Të martën perimetri i blinduar do të njehsohet me kufirin e Republikës së Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nëpërmjet një videomesazhi se, “të martën perimetri i blinduar do të njehsohet me kufirin e Republikës së Shqipërisë dhe praktikisht e gjithë Shqipëria javën tjetër do të jetë siç ishin Tirana dhe Durrësi fillimisht këtë javë që kaluam e pastaj qytetet e tjera”.
Kryeministri Rama u kërkoi ndjesë “të gjithë atyre që mund të kenë vështirësi të paparashikuara për shkak të masave shtrënguese dhe ju lutem të na e bëjnë hallall që nuk i parashikojmë do të gjitha me çdo detaj të vogël në këtë luftë me kaq shumë volum, stres dhe të panjohura për të gjithë botën ku edhe vendet më të fuqishme të botës janë kapur realisht gafil”.
“Të gjithë po ndryshojnë qasje çdo ditë dhe një e nga një po bëjnë gjërat që ne i kemi bërë tashmë, duke studiuar që në momentin një Kinën dhe më pas duke ndjekur moment për moment Italinë”, theksoi Rama.
‘Kështu miq durim, durim, durim dhe më besoni do t’ia dalim dhe do ta mbajmë mend tërë jetën këtë eksperiencë si një film horror që na plagosi keq, por na bëri më të fortë dhe më të mirë të gjithëve ne dhe Shqipërinë tonë, pa asnjë dyshim, natyrisht”, tha Rama./atsh