cilën merresh çdo ditë. Duhet ta duash fotografinë e jo ta trajtosh si biznes sepse kështu nuk ke rezultate në afatgjatë. Të duash e të krijosh është art më vetë për të cilin ose je i talentuar dhe dallon, ose përpiqesh edhe më pas nuk ja del dot”, thotë Fjoralba.

Fjoralba na tregon se stina e verës dhe festat e fundvitit janë periudhat më të ngarkuara për sete, megjithatë fotografimi i bebeve është kthyer në trend dhe ka shumë kërkesa. /j.p/

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com