Ato ishin vetëm disa fjalë, të thëna me mëdyshje, megjithatë, paralajmëruan fundin e ndarjes së Gjermanisë.
“Me sa di unë është efektiv menjëherë… pa vonesë”, deklaroi Guenter Schabowski, anëtar i Byrosë Politike në Gjermaninë Lindore.
Fraza famëkeqe e fjalimit të Schabowski-t, i mbajtur në mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, përpara reporterëve ndërkombëtarë në Berlinin Lindor, hyri në histori.
Jo shumë kohë më parë, zyrtarët e Gjermanisë Lindore kishin rihartuar një ligj udhëtimi ku thuhej se kush mund të vinte e të shkonte midis Berlinit Lindor komunist dhe Berlinit Perëndimor, një kufi kyç ky në Perden e Hekurt, që ishte i mbyllur për shumicën e njerëzve, shumicën e kohës.
Kur u pyet për ligjin e ri të udhëtimit, Schabowski u tha gazetarëve pothuajse rastësisht, se ”vizitat private jashtë vendit do të ishin të mundura në të ardhmen, pa kushte të veçanta”.
Partnerët e tij nuk e dinin akoma.
Njoftimi për shtyp ishte planifikuar për ditën tjetër. I pyetur se kur ligji do të hynte në fuqi, Schabowski, i pasigurt, shkartisi letrat që kishte përpara dhe u përgjigj që ligji ishte efektiv menjëherë.
Pa dashje kishte njoftuar hapjen e kufijve për Gjermaninë Lindore.
Mediet e Gjermanisë Perëndimore e përhapën lajmin pothuajse menjëherë.
Në pikat e kontrollit kufitar në Berlinin Lindor, ndodhën skena tronditëse, ndërsa miq dhe të afërm shkuan për të kaluar kufirin.
Askush nuk e dinte me siguri nëse ishte thashethem, gabim apo vendim i vlefshëm, por brenda disa orëve kjo gjë nuk kishte më rëndësi.
Kalimi i parë që u hap ishte postblloku Bornholmer Strasse në Berlin, që u pasua nga të tjerë.
Mijëra qytetarë të Republikës Demokratike të Gjermanisë (RDGJ) u dyndën në Perëndim, duke ecur përtej ushtarëve të befasuar.
Lajmi befasoi gjithashtu kancelarin e Gjermanisë Perëndimore, Helmut Kohl, i cili në atë kohë ndodhej në Varshavë.
BundestagU mbylli seancën e tij dhe anëtarët e parlamentit filluan të këndonin himnin kombëtar. /atsh