Shfaqja “Mbrëmë i pëshpërita një ylli”, erdhi për publikun mbrëmjen e djeshme në teatrin e qytetit të Korçës. Një shfaqje, që solli në skenë tre aktorë, me lirikën e dashurisë së Rumit, që mishëron njeriun si qenie humane dhe si një vepër e natyrës.
Aktori Kristian Koroveshi solli me këtë shfaqje në skenë dy aktorët e njohur Ndriçim Xhepa dhe Luiza Xhuvani.
Të tre aktorët dhuruan mbrëmjen e djeshme emocione nën një interpretim plot ndjenjë dhe dhimbje në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”, pas suksesit që patën në Tiranë, ku morën vlerësimin e publikut.
Lirika e dashurisë së Rumit nga tre aktorët e skenës shqiptare i dhuroi publikut korçar një mbrëmje për dashurinë, jetën dhe një rrëfim për shpirtin.
Në lidhje me këtë bashkëpunim, ku të tre janë bashkë në skenë me lirikën e dashurisë së Rumit, si ideator dhe regjisor Kristian Koroveshi shprehet se të dy aktorët janë shkolla të profesionalizmit.
“U përpoqa të bëheshim bashkë, se doja të isha pranë vlerës së madhe të tyre artistike, pasi për mua janë shkolla e profesionalizmit dhe e qenies njerëzore”, tregon më tej Koroveshi për këtë bashkëpunim, me dy artistët e njohur Xhuvani dhe Xhepa në teatër. /atsh