Një 63-vjeçar nga Përmeti i dha fund jetës në mënyrë tragjike mëngjesin e sotëm, duke u hedhur nga dritarja e dhomës në spitalin rajonal “Omer Nishani”, në Gjirokastër.
Dëshmitarët në vendngjarje, të cilët kanë parë gjithë skenën e tmerrshme janë shprehur se i ndjeri ndodhej i shtruar në spital në pritje për tu operuar nga hernia diskale prej disa ditësh, ndërsa operacioni i tij ishte shtyrë për shkak të mungesës së anestezistëve.
Momentin që vendosi të kryente vetëvrasjen duke u hedhur nga ballkoni i dhomës, siç shkruan Jugu News, Gëzim Malkaj ka ngritur zërin disa herë dhe ankohej për dhimbje të mëdha në zonën e poshtme në rrëzë të kofshës dhe kërkonte që të ndërhyhej sa më shpejt.
Pas një situate shumë të rënduar dhe depresionit të madh mendor, Gëzimi, është dëgjuar të thotë: “Unë po shkoj se vetëm kështu do më pushojnë dhimbjet”.
Shokët e dhomës kanë nxituar të ndalojnë aktin e Gëzimit por e kanë pasur të kotë pasi 63 vjecari, ka kapërcyer kangjellat e hekurta të ballkonit të dhomës ku akomodohej dhe u hodh poshtë me kokë.
Familjarët e të ndjerit, mësohet se direkt pas ngjarjes, kanë tërhequr dosjen mjekësore të Malkajt me pretendimin se do ta bënin problem shkakun që solli vdekjen e njeriut të tyre.
Malkajt i është komunikuar dje se do të hynte në sallën e operacionit mëngjesin e të martës pasi e hëna si pushim nuk do të kryheshin operacione të planifikuara.
Policia e Gjirokastrës ka shkuar në vendngjarje dhe ka marrë në pyetje pacientët e dhomës ku akomodohej viktima, por edhe kirugët e spitalit. Sipas grupit hetimor, vdekja ka ardhur si pasojë e hedhjes nga ballkoni me lartësi 13 metra në kushtet e depresionit mendor.