“Kjo është një krizë e thellë e Partisë Demokratike dhe e opozitës që deshën ta kthejnë në një krizë të Shqipërisë, por morën atë që meritojnë dhe do ta marrin deri në fund”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “nëse do të ketë apo jo dialog dhe marrëveshje bashkëpunimi pas 30 qershorit, kjo do të varet nga ata, pasi unë jam tërësisht i hapur për dialog dhe marrëveshje bashkëpunimi”.
“Por unë nuk jam ngarkuar të zgjidh krizën e PD-së. Nëse më pyesin, i jap një sugjerim dhe i kujtoj rastin e opozitës në Malin e Zi, që akoma nuk e ka marrë veten nga bojkoti i zgjedhjeve. Populli nuk i ha këto”, – tha Rama.
Sipas Ramës, shumica është e gatshme të vendosë një bashkëpunim me opozitën e rrugës.
“S’ka asnjë shkencë, Bashës i kam dërguar gjashtë letra, një të shtatë ja kam dërguar ndjekësve të tij. I kam kërkuar dialog, të hënën jam i gatshëm të diskutojmë se çfarë marrëdhëniesh bashkëpunimi mund të kemi mes opozitës së rrugës dhe shumicës qeverisëse. S’kam asnjë lloj paragjykimi, kushti… Ai mund të vijë në tavolinë e të thotë Rama ik, s’ka gjë. Nga pikëpamja e hapësirave që ka opozita dhe do e dëgjoj, do e dëgjoj, dhe në fund, po e pashë që s’ka ardhur ende në vete, do iki, nga takimi, jo nga zyra”, – tha Rama.
Ai theksoi se shqiptarët nuk kanë votuar kurrë gabim, por kanë votuar gjithmonë saktë.
Sa i takon shitblerjes së votës, Rama tha se “ka qenë një problem historik në Shqipëri dhe ka qenë më tepër eficiente kur ishin 365 bashki e komuna, sepse në një komunë me 100 votues bënin efekt 3-4 vota”.
“PS dhe PD nuk i shesin dhe i blejnë dot votat, se nuk funksionon. LSI është tjetër gjë dhe partitë e vogla, por harrojeni përmbysjen e rezultateve me shitblerje votash”, – tha Rama./atsh