Rruga e një guroreje në Selenicë është bërë shkak për një konflikt masiv me sende të forta jashtë ambienteve të Gjykatës së Apelit në Vlorë. Dy palët, ish-ortakë të gurores ishin në një proces gjyqësor prej dy vitesh. Për ngjarjen, policia ka shoqëruar në komisariat tre persona, ndërsa ka mbetur i lënduar një 53-vjeçar.
Një proces gjyqësor në Vlorë përfundoi me një sherr masiv. Dy palët ishin në gjyq për rrugën që të çonte tek një gurore në Selenicë.
Kur trupi gjykues dha vendimin në favor të biznesmenit Ylli Salla nisi debati mes dy familjeve brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit të Vlorës.
Më pas, konflikti vazhdoi jashtë gjykatës me përplasje fizike dhe goditje me sende të forta.
Për pasojë mbeti i dëmtuar një 53-vjeçar, me banim në Peqin. Aty mbërriti policia dhe shoqeroi ne komisariat tre autorët e dyshuar të ngjarjes.
Biznesmeni Salla që fitoi gjyqin akuzon personat e palës tjetër që i zunë pritë dhe e goditën me mjete të forta në kokë.
“Më kishin zënë pritë, nuk është hera e parë. Më goditën me doreza”, tha ai.
Ndërsa bashkëshortja e Vendim Dyrmishit pretendon të kundërtën.
“Në momentin që u futën në gjykatë dikush provokoi aty dhe pati një konflikt dhe debatuan. Ylli Salla lajmëroi policinë. Erdhi policia dhe arrestuan disa”, tha ajo.
Mësohet se gurorja në Selenicë fillimisht ka qenë në bashkëpronësi të biznesmenit Ylli Salla nga Elbasani dhe Vendim Durmishajt. Por pas konfliktit mes tyre, ky i fundit pretendon se Salla ia mori padrejtësisht guroren, ndërkohë që i bllokoi rrugën.
Dyrmishaj thotë se Salla nuk ka paguar shpenzimet për ndërtimin e rrugës prandaj nuk e kishte lejuar që të qarkullonte aty./abcnews.al