Bashkëshortja e Albano Dervishaj, Daniela theksoi dje se nuk dinë gjë për personin me të cilin është larguar i shoqi. Por nga ato çfarë kanë mësuar në Polici, personi që e ka marrë në shtëpi Albanon identifikohet me emrin Klodi. Vetëm kaq dinë familjarët, që tashmë nuk iu mbetet tjetër veçse të interesohen herë pas here në Polici dhe në Prokurori për fatin e 34-vjeçarit, baba i dy fëmijëve.
Daniela nuk pranoi të jepte detaje të tjera në lidhje me ditën kur u largua i shoqi, pasi tashmë kjo është një çështje në hetim. Referuar ngjarjeve të personave të zhdukur, burime nga Policia konfirmojnë se nuk janë vetëm këto raste, pasi të tjera denoncime për të tjerë persona të zhdukur janë në hetim. Familjarët e tyre i janë drejtuar Policisë, pasi të afërmit janë larguar nga banesat e tyre pa lënë asnjë gjurmë dhe ende sot nuk dihet për fatin e tyre. Janë dhjetëra persona, të cilët konsiderohen të humbur nga Policia dhe ende sot nuk ka asnjë të dhënë se ku gjenden. Familjarët i kanë denoncuar rastet, por të shumtët nuk kanë marrë ende një përgjigje.