Loading...

Fatmir Frashëri personazhi i veçantë i botës së sportit shqiptar

Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar sot në 1- vjetorin e ndarjes nga jeta futbollistin legjendar të Tiranës, Fatmir Frashërin.

“Fatmir Frashëri ishte një ndër legjendat e “Tironës” që asokohe quhej “17 Nëntori”. Rasti e solli ta njihja personalisht shumë më vonë se sa koha e largët, kur mbante shiritin e kapitenit në mes të gardhit mbrojtës të skuadrës së tironsave. E takova një ditë në studion e mikut tonë të përbashkët, piktorit Ramadan Karanxha, ku dëgjuam muzikë klasike në gramafonin heroik të Danes dhe profesori i fushës së blertë fliste me pasion për violinistin e famshëm Yehudi Menuhin! Qysh atëherë u takuam në kohë të ndryshme deri vonë – mora prej tij këshilla të vyera për stërvitjet e forcës, kur luaja me skuadrën e parë të Dinamos, ndërkohë që profesori ishte traineri i futbollit dinamovit dhe takohesha gjithnjë me kënaqësi me të tek godina e klubit. Ishte një xhentëllmen i vërtetë”, tha Rama.

“Mbetet në kujtesën time si një personazh i veçantë i botës së sportit shqiptar, një ndër anglishtfolësit e rrallë të kohës së izolimit nga bota, njeri studioz dhe i apasionuar pas muzikës klasike, letërsisë, pikturës e historisë, përveçse pas futbollit të cilit i kushtoi tërë jetën e tij profesionale”, shprehet Rama.

“Ai u nda nga jeta si sot një vit më parë, duke lënë gjurmën e tij të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar, në kujtesën e tifozëve të “17 Nëntorit” e të Kombëtares kuqezi, të lojtarëve të shumtë që stërviti me diturinë e tij të spikatur dhe të miqve që patën fatin ta njohin nga afër”, shprehet Rama në mesazhin e tij të përkujtimit për legjendën e futbollit të Tiranës, Fatmir Frashërin.

Frashëri ka qenë jo vetëm një ish-lojtar triumfator dhe fitues trofesh te Tirana, por edhe një trajner i suksesshëm, si dhe president nderi te bardheblutë një dekadë e gjysmë më parë. Ai mbante titullin “Mjeshtër i madh”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com