Loading...

Nga 15 qershori rinis transporti publik, Gonxhe: Mjetet me 70% të kapacitetit, shtohet frekuenca e autobuzëve

Nga data 15 qershor do të rinisë transporti publik në të gjithë vendin, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe shpjegoi edhe protokollin që do të ndiqet nga ofruesit e këtij shërbimi si dhe nga pasagjerët.

Në një intervisë të publikuar në medie, Gonxhja tha se operatorët urbanë do të operojnë me 70% të kapacitetit të tyre, ndërsa për qyetarët kërkohet të mbahen maska.

“Operatorët urbanë kanë bërë disa testime dhe simulime. Maskat do të jenë të detyruara në autobusë, por nuk do të jemi striktë deri në absurd. Maskat mund të jenë edhe të bëra vetë, nuk duhet të shqetësohen qytetarët për të blerë maska speciale. Do të ketë edhe dezinfektime të autobuzëve dhe këto kosto do të merren parasysh. Po punojmë që para 15 qershorit të ketë një paketë shtesë për të mbështetur operatorët e transportit publik për shpenzimet plus që do të kenë”, deklaroi kreu i DPSHTRR, Gonxhja.

Gonxhja po ashtu tha se është ngritur një “taskforcë operacionale”, dhe se do të ketë një kontroll dhe kujdes shumë të madh për të rregulluar transportin publik.

“Do të bashkojmë forcat me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit për një kontroll më të madh në hyrjen e njerëzve në autobus. Zgjidhja mund të jetë që biletat të priten jashtë autobusit, ndërsa brenda tij nuk duhet të ketë më shumë njerëz sesa 70% e kapacitetit të tij normal. Nuk këshillojmë që autobusët të përdoren nga të moshuarit. Por, nëse përdoren, nuk duhet t’u afrohemi dhe ata vetë nuk duhet të lejojnë njerëzit që t’u afrohen. Pra do të duhet të respektojmë distancën prej 1 m. Gjithashtu, do të shtohet frekuenca e autobusëve, që të ketë çdo 4 minuta autobus. Për këtë do të ketë bashkëpunim edhe me Policinë Rrugore për të siguruar edhe korsinë e lëvizjes. Njerëzit duhet të mësohen që nëse nuk hipin te një autobus sepse ka shumë njerëz brenda, do të vije tjetri për 4 minuta”, tha ai.

Më tej, Gonxhe deklaroi se po punohet për ngritjen e një platforme, një sistemi të ri të avancuar, të integruar të transportit, si një mekanizëm i qendërzuar jo vetëm për dixhitalizimin e për të patur të dhëna e statistika, por për të patur një platformë që do t’i japë çdo qytetari vendas e të huaj e vizitori informacionin mbi transportin publik.

Kreu i DPSHTRR bëri të ditur po ashtu se po punohet për finalizimin e një pakete mbështetëse nga qeveria për këtë sektor

“Po punojmë që para datës 15 qershor që hapet transporti të kemi edhe të gjitha levat ligjore dhe po përgatisim një paketë shtesë teknike për suportin e transportit. Po shikohet edhe krijimi i disa lehtësive nga shteti që të arrjmë në pikën që t’i afrohen kostos reale që ata kanë pasur e do të kenë gjatë COVID-19, të cilën ne nuk e dimë sa zgjat. Këto masa do të shtrijnë efektin e tyre jo vetëm gjatë fazës COVID-19, por edhe pas. Do të jenë masa që do të jenë përgjithmonë në favor të tyre, si ajo e njohjes së 43% të shpenzimeve për pjesën e karburantit, pjesa e akcizës së karburantit, lënis së xhiros së biletës pa goditur te TVSH, etj”, deklaroi Gonxhe./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com